Zguri: E vërteta për largimin tim është krejt ndryshe. Kristaq Kume: U emërua nga politika, jo nga ligji

444
Klement Zguri: E vërteta për largimin tim, krejt ndryshe nga sa pretendon mazhoranca
Kërkesa e PS-së për shkarkimin e Zgurit është cilësuar politike dhe prishje e marrëveshjes së 18 majit, nga ish-kreu i këtij institucioni Kristaq Kume
Partia Socialiste kërkon shkarkimin e Klement Zgurit nga posti i kryetarit të KQZ-së. Shkak për këtë kërkesë është bërë vendimi i këtij komisioni për të mos ndërprerë mandatin e kryebashkiakut të Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Sipas socialistëve, kryebashkiaku është i dënuar në Itali, ndërsa akuzohet Klement Zguri se ka fshehur provat duke arkivuar në këtë mënyrë vendimin për mos të ndërprerë mandatin. Në këto kushte PS ka paralajmëruar nisjen e procedurave për shkarkimin e Zgurit nga posti i kreut të këtij Komisioni. Zguri u zgjodh në krye të KQZ në kuadër të marrëveshjes së 18 majit mes kreut demokrat Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama. Shpeshherë ky i fundit ka kërkuar nga kreu i opozitës që të respektojë marrëveshjen, pavarësisht se kreu i PD-së e ka cilësuar atë të “vdekur’. Tashmë duket se edhe Rama po shkon drejt zhbërjes së kësaj marrëveshjeje, e cila u iniciua me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, përfshi këtu BE dhe SHBA.

Klement Zguri, kryetar aktual i KQZ 
Pas kërkesës së partisë Socialiste për të larguar nga detyra Kryetarin e KQZ-së, Klement Zguri, ky i fundit ka bërë reagimi ne tij. I pyetur nga gazeta “Telegraf”, Zguri deklaroi se asnjë nga argumentet e shtruara nga PS për nisjen e procedurave për shkarkimin e tij nuk qëndron. Ai shton se në thelb të KQZ ka qenë vetëm puna dhe asgjë më tepër. “Puna e KQZ-së për fat të mirë është në dritën e diellit. Nuk ka vetëm kronika lajmesh, por ka mbledhje, procesverbale, akte dhe vendime. Të gjitha publike. Të gjitha mund të konsultohen në çdo kohë nga çdo njeri. KQZ-ja nuk fsheh. KQZ-ja vetëm zbardh. Kështu që edhe në rastin konkret, e vërteta është krejt tjetër, është e kundërta e asaj që pretendohet”, tha Zguri. Gjithsesi duke qenë se ai mbulon një institucion tepër të rëndësishëm, deklaroi se nuk mund të futet në lojën politike që ngre PS dhe të bëhet pjesë e një debati të tillë. Më herët Partia Socialiste akuzoi kreun e KQZ se ka fshehur dosjen e kryebashkiakut Agron Kapllanaj, për të cilin socialistët pretendojnë ndërprerjen e mandatit bazuar në ligjin për dekriminalizimin. Sipas PS-së, gjykata Italiane ka konfirmuar dënimin e Kapllanajt, ndërsa dokumentet iu fshehën nga KQZ, nga kryetari i saj. Por Zguri deklaroi se sulmet ndaj KQZ-së, sidomos kur janë haptazi abuzive, në kundërshtim të plotë me ligjin dhe të motivuara nga interesa politike të palidhura me KQZ-në dhe zgjedhjet, dëmtojnë rëndë autoritetin dhe pavarësinë e KQZ-së, mbjellin frikë dhe pasiguri te institucionet, cenojnë shtetin ligjor. “Këto janë ankorat që mbajnë KQZ-në përballë tallazeve. Nuk ka parti politike që njeh dhe pranon rregullat e lojës, zgjedhjet e ndershme dhe shtetin ligjor, që mund të ketë vullnetin t’i këpusë këto ankora. Ndaj unë u bëj thirrje të gjitha palëve që lojën politike ta zhvendosin diku gjetkë, në ndonjë fushë ku interesit publik i bëjnë më pak dem”, tha ai.

Kristaq Kume: Ish-kryetar i KQZ
Çështja se është e lidhur me Kapllanaj apo jo, s’do të thotë se është apo jo politike. Ky është një veprim politik, për sa kohë që edhe vendosja e Zgurit në krye të KQZ-së nuk u bë në zbatim të ligjit, por siç ranë dakord në marrëveshjen e politike të 18 majit. Pra duhet të themi se çështja nuk është se është zbatuar Kodi Zgjedhor, por marrëveshja politike. Me sa duket palët që ranë dakord nuk i qëndrojnë më asaj marrëveshje dhe për rrjedhojë dhe efektet e saj do fillojnë të veprojnë. Pra, në gjithë këtë proces, që nga 18 maji deri tani, proces që lidhet me KQZ –në, unë nuk gjej asnjë pikëprerje me ligjin dhe zbatimin e tij, por me konkretizimin e një marrëveshje. Të dy konvergojnë me një strukturë. Mazhoranca aktuale është e pakënaqur nga vendimmarrja e KQZ-së lidhur me kryetarin e bashkisë Mallakastër. E gjithë kjo është një vendimmarrje politike dhe jo e mbështetur në ligj. E kanë ankimuar në Gjykatën Kushtetuese. Mazhoranca ka një qëndrim politik qartësisht të shprehur dhe përgjegjës për këtë bëjnë KQZ dhe arsyen pse ky komision e ka bërë këtë gjë, e gjejnë tek fakti se pakti i 18 majit ka ndryshuar dhe për pasojë ky ndryshim bie ndesh me interesat politike të mazhorancës. Klasa politike po jep një argument tjetër, goxha domethënës për atë që ne nuk jemi dot të zot që të ndërtojmë, një administratë për zgjedhje funksionale. Nëse administrata zgjedhore është e ndërtuar sipas këtij rregulli që kemi sot, ose ata që marrin detyrën, nuk janë deri në fund në zbatim të ligjit por tërhiqen nga interesi i forcës politike që i ka propozuar, pse forcat politike bëjnë gjithçka kanë në dorë për të arritur qëllimin e tyre dhe kur nuk e arrijnë vënë dore duke ndryshuar njerëzit? Në kuadër të kësaj reforme zgjidhja e çështjes së administratës zgjedhore, është një nga çështjet që duhet trajtuar dhe duhet t’i jepet zgjidhje. Këtë e tregon jo vetëm ky rast por edhe raportet e vëzhguesve të OSBE-ODIHR.
Sigal