Zgjedhjet në Kolonjë, përplasje mes komisionerit të PD dhe vëzhguesit të PS

503
Sigal

Zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie në Kolonjë, që mbahen këtë të dielë, zhvillohen pas atyre për kryebashkiak në Dibër dhe janë një tjetër provë për palët politike, një vit para zgjedhjeve parlamentare të 2017-s.

Procesi i votimit ka nisur në orën 07:00 me hapjen e 36 Qendrave të Votimit. Janë 8 njësi administrative në Kolonjë, ku pritet të ushtrojnë të drejtën e votës 16 mijë votues.

Votimi nisi normalisht, dhe parashikohet të mbyllet në orën 19:00. Procesi ka nisur i qetë, dhe deri më tani nuk ka patur asnjë incident.

ERSEKË, NDËRPRITET PROCESI I VOTIMIT NË QV 4048/1
Rreth orës 12:45 është ndërprerë procesi në një qendër votimi, QV 4048/1. Shkak është bërë përplasja mes komisionerit të PD dhe vëzhguesit të PS.
Ndërkaq, pritet vendimi i KQZ për vijimin e procesit.

PJESËMARRJE E LARTË VOTIMI
Procesi i votimit në 36 qendrat në Kolonjë po vijon si normalisht. Sipas informacioneve që përcjell gazetarja e ‘News24’, Lediona Xheladinaj deri më tani nuk është shënuar asnjë incident, ndërsa rreth 56 forca policie janë të angazhuara për mbarëvajtjen e situatës. Sakaq, raportohet se pjesëmarrja e qytetarëve ka qenë e lartë.

Më poshtë vijojnë disa të dhëna për këtë proces zgjedhor:
– 18 subjekte politike janë regjistruar zyrtarisht në KQZ
– Të regjistruar janë dy koalicione: ai i majtë “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, i drejtuar nga Partia Socialiste dhe që mbështetet nga 5 parti dhe koalicioni i djathtë “Alenca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, i drejtuar nga Partia Demokratike, që mbështetet nga 9 parti.
– Kandidatët e regjistruar në këtë garë elektorale janë dy: Ilia Stefo i PS-së, i mbështetur nga LSI, ndërsa opozita garon me Dritan Hajron, që vjen nga radhët e Partisë Agrare Ambjentaliste.

– Ditën e votimeve do të funksionojnë 36 qendra votimi.
– Bashkia Kolonjë ka 8 njësi administrative
– Procesi zgjedhor do të administrohet nga një komision zonal i administrimit zgjedhor, KZAZ-ja nr. 73
– Në total janë prodhuar 16.181 fletë votimi

Zgjedhjet e parakohshme për kryetar të bashkisë Kolonjë erdhën pas ndarjes së papritur nga jeta të ish-kryebashkiakut, Arben Malo.

KQZ: APEL QYTETARËVE TË MARRIN PJESË NË VOTIM, POLICIA MERR MASA
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u ka bëre apel sot të gjithë qytetarëve të Kolonjës, që të t’i drejtohen qendrave të votimit dhe të shprehin vullnetin e tyre me votë.

Në një njoftim për media, KQZ bën të ditur se “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se ka filluar procesi i votimit në të gjitha qendrat e votimit në Bashkinë Kolonjë. Të gjithë qendrat e votimit janë hapur në përputhje me të gjitha procedurat ligjore të përcaktuara në Kodin Zgjedhor dhe aktet e KQZ-së.

Ndërsa Policia e Korçës bën me dije se ka marrë të gjitha masat dhe ka nisur zbatimin e tyre për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor për kryetar bashkie në Kolonjë.

Sipas një njoftimi për shtyp, agjentët kanë marrë nën ruajtje objektet zgjedhore që prej orës 18.00 te se shtunes, kur kanë mbërritur dhe materialet elektorale.

Gjatë këtij procesi janë angazhuar 65 punonjës policie dhe janë vendosur në dispozicion 11 mjete.

Në Bashkinë Kolonjë jane 36 qendra votimit, të cilat janë marrë nën mbikëqyrjen e policisë e po ashtu edhe 8 njësi administrative, saktësohet në njoftimin zyrtar.

Ndërkohë, në Drejtorinë e Policisë së Korçës është ngritur një grup i posaçëm për mbledhjen dhe përpunimin e informacionit që do të vijë ditën e diele. Autoritetet njoftojnë se situata në Kolonjë sa i takon rendit dhe sigurisë ka qenë e qetë dhe pa probleme.