Zgjerohet Albgaz – Krijohet shoqëria e përbashkët me Italinë, nisin rekrutimet e stafit

702
Sigal

Pas marrëveshjeve të nënshkruara, gazsjellësi TAP, kompania italiane e gazit SNAM dhe Operatori i Kombinuar i Gazit Natyror në Shqipëri, ALBGAZ po krijojnë një shoqëri të përbashkët, e cila do të ketë si objektiv mirëmbajtjen e tubacionit të gazsjellësit për pjesën që kalon në territorin e Shqipërisë. Për këtë arsye, kompania po kërkon personel shqiptar për të operuar në strukturat në terren përgjatë rrugës së tubacionit TAP, të cilat do të vendosen në rrethet e Korçës, Beratit, Fierit dhe Çorovodës. Bëhet fjalë për Qendrat e Mirëmbajtjes dhe Stacionin e Kompresorëve, ndërkohë që Albgaz pritet të rekrutojë 36 punonjës, prej të cilëve 24 me kualifikim teknik minimal bazë dhe 12 të tjerë me kualifikim teknik të avancuar në cilësi drejtuese. Paralelisht, kompania italiane SNAM garanton kualifikimin e punonjësve të në Itali dhe transferimin e njohurive teknologjike sipas standardeve të sektorit. Aktualisht, Albgaz ka hapur procesin e rekrutimit të profesionistëve të rinj, ndërkohë që afati i fundit i aplikimeve është data 27 gusht 2018. Aplikimet mund të kryhen përmes faqes online të Albgaz.

Gjurma e gazsjellësit TAP në Shqipëri është rreth 215 km e gjatë në pjesën tokësore nga kufiri greko-shqiptar pranë Bilishtit deri në rrethin e Fierit në brigjet e Detit Adriatik.