Zgjedhjet në udhëkryq, KQZ refuzon kërkesën e PS –LSI për shtyrje afati

Alma ÇUKA

Dy orë debate dhe asnjë vendim në favor të palëve të interesuara. KQZ u përfshi nga mendimet e ndryshme të shprehura, si nga anëtarët e saj, ashtu edhe nga përfaqësuesit e partive politike. 18 prilli, afati i fundit që lejonte regjistrimin e koalicioneve, mbetet ende në diskutim 

Partitë e koalicionit të majtë nuk morën përgjigjen që kërkuan nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndonëse ky i fundit përmes katër anëtarëve të saj ishte dakord me faktin se shtyrja e afatit me tetë ditë për regjistrimin e koalicioneve, nuk cenonte procesin. Në fakt debati nisi në 18 prill, data që ndan qartazi afatet e regjistrimit të koalicioneve për zgjedhjet që janë vendosur të mbahen në 19 qershor. Kodi Zgjedhor e ka të përcaktuar qartë se koalicionet mund të regjistrohen për zgjedhje 60 ditë para mbajtjes së tyre. Ndërsa partitë 70 ditë para. Ngërçi i krijuar duket se nuk ka marrë zgjidhje. Palët dalin me deklarata dhe japin versionin e tyre për të tejkaluar këtë situatë. Në 18 prill, pikërisht ditën kur përfundonte afati, PS dhe LSI dorëzuan në KQZ një kërkesë përmes së cilës kërkonin shtyrjen e afatit të regjistrimit me tetë ditë. Sipas tyre, kjo kohë do të mjaftonte për të bindur të djathtët të futeshin në zgjedhje. Por menjëherë pas dorëzimit të letrës, reagimet ishin të shumta. Anëtarët e emëruar nga Partia Demokratike në KQZ ishin kategorikisht kundër zgjatjes së afateve. Sipas tyre, një veprim i tillë bie ndesh me Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor. KQZ, thanë ata, nuk mund të shprehet me vendim për një ligj, i cili është miratuar në Kuvend me shumicë të cilësuar të votave. Ndërkohë pala kërkuese deklaronte të kundërtën. Ata ishin të bindur se po kërkonin zgjidhjen e një situate e cila nëse pranohej nuk do të cenonte procesin. 

Refuzimi i KQZ
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që të mos marrë asnjë vendim për kërkesën e PS dhe LSI për shtyrje të regjistrimit të koalicioneve politike për zgjedhjet e 18 qershorit.

Kryetari i KQZ, Denar Biba deklaroi se nuk kemi pse të marrim vendim, pasi kërkesa për shtyrje të regjistrimit e koalicioneve nuk ka një bazë ligjore që të na detyrojë. Në këto kushte nëse do të bazoheshim te afatet, zyrtarisht PS dhe LSI do të shkonin të vetme në zgjedhjet e 18 qershorit nëse do të zhvillohen. Por, sipas Denar Bibës deri në datë 29 Prill, kur është afati i fundit për regjistrimin e listave për kandidatët për deputetë, mund të regjistrohen edhe partitë dhe koalicionet, ndërsa pas kësaj date nuk ka më manovra politike. “Në çfarë do lloj rrethane KQZ nuk ka pse të marrë një vendim të njëanshëm që do të reflektonte vetëm interesat e një krahu politik.. Nuk kemi pse të marrim vendim, është një kërkesë e rrallë, nuk ka një bazë ligjore që të na detyrojë të marrim një vendim”. E çmoj, por KQZ nuk duhet të marrë vendim në lidhje me këtë kërkesë. Çfarë vendimi do të merrte KQZ nëse PD dhe opozita do të vijë të regjistrohej? Çfarë ndodh nëse kërkesat e opozitës plotësohen dhe vjen të regjistrohet? Pas datës 29 Prill nuk ka më kohë për manovra politike" deklaroi kreu i KQZ, Denar Biba. Data 29 Prill është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve për deputetë dhe sipas kryetarit të KQZ mund të regjistrohen edhe partitë dhe koalicionet. “Pa opozitën do ketë zgjedhje por jo një proces të mirëfilltë. Nuk ka bazë ligjore që të marrim një vendim. Kërkesën e çmoj por KQZ nuk duhet të marrë vendim. Nëse KQZ merr një vendim duhet të jetë unanim e gjithëpërfshirës. PS dhe LSI japin argument politik dhe jo juridik”, tha Denar Biba. Por përfaqësuesit e zgjedhur nga opozita në KQZ e kundërshtuan duke deklaruar se afatet për koalicionet janë shkelur dhe nuk mund të regjistrohen më. Katër anëtarë të KQZ thanë që deri në 29 prill ka mundësi që procesi mos të cenohet dhe partive tu jepet e drejta për t'u regjistruar.

