Zgjedhjet lokale/ Kryabashkiakia e djathtë flet hapur: Nuk marr pjesë në zgjedhje

479
Sigal

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ishte e ftuar në “Ditarin” e orës 19:00 në A2CNN, nga ku foli për situatën aktuale politike në vend dhe për hapat që do të ndërmarrë në vazhdim opozita.

Ajo u pyet, ndër të tjera, nëse PD është duke u përgatitur për zgjedhjet vendore të 30 qershorit dhe a do të jetë Ademi kandidate e opozitës sërish për bashkinë e Shkodrës.

A po përgatitet PD për zgjedhjet e 30 qershorit?

“Deri tani, ne kemi vijuar me përgatitjet administrative. Mesa duket po shkojmë drejt limitit të pritshmërisë nga ana jonë kur bëhet fjalë për ndryshime të kërkuara nga qytetarët e Shqipërisë dhe nga opozita. Koha po mbaron dhe në këtë rast ka vetëm një zgjedhje që është zgjidhja që jep opozita e bashkuar duke thënë se ne nuk mund të kemi zgjedhje”.

Por a do të jetë Voltana Ademi kandidate e opozitës nëse zgjedhjet do të mbahen?

“PD nuk do të regjistrohet në zgjedhje. Unë jam një ndër kandidatët e PD. Jam një kryetare e PD, i përkas forcës politike nga e cila unë jam zgjedhur dhe bashkëndaj të njëjtin qëndrim që ka PD. Problemi është më i madh dhe ne flasim për sistemin zgjedhor. Duke qenë kështu, askush nga ne nuk mund të marrë përsipër të bëhet pjesë e kriminalitetit të zgjedhjeve. Nuk bëhet fjalë për individë, por për një popull.

A do të bllokojë PD votimet më 30 qershor?

“Ne do të veprojmë hap pas hapi dhe unë mendoj se gjithmonë ka një rrugëzgjidhje. Edhe sonte unë pres që të ketë një reagim nga Kryeministri dhe qytetarëve duhet t’u jepet një zgjidhje dhe këtë nuk mund ta bëjë PD. Duhet të ketë një ndalim të revanshit të PS që vazhdon të bëjë presion ndaj qytetarëve, ndaj