Zgjedhjet në PD, Patozi tur kundër Bashës në rrethe për të anuluar votimin

503
Në një kohë që Lulzim Basha dhe Eduard Selami, dy kandidatët e vetëm në garë për kreun e Partisë Demokratike kanë nisur fushatën, kundërshtarët e kreut të ngrirë, bëjnë të njëjtën gjë
Prej tre ditësh, kundërshtarët e hapur kundër Lulzim Bashës, kryetarit të ngrirë të Partisë Demokratike, pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 25 qershorit, kanë nisur një betejë të hapur. Të drejtuar nga Astrit Patozi, ata që janë shprehur kundër platformës së Bashës dhe mënyrës se si ai po kërkon të marrë sërish partinë, kanë nisur një turn ë rrethe. Dita e parë ishte në Durrës. Patosi i shoqëruar nga një prej demokratëve të vjetër Besnik Mustafaj, kërkojnë firmën e anëtarëve të PD-së për të larguar Lulzim Bashën nga gara duke i dhënë në këtë mënyrë një goditje të madhe 22 korrikut, datës kur është vendosur të votohet nga anëtarësia për kreun e së djathtës së madhe në vend. Me këtë nisëm janë rreshtuar edhe deputet të vjetër të opozitës së djathtë. Majlinda Bregu, Jozefina Topalli dhe të tjerë, të cilët u lanë jashtë listës së deputetëve për legjislaturën e ardhshme. Të gjithë kanë të njëjtin qëllim largimin e Lulzim Bashës, të cilin e akuzojnë si njeriun që çoi partinë në humbjen e thellë në 25 qershor. Takimet në rrethe vazhduan edhe gjatë ditës së djeshme. Pasi përfundoi në Durrës, Patozi iu drejtua qytetit bregdetar Vlorës. Deri në mesditë u tha se listën e kishin firmosur rreth 170 anëtarë të PD-së, të cilët nuk kanë qenë dakord me platformën e ngritur nga Basha dhe mënyrën se si ai ka drejtuar partinë. Gjatë fjalës së mbajtur para mbështetësve të PD-së, Patozi dhe Mustafaj janë shprehur se gjithçka e bëjnë për partinë dhe për gjithkënd që është pjesë e saj. Ndërkohë Besnik Mustafaj, pas takimit të zhvilluar në Durrës, në një postim në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se në atë takim është njohur me shumë demokrat të viteve ’90-’91, të cilët sipas tij kërkon një frymë të re në drejtim. “Jam plot me besim se PD do t’i rezistojë katastrofës së një procesi zgjedhor të paqenë dhe do të ngrihet mrekullisht për t’i bërë opozitën që meriton kjo qeverisje e rrezikshme e Edi Ramës”, shkruan Mustafaj. Nisma e Astrit Patozit në rrethe erdhi menjëherë pas refuzimit të tij për t’u bërë pjesë e garës brenda Pd-së për kreun e Partisë. Patozi më herët u shpreh se ishte dakord të bëhej pjesë e garës, vetëm nëse Lulzim Basha do të dilte përballë tij i barabartë, pra do të dorëhiqej. Në momentin, kur Basha nuk bëri dorëheqje, Patozi u shpreh se nuk bëhej pjesë e një farse të tillë. Në këtë tur të nisur nga Durrësi, Patozi flet për fatin e Partisë demokratike, në një kohë që nga ana tjetër janë dy kandidatë në garë që bëjnë të njëjtën gjë por me një platformë ndryshe. Lulzim Basha dhe Eduard Selami, janë vënë përballë njëri-tjetrit në këtë duel.
Sigal