Zgjedhjet në PD, ku do votojnë deputetët dhe drejtuesit e forumeve, ja ku do numërohen votat

468
Kreu i Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë Demokratike, Jemin Gjana, tregoi sot se si do të bëhet fushata mes Bashës dhe Selamit, dy kandidatëve për kryesinë e partisë, deri në ditën e zgjedhjeve më 22 korrik.
Në mbledhje u vendos që fushata e dy kandidatëve do të jetë e veçantë, por do të ketë edhe ditë kur së bashku do të jenë në të njëjtën degë.

Gjana shpjegoi se ambientet ku do të kryhet votimi do të miratohen nga Komisioni brenda datës 15 korrik.

“Në selinë qendrore do ngrihet qendra e votimit e degës nr. 2 në Tiranë ku do të votojnë anëtarët e degës, anëtarët e kryesisë, këshillit kombëtar, deputetët ekzistues dhe deputetët e zgjedhur nga 25 qershori. Në çdo qendër votimi do ngrihet një komision që e miraton kryesia e degës. Kryetari i komisionit do jetë kryetari i degës, dy anëtarë të degës dhe nga një përfaqësues i dy kandidatëve. 

Degët e PD janë përgjegjëse për organizimin e takimeve të anëtarësisë me kandidatët sipas një grafiku që do ta dërgojë sekretariati organizativ i PD-së. Listën e votuesve do ta miratojë komisioni qendror elektoral jo më vonë se 5 ditë para ditës së zgjedhjeve. Lista do përmbajë regjistrimin elektronik të përditësuar deri në 28 Qershor 2017. Lista do të përmbajë edhe emrin e çdo anëtari të PD-së që disponon një teserë partie, por që për arsye teknike nuk është në regjistrin e përditësuar elektronik. 

Votimi do bëhet me ID ose pasaportë. Qendrat e votimit do të hapen në orën 08:00 dhe do mbyllen në orën 19:00. Nëse do të ketë anëtarë partie pas kësaj ore, do të pritet deri sa të votojnë të gjithë,” sqaroi Jemin Gjana.
Sigal