Zgjedhjet, Meta: Nuk e cenojmë përbërjen e KQZ, është e pavarur!

396
Sigal

TIRANE – Mazhoranca nuk do të ndërmarrë ndonjë nismë për riformatimin e KQZ me qëllim marrjen e kryesisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, duke ia lënë shumicën e anëtarëve, Partisë Demokratike.

Deklarata është bërë ditën e sotme nga Kreu i Kuvendit Ilir Meta gjatë konferencës “Forcimi i pavarësisë së Organeve të Menaxhimit Zgjedhor; Shkëmbimi i përvojave dhe mësimet e nxjerra midis Shqipërisë dhe Sllovenisë”, i cili theksoi në fjalën e tij se tashmë është hequr dorë nga parimi i pashkruar se vetëm mazhoranca duhet të ketë përgjegjësi për procesin zgjedhor.

Sipas Metës, kjo mazhorancë beson në paanshmërinë e institucionit të KQZ si një kusht thelbësor për procesin sa më demokratik të zgjedhjeve. Në këtë drejtim, Kryeparlamentari Meta nënvizoi se mazhoranca qeverisëse nuk e ka cenuar përbërjen e KQZ duke besuar në pavarësinë dhe paanshmërinë e këtij institucioni.

“Për këtë arsye një Komision Zgjedhor i paanshëm është kusht themelor. Kështu me ndryshimet në Kodin Zgjedhor u riformatua komisioni duke futur në risi zgjedhjen e kryetarit, që zgjidhet përmes një procesi transparent. Ligji ka krijuar parimet më të rëndësishme, pavarësinë funksionale. Megjithatë proceset zgjedhore diktojnë edhe sa i përket funksionimin të komisionit. Mazhoranca e sotme nuk ndryshoi formulën e përbërjes së KQZ që mazhoranca duhet të ketë edhe mazhorancën në KQZ, duke besuar tek transparenca e paanshmëria e KQZ që mund të garantojë qëndrueshmëri në zgjedhje. U hoq dorë nga parimi i pashkruar që mazhoranca të ketë përgjegjësi për procesin zgjedhor. Kjo mazhorancë duke besuar se vetëm paanshmëria e komisionit mund të sigurojnë administrimin e procesit zgjedhor garantoi funksionimin e këtij institucioni.” theksoi Meta në fjalën e tij në konferencë. 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u plotësua në fund të muajit të kaluar. Në seancën e 30 janarit Kuvendi i Shqipërisë miratoi 3 kandidatët e propozuar për anëtarë të KQZ, ku Denar Biba dhe Edlira Jorgaqi nga radhët e Partisë Socialiste si dhe Gëzim Veleshnja nga radhët e Lëvizjes Socialiste për Integrim u zgjodhën anëtarë të këtij institucioni.
KQZ ka në përbërje 7 anëtarë, ku kryetarja Lefterie Lleshi, dhe anëtarët Hysen Osmanaj, Klement Zguri dhe Vera Shtjefni vijnë nga radhët e PD, ndërsa tre emrat e miratuar në fund të janarit përfaqësojnë mahorancën, duke ia lënë kështu kryesimin e këtij institucioni opozitës. 

Zgjedhjet, Meta: Thelbësore shkëmbimi i eksperiencave me vendet anëtare të BE
Më tej në fjalën e tij, Kreu i Kuvendit Meta vlerësoi si mjaft të rëndësishme zhvillimin e një procesi zgjedhor konform standardeve më të zhvilluara demokratike, si një kusht
thelbësor i lirive dhe të drejtave të njeriut.

Meta nënvizoi edhe rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave me vendet anëtare të BE-së, mes të cilave edhe atë të Slloveinsë.

“Është e qartë që shoqëria jonë ka bërë hapa të rëndësishëm në rrugën e konsolidimit të demokracisë në vend. Anëtarësimi në NATO dhe statusi kandidat, parimet themelore kushtetuese kanë përcaktuar që zgjedhjet janë e drejtë themelore e popullit. Zgjedhjet demokratike janë thelbësore për konsolidimin e demokracisë në vend. Në këtë aspekt procesi zgjedhor nuk mund të jetë përgjegjësi e institucioneve zgjedhore, por e gjithë aktorëve dhe forcave politike. Adoptimi i parimeve zgjedhore të BE është parim thelbësor i vendit tonë. Në çdo hap të gjithë aktorët e përfshirë në proces duhet të orientohen nga zbatimi i ligjit, si dhe nga njohja dhe vënia në jetë e përvojave më të mira të procesit zgjedhor të vendeve anëtare të BE-së, siç është ajo e Sllovenisë.” u shpreh Meta.