Zguri: Regjistrimi i koalicioneve jashtë afatit është diskriminues

457
Alma Çuka

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve shprehet se ky institucion nuk ka asnjë kompetencë për të plotësuar kërkesën e PS-LSI
Mbyllja e afatit ligjor për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhjet e 18 qershorit ka ndezur debatet mes palëve brenda dhe jashtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Shkak është bërë një kërkesë e firmosur nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, për zgjatjen e afateve, tej atyre të parashikuar në Kodin Zgjedhor dhe vendosur nga Kuvendi i Shqipërisë me 3/5 e votës së deputetëve. PS dhe LSI kërkojnë nga KQZ shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve. Por nuk janë të këtij mendimi, as opozita, e cila nuk është regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhje dhe as një pjesë e anëtarëve të KQZ-së, të cilët e cilësojnë absurde një kërkesë të tillë. 

Klement Zguri, një prej anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, shpjegoi për gazetën “Telegraf”, arsyet se përse është kundër shtyrjes së afatit të regjistrimit të koalicioneve. Ai jep edhe sugjerimet konkrete për politikën, se si ata duhet të veprojnë për të gjetur një rrugë të drejtë. 

Zoti Zguri, Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i janë drejtuar KQZ-së me një letër, ku kërkojnë shtyrjen e afatit të regjistrimit të partive dhe koalicioneve për zgjedhjet e 18 qershorit. Si vjen kjo kërkesë në vlerësimin tuaj?

“Dua të theksoj se afatet në ligj nuk lëvizin dhe KQZ nuk ka asnjë kompetencë për të ndryshuar afatet në logjikën time dhe në atë që ligji kërkon. Është një kërkesë që afekton zgjedhjet, i bën të pasigurta, cilësisht më të dobëta dhe humbet ndershmëria”. Pse mendoni kështu?

“Është shumë e thjeshtë. Kërkesa në fjalë është tentativa për të ndryshuar afatet ligjore. Dhe kjo bëhet për të favorizuar disa subjekte dhe disa të tjera i diskriminon, sepse disa subjekte do të jenë në vete dhe disa do të jenë në koalicion. Formula për shpërndarjen e mandateve favorizon partitë që janë në koalicion. Palët po kërkojnë kohë për shtesë afati për të bërë të mundur të fitojnë kohë dhe të merren vesh. Kjo diskriminon disa të tjera”. 

Çfarë ndodh nëse merret një vendim për shtyrje afati?
“Nëse merret një vendim i tillë në mendimin tim dhe në arsyet e mia, në mënyrë absolute favorizohen disa subjekte dhe diskriminohen disa të tjera. Sot (dje) mbaron afati ligjor i koalicioneve dhe nëse i japim kohë e bëjmë në kurrizë të disa subjekteve që garojnë më vete. Ligji për zgjedhjet është ligj që kalon me 3/5 dhe nuk është e drejta e KQZ të ndërhyjë. Do të jetë ndërhyrje e paarsyeshme dhe ne bëhemi pjesë e makinacioneve politike”.

Çfarë do t’ju sugjeronit klasës politike?
“Shqetësimi është evident, sepse një pjesë e spektrit politik nuk hyjnë në zgjedhje. Por nëse klasa politike e ka evident shqetësimin dhe janë të sinqertë në atë që thonë, do të duhet të mblidhen dhe të diskutojnë pa vënë në vështirësi institucionet. Nuk mundet një trup me shtatë anëtarë të rrëzojë një produkt që ka dalë nga Parlamenti i Shqipërisë dhe ne nuk e rrëzojmë dot. Kjo gjë është përtej kompetencave tona. Edhe sikur të votohet me pesë anëtarë apo edhe me shtatë është e njëjta gjë. Ne nuk kemi fuqi për të kapërcyer këtë shqetësim të subjekteve politike në fjalë”. 
Sigal