Zgjidhja shqiptare për emigrantët është “teatër absurd”. Italia po shkel Konventën për të Drejtat e Njeriut

548
Sigal

Zgjidhja shqiptare për emigrantët nga Eritrea është një “teatër absurd”

Avokati italian i Popullit Mauro Palma: Qeveria italiane shkel Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut

Dy ditë më parë, qeveria shqiptare njoftoi se do të “pranojë” 20 nga 150 emigrantët e paligjshëm nga Eritrea, në brigjet e Italisë, të bllokuar nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini, i partisë së djathtë ekstreme, Lega. Refugjatët u lejuan të largohen nga anija vetëm pasi gjykata italiane filloi procedimet kundër tij.

Avokati italian i Popullit: Emigrantëve u është “privuar liria, de facto, pa asnjë bazë ligjore, apo mbikëqyrje gjyqësore.”

Avokati italian i Popullit Mauro Palma pohoi se emigrantët ishin “privuar nga liria, de facto, pa asnjë bazë ligjore apo mbikëqyrje gjyqësore” dhe se Salvini e qeveria italiane kanë shkelur Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, Kushtetutën Italiane, Konventën e Gjenevës, si dhe Kodin Penal të Italisë e Kodin e Lundrimit. Pranimi i ofertës së qeverisë shqiptare për të strehuar 20 prej emigrantëve mund të jetë një tjetër shkelje nga ana e shtetit italian, sepse Shqipëria është një “vend i tretë” dhe jo pjesë e sistemit të përbashkët të azilit të BE-së, sipas Konventës së Dublinit.

Emigrantët nga Eritrea në Shqipëri është një shkelje e ligjit të BE-së

Në një intervistë me gazetën italiane “La Repubblica”, Lorenzo Truço, drejtor i Shoqatës për Studimin Juridik të Imigracionit (ASGI), e quajti “zgjidhjen” shqiptare një “teatër absurd”: “Në këtë rast jemi jashtë çdo konteksti ligjor. Shqipëria nuk është në Bashkimin Evropian, prandaj po flasim për një zhvendosje në një vend të tretë që nuk ka gjithçka që parashikohet nga sistemi i përbashkët evropian i azilit. Kjo do të thotë, se ne nuk jemi të sigurt që ato kanë kushtet e nevojshme për njohjen e mbrojtjes. Pra, një transferim në këtë vend mund të bëhet vetëm, nëse emigrantët bien dakord, asnjëherë kundër vullnetit të tyre. Në atë rast do të ishte një largim i detyruar. Dhe pastaj është çështja e zgjedhjes. Si do të zgjidhen emigrantët që më pas do të zgjedhin për të shkuar në Shqipëri? Është një teatër i absurdit, një sulm në sistemin e azilit. Për fat të mirë, ka pasur ndërhyrje nga sistemi gjyqësor.” Transferimi i refugjatëve eritreianë nga Italia në Shqipëri kundër vullnetit të tyre ose pasi ata aplikuan për azil në Itali (veprim të cilin ata kishin të drejtë ta kryenin sapo zbritën nga anija) është një shkelje e ligjit të BE-së. Qeveria shqiptare i ka dhënë Salvinit një pretekst për ta bërë këtë, duke treguar gjithashtu, se sa pak e kupton se si funksionon sundimi i ligjit.