Zgjedhjet vendore, në vjeshtë/ Shtyhet reforma zgjedhore. Flasin Kume dhe Lazaj: Kodi zgjedhor nuk pranon marrëveshjet politike

541
Sigal

Shtyhet 3 muaj reforma zgjedhore. Prof. Dr. Kristaq Kume: Mandatet e kryebashkiakëve dhe këshilltarëve skadojnë në korrik 2019

Jakup B. GJOÇA

Reforma Zgjedhore/ A po e përdor Rama zgjatjen e mandatit të komisionit për shtyrjen e zgjedhjeve

Partia Socialiste, e cila ka mbetur e vetme në parlament ka vendosur të shtyjë me 3 muaj mandatin e Komisionit për Reformën Zgjedhore. Kjo do të thotë se nëse në seancën parlamentare të 3 prillit do të miratohet ky propozim, atëherë mandati i komisionit të Reformës Zgjedhore do të jetë deri me 3 korrik. Por, në 30 qershor janë zgjedhjet vendore të dekretuara nga Presidenti, që do të thotë ose zgjedhjet do të mbahen me Kodin aktual, ose mazhoranca po bën lëvizjen e butë për shtyrjen e tyre. Nëse ndodh kjo atëherë zgjedhjet vendore mund të zhvillohen në vjeshtë, mes periudhës 15 shtator-15 nëntor, sikundër parashikohet në Kodin zgjedhor, si stinë zgjedhore.

Zgjedhjet vendore në 15 shtator – 15 nëntor?

 Nuk dihet nëse propozimi i PS-së është një lëvizje drejt asaj që të shkojë në shtyrje të zgjedhjeve vendore, pasi me një mungesë të opozitës në proces, nuk mund të ketë zgjedhje normale, apo është një tentativë e Rilindjes për të mbushur boshllëkun që mund të krijohet në komisionet e qendrave të votimit. Por gjithsesi me shumë gjasa duket një lëvizje që mund të çojë në shtyrjen e zgjedhjeve lokale, që mazhoranca të justifikohet me reformën zgjedhore dhe jo presionit nga opozita.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit: PS-ja po shkel Kodin Zgjedhor

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka konstatuar shkelje të ligjit nga ana e PS-së, duke theksuar se ka nisur para kohe fushatën për zgjedhjet e 30 qershorit. Për këtë shqetësimi i ka dërguar një letër KQZ-së, ndërsa drejtorja Erida Skëndaj, thotë se kodi ka vakuume ligjore të cilat duhen zgjidhur. Komiteti Shqiptar i Helsinkit, ka kërkuar ndërhyrjen e KQZ për të mos lejuar fushatat të parakohshme për partitë politike. Erida Skëndaj: Fushatat e parakohshme rrisnin edhe rrezikun e përdorimit të administratës dhe fondeve publike. PS ka ndërmarrë një turne në gjithë Shqipërinë “bashkia që duam” ku në shumë raste janë prezantuar edhe kandidatët për zgjedhjet e 30 qershorit.

Flasin për gazetën “Telegraf”

Prof. Dr. Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ: Marrëveshjet politike janë mbi ligjin dhe Kodin Zgjedhor

Shtyrja e afatit për bërjen e reformës së re zgjedhore edhe 3 muaj, mund të mos ketë domosdoshmërish, lidhje me shtyrjen e datës së zgjedhjeve vendore. Zgjedhjet vendore mund të bëhen edhe me kodin aktual zgjedhor, pa pritur reformën e re zgjedhore. Por tek ne, ngaqë akoma nuk kemi shtet të së drejtës, partitë politike mund të arrijnë një marrëveshje, që, për arsye të ndryshme politike, të shtyjnë afatin e zgjedhjeve vendore.

Kështu, që duke shtyrë edhe 3 muaj afatin e reformës së re zgjedhore, shtyhen edhe zgjedhjet vendore dhe, pasi miratohet reforma e re zgjedhore, zgjedhjet vendore bëhen me Kod të ri zgjedhor. Ka një problem. Siç e përcakton Kodi Zgjedhor, mandati i kryebashkiakëve dhe i këshilltarëve të Këshillave bashkiakë ka mandat të përcaktuar 4 vjeçar, i cili, sipas Kodit Zgjedhor, mbaron saktësisht 4 vjet, në të njëjtën datë kur KQZ-ja i ka shpallur para 4 viteve.

Pra, mandati i kryebashkiakëve dhe i këshilltarëve bashkiakë të tanishëm mbaron në korrik 2019 dhe pas kësaj date, asnjë kryebashkiak dhe asnjë këshilltar i këshillave bashkiake nuk ka më mandat. Nëse zgjedhjet vendore shtyhen, sipas Kodit Zgjedhor, në 15 shtator – 15 nëntor, sipas Kodit Zgjedhor mandatet e kryebashkiakëve dhe të këshilltarëve bashkiakë nuk shtyhen. Pas 4 apo 10 korrikut 2019 nuk ka më kryebashkiak që të kryejë funksionin.

Mirëpo, në Shqipëri, marrëveshjet politike janë mbi ligjin dhe ligji u nënshtrohet marrëveshjeve politike, mund të ndodhë, që partitë të arrijnë në marrëveshje për shtyrjen e datës së zgjedhjeve, pavarësisht se bashkitë nuk kanë më kryetarë dhe këshilltarë me mandat deri në datën e zgjedhjeve.

Artan Lazaj, ish-anëtar i KQZ: Partitë nuk janë të interesuara për reformën zgjedhore

Mund të shtyhet afati i kryerjes së reformës zgjedhore, kjo nuk ka lidhje me datën e zhvillimit të zgjedhjeve vendore, të cilat, siç dihet janë shpallur për t’u zhvilluar në 30 qershor 2019, sepse zgjedhjet vendore mund të zhvillohen edhe me Kodin aktual Zgjedhor. Problemi është se reforma zgjedhore është pjesë e propagandës politike të partive politike.

Në fakt, këto parti politike, që kanë në dorë vendimmarrjen politike, nuk kanë interes që të bëjnë reforma zgjedhore, derisa sistemi aktual zgjedhor, Kodi aktual Zgjedhor u ka garantuar privilegjet zgjedhore në krahasim me partitë e tjera politike. Madje, partitë e mëdha politike nuk janë të interesuara as për reforma të tjera, as në Drejtësi, as në ekonomi, sepse po të kenë interes, ato i kanë të gjitha mundësitë t’i bëjnë, kur të duan.

Edhe për reformën e re zgjedhore partitë e mëdha duan dhe e zvarritin, duan edhe e shtyjnë sa herë afatin, që në fund të mos bëjnë asgjë, përtej atyre ndryshimeve që u shërbejnë interesave të tyre politike.