Zgjedhjet në Dibër, Basha: Sherefedini është njeriu i punës

417
Sigal

Partia Demokratike hapi sot zyrtarisht fushatën elektorale në Dibër, me pjesëmarrjen edhe të kryetarit Lulzim Basha. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, duke kërkuar votën e dibranëve për kandidatin demokrat Sherefedin Shehu, ka premtuar nga Dibra se me PD-në vitin tjetër në pushtet dhe atë kryeministër vjen ndryshimi për vendin.

“PD vitin tjetër është në pushtet dhe mundësitë për realizimin e premtimeve do jenë reale. Nesër ju jap fjalën si kryeministër do mbështes cdo projekt të kryetarit të bashkisë së Dibrës, që do sjellë zhvillim”- tha Basha.

Duke komentuar heqjen e logos së LSI-së, nga xhipat e Doganës me të cilët akuzohet se po behet fushate për kandidatin e shumicës, Basha tha se e vetmja logo që i duhet kandidatit Rama është gjethja e hashashit.

“E dëgjuat se ka hequr logon e LSI nga xhipat e Doganës që ka marrë për fushatë, mirë kanë bërë, ta heqin edhe logon e PS, se xhipat nuk përfaqësojnë as socialistët e ndershëm. Kandidati i tij nuk i përfaqëson dibranet, ta heqë edhe logon e PDIU-së, jo se Dibra nuk ka respekt për camët, se ata ndajnë histori dëbimi, por dega e ullirit nuk bën për xhipat e bardhë, ju e dini se cfarë bime duhet tek ta, kanabisi, hashashi, ajo është emblema e kandidatit të tij, per Ramën e vogël, kandidati kallp, nuk e mbulon dot gjethja e hashashit”- tha Basha.

Ai kërcënoi se kushdo që cënon zgjedhjet dhe votën e lirë të dibranëve do të mbajë përgjegjësi deri më një, ndërkohë që i bëri thirrje ‘cakejve’ dhe ‘kriminelëve’ që sillen vërdallë për manipulim të mbajnë larg duart nga zjarri se do të përvëlohen.

Basha premtoi ndërtimin e Rrugës së Arbërit. “Punët i bitis ai që i nis, ne do e përfundojmë rrugën e Arbrit, ne dhamë para nga buxheti, fatkeqësia e rrugës ishte rilindja, fatkeqësia për Dibrën dhe vendin ishte Rilindja, Rama e varrosi rrugën e Arbrit, si cdo projekt tjetër për vendin, ato që u thotë ju janë gënjeshtra”- tha ai.

Basha ironizoi me vizitën dhe sa deklaroi kryeministri Rama në Peshkopi, duke thënë se ai nuk u tregoi disa të vërteta dibranëve.

“Erdhi në Peshkopi, nuk u kërkoi falje dibranëve, e shau dhe fyeu ish-kryetarin a thua se e gjeti në rrugë, a thua se nuk u bë ai garant me besë burri se ai do rilindte Dibrën, nuk ju tha pse e hoqi Canin nga ministër Financash, ua përsëris, e hoqi se iu bë pengesë për të vjedhur taksat me koncesionin e vëllait të tij, pse u prish projekti me kinezët për rrugën e Arbrit, sepse deshi të caktonte kontraktorin e tij, gjobën e tij”- tha Basha.