Zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, Patozi i përgjigjet Fugës për Bashën: Mos përmend litarin në shtëpinë e të varurit

504
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi ka reaguar lidhur zgjedhjet që po zhvillohen sot brenda Akademisë e Shkencave.
Me anë të një mesazhi në faqen e tij të ‘Facebook’-ut Patozi ka ironizuar kreun e PD-së, Lulzim Basha, sa i takon kërkesës së akademikut Artan Fuga për faktin se opozita duhet të reagojë. Sipas Patozit, litari nuk duhet të përmendet në shtëpinë e të varurit.

MOS I BJER ME QAFË KOT LULZIM BASHËS!
Artan Fuga sot ka shprehur shqetësimin e tij për mungesën e opozitës në debatin për gjendjen e nderë që po kalon Akademia jonë e Shkencave. Duke theksuar përshtypjen negative që i ka shkaktuar ky mosreagim, akademiku rendit një sërë arsyesh që, sipas tij, mund ta kenë yshtur Partinë Demokratike (Lulzim Bashën dmth), të heshtë për këtë çeshtje. Nuk dua të analizoj përfundimet e tij dhe aq më pak të hyj në polemikë me të, por e kam edhe unë nje ide për këtë “mosvëmendje”.

Janë në të gjitha nga pak, Artan, por mendoj se nuk ke përmendur më të rëndësishmen. Akademia e Shkencave do të bëjë zgjedhjet e reja dhe Lulzim Basha nuk flet dot për këtë temë. Po të ishte kohë tjetër, mbase mund ta kishte thënë ndonjë llaf. Sepse nuk përmendet litari në shtëpinë e të varurit.

Vetëm një muaj më parë ai i pesëfishoi votat për kryetar të Partisë Demokratike, sepse i duhej fitore plebishitare brenda llojit, pasi e kishte çuar opozitën drejt katastrofës elektorale.

Ndaj sado të paracaktuara dhe jodemokratike të jenë zgjedhjet në Akademinë e Shkencave ato nuk mund të krahasohen kurrë me votimet ne PD, në të cilat u mbushën masivisht kutitë dhe ku u pa qartazi që dikush mund të votonte edhe 4 herë rresht për të kurorëzuar kryetar Lulzim Bashën.

Ndaj mos e kërko kurrë opozitën (Lulzimin dmth) aty ku nuk mund të jetë, ndërkohë që sado falso të jenë zgjedhjet në Akademinë e Shkencave, dëmi që ato shkaktojnë për vendin nuk mund të jetë asnjëherë më i madh, sesa farsa e shëmtuar zgjedhore e 22 korrikut.
Sigal