Çfarë u tha në mbledhjen e KQZ nga përfaqësuesit e partive politike
Eridian Salianji, përfaqësues ligjor i Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve tha të enjten se, shtyrja me disa ditë e afatit ligjor për regjistrimin e koalicioneve në zgjedhje nuk e cenon procesin dhe as Kushtetutën, por synon t’i japë mundësi opozitës të hyjë në zgjedhje. “Kjo kërkesë e jona vjen në një kohë jonormale sa i takon procesit elektoral, pasi situata politike në vend nuk është e mirë, pasi kemi opozitën që nuk është e regjistruar për zgjedhjet e 18 qershorit. Ndaj PS dhe LSI, në vijimësi ka kërkuar që opozita si institucion, të bëhet pjesë e zgjedhjeve dhe gjatë kësaj kohe dhe në ditët në vazhdim janë negociatat që do ti bënin të mundur opozitës të hyjë në zgjedhje, që është një e drejtë dhe detyrim i saj. Data e zgjedhjeve është ditë e shënuar dhe ne do japim gjithë kontributin tonë që opozita të jetë në zgjedhje. Ne kërkojmë një qëndrim nga ju nëse shtyrja e afatit ligjor e cenon procesin zgjedhor? Por, më e rëndësishme se afatet për ne është hyrja e opozitës në zgjedhje. Ne e njohim ligjin dhe bazuar mbi të kemi bërë dhe kërkesën”, argumentoi kërkesën e PS-LSI juristi Salianji.

Kundër argumenteve të tij ishte përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Ivi Kaso. “Kisha shumë gjëra për të thënë. Qëndrimi i opozitës së bashkuar është bërë i ditur me një material për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur. Që ditën e diel i është bërë i ditur KQZ. Fjala e Salinajit nuk ishte për tu mbajtur në KQZ, por në sallën e Kuvendit, apo në një ambient tjetër. Shpreh mirënjohje dhe për pranimin e krizës së thellë politike që i bëri përfaqësuesi socialist”, deklaroi Ivi Kaso. Më tej ai i ktheu përgjigje edhe kryetarit të KQZ pas një ndërhyrje të tij, ku e cilësoi edhe fjalën e Kasos një fjalim për Kuvend. 

“Janë shqetësime të prekura. I kërkohet mirëkuptim KQZ që të garantohen të drejtat e opozitës. Të drejtat kushtetuese të partive i garanton Kushtetuta. Duhet të bëjmë shumë kujdes kur sjellim këto argumente. Kushtet e opozitës ia krijon Kushtetua dhe ligjet e vendit. Opozita vetëm ato që i garanton Kushtetua, merr. Ajo që mund t’i jepet krizës institucionale, është dialogu dhe gjithëpërfshirja politike. Kjo është një kërkesë, që nuk di të qeshësh apo të qash, apo frymë të ligjit që e mbështet. Ligji thotë se nuk mund të pranohet kur paraqitet më vonë, si pas 60 apo 70 ditësh. KQZ më herët i ka konsideruar këto shkelje. KQZ nuk ka kompetencë për të marrë vendim tjetër. Kjo është shkelje e qartë dhe e pastër e ligjit dhe akrobaci zgjedhore. Refuzoni të zgjidhni problematika që nuk i keni krijuar më parë dhe nuk keni kompetencë”, tha Ivi Kaso në mbledhjen e KQZ.

Salianji pas mbledhjes: Koalicionet afat deri në 29 prill
Ndonëse KQZ u shpreh qartë se nuk mund të merrte asnjë vendim lidhur me kërkesën e dy partive PS dhe LSI për shtyrjen e afatit të regjistrimit të koalicioneve në zgjedhjet e 18 qershorit, përfaqësuesi i partisë më të madhe në pushtet, Eridian Salianji, i qëndroi besnik kërkesës së tij. Pas mbledhjes ai deklaroi se partitë kanë afat deri në 29 prill për të regjistruar koalicionet parazgjedhore. Për Salianjin, gjithçka mund të zgjidhet brenda pak ditëve. Kështu ai deklaroi se pas pak ditësh koalicioni i majtë do të paraqesë kërkesën për regjistrim në KQZ. Sipas tij, në thelb ata nuk kërkuan një vendimmarrje nga KQZ, por të mbajë një qëndrim për shkeljen e afateve për regjistrimin e koalicioneve. Ai u shpreh i bindur se afati për regjistrimin kishte mbaruar në 18 prill dhe i kishin kërkuar KQZ të mbante një qëndrim nëse shkelja e tyre e cenonte procesin. Për mazhorancën fakti që katër anëtarë të KQZ thanë se deri në 29 prill ka mundësi ligjore që procesi të mos cënohet dhe t’u jepet partive e drejta për t’u regjistruar, është domethënës. PS mendon se sipas katër anëtarëve data 29 Prill është afati i fundit për regjistrimin e partive dhe koalicioneve. Përfaqësuesi i PS-së, deklaroi se ishte i bindur për faktin se data 29 prill është afati i fundit për regjistrimin për kandidatët, por në të njëjtën kohë ata shpresojnë se bashkë me kandidatët mund te regjistrohen dhe koalicionet. Pra shpresohet se kandidatëve t’i bashkëngjitet dhe regjistrimi i koalicioneve. Salianji gjithashtu deklaroi se pas disa ditësh koalicioni i majtë do të paraqesë kërkesën pranë KQZ duke shpresuar për regjistrim, pa cenuar procesin.