‘Zgjedhjet parlamentare dhe lokale janë afër, do i kthejmë sovranit vendimmarrjen’

137

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, në një prononcim për ‘Gazeta Shqiptare’, u shpreh shpresëplotë se zgjedhjet e njëkohshme, parlamentare dhe lokale janë afër dhe beson se rikthimi i vendimmarrjes te sovrani zgjidh krizën politike.

Aleati i PD-së thotë se beteja e opozitës bëhet kundër mbipushtetit të Edi Ramës. Rilindjen pasi 21 viteve pushtet dhe 7 viteve qeverisje, Shpëtim Idrizi shprehet se është e plakur, e lodhur, ndërsa opozitës i duhet kohezion.

Kreu i PDIU-së flet për objektivat e koalicionit opozitar, hapje të opozitës pavarësisht siglës së partive, dialog me qytetarët, ekip të ri me afrimin e të rinjve e intelektualëve, platformë që zgjidh krizën si dhe protesta deri në zgjedhje të reja qendrore e lokale dhe krijimin e një qeverie tranzitore, e cila të bëhet garante e votës së lirë.

Z. Idrizi thotë se në këtë platformë janë përfshirë edhe propozimet e PDIU-së, ndërkohë që ka dakordësinë e liderit demokrat, Lulzim Basha, përmes një marrëveshjeje të të dyja palëve për angazhimin e çështjes kombëtare, në mënyrë të veçantë, çështjes çame.