Zgjedhjet mund të zhvillohen edhe me 5 anëtarë të KQZ-së

494
Sigal

Ngrin praninë e tij në KQZ edhe anëtari i tretë i opozitës në KQZ, PS-ja nuk jep kandidatura

Dje anëtari i KQZ-së, Jani Jani, i propozuar nga PBDNJ-shi, deklaroi se “ngrin” praninë e tij në KQZ, pra, nuk tha se ikën përfundimisht, por pranoi se nuk do të jetë de facto anëtar i saj,  duke e motivuar si një shprehje solidariteti për kolegët e tij, Biba dhe Shtylla. Kështu, KQZ-ja nga dje ka vetëm 4 anëtarë aktivë. Sipas Kodit Zgjedhor, pas çdo dorëheqjeje, duhet që brenda 48 orëve, partitë politike të paraqesin në Kuvend kandidatura të tjera, jo më pak se 2 kandidatura për një anëtar të KQZ-së.

PS-ja kërkon rivendosjen e normalitetit në KQZ

Kuvendi dje bëri sërish një maratonë debati për KQZ-në, ku secila palë politike lëshonte breshëritë e kritikës, akuzës, e  cila në momente histerie politike, degjeneroi edhe në sharje banale. Personale e familjare, midis deputetëve Sula e Balla. Kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, deklaroi se, PS-ja nuk do të japë më asnjë kandidaturë për anëtarë të KQZ-së, por pret nga maxhoranca që të rivendosë sovranitetin e KQZ-së. Ruçi, duke u vënë maxhorancës në dukje shkeljet ligjore për shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho, u kërkoi: “Jemi këtu për zgjidhje. Por mos prisni, siç më keni kërkuar në emër të grupit parlamentar të PS-së, se zgjidhja vjen nga propozimi formal të dy emrave të përveçëm, si anëtarë të KQZ-së. Kjo nuk është zgjidhje. Prandaj, ne jemi gati. Jemi gati të dakordësojmë çdo veprim tuajin, çdo nisëm tuajën, çdo propozim tuajin, i cili rivendos sovranitetin e KQZ-së. Çdo propozim tuajin që rikthen besimin e qytetarëve shqiptarë te vota e lirë. Çdo propozimin tuaj që forcon besueshmërinë e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s. Çdo propozimin tuaj që nuk komprometon rrugën europiane të Shqipërisë. Çdo propozimin tuaj që nuk sjell në një kurs përplasjeje Shqipërinë me aleatin tonë strategjik, SHBA”.

Zgjedhje pa KQZ?

Me refuzimin e PS-së që të japë kandidatura të tjera për anëtarë të KQZ-së, de facto nuk ka më KQZ. Sepse, me 4 anëtarë nuk mund të funksionojë, edhe juridikisht, KQZ-ja. Maxhoranca nuk mund të pranojë që të rikthehet normaliteti në KQZ, domethënë, që të shfuqizojë shkarkimin e anëtarit të KQZ-së, Ilirjan Muho. Opozita, PS-ja, LSI-ja dhe PBDNJ-shi nuk mund të pranojnë, gjithsesi, që të japin kandidatura të tjera. Zgjidhja tjetër, siç u hodh një mendim nga Eduart Selami, që Kolegji Zgjedhor të propozojë kandidatura të tjera, edhe pse mund të ketë një bazë juridike, në bazë të Kodit Zgjedhor, duket absurde, sepse, duke mos u pranuar nga opozita, kjo zgjidhje, do të duket tentativë e së djathtës për të pushtuar KQZ-në. Dhe një zgjidhje e tillë, përfundimisht, do të hidhte në erë, jo vetëm besueshmërinë e KQZ-së, e të vetë procesit zgjedhor, por do të jepte shkak edhe për një bojkotim të justifikueshëm të zgjedhjeve nga Opozita. Ka edhe një mundësi. Që anëtari i KQZ-së Jani Jani, i cili, deklaroi se ka “ngrirë” praninë e tij në KQZ, pra, as nuk ka dhënë dorëheqjen dhe as do të jetë i pranishëm në KQZ, në çdo moment, mund të rikthehet aktiv në KQZ dhe, kështu, KQZ-ja mund të rifunksionojë edhe me 5 anëtarë.

Vendimtar, roli monitorues i ndërkombëtarëve, për një zgjidhje të konfliktit

Logjika  dhe arsyetimi politik i të dy palëve politike është errësuar nga ethet elektorale, prandaj duket e pamundur që këto të gjejnë një rrugë të mesme e të arrijnë në një konsensus për të kompozuar KQZ, apo për të “rivendosur sovranitetin e saj”, sikurse është kërkesa e Opozitës, e shprehur nga Ruçi. Prandaj, roli i ndërkombëtarëve, do të jetë vendimtar, që maxhoranca dhe opozita  të kapërcejnë ngërçin e KQZ-së. Ardhja në Tiranë  e  Jonathan Moore, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Europës Qendrore e Jugore në Departamentin e Shtetit dhe, sidomos, mesazhi politik i tij i djeshëm, se “…ne duam të shohim KQZ-në të funksionojë. Nëse kjo nuk ndodh, zgjedhjet nuk mund të ndodhin në 23 Qershor”, jep shpresa se palët politike do të logjikojnë për përgjegjësitë politike që mbartin në kontributin që duhet të japin për të zhvilluar zgjedhje me normalitet, të lira dhe me standarde. Ndryshe,  për asnjë palë politike, nuk mund të ketë fitore me rezultat të kontestueshëm të zgjedhjeve të 23 Qershorit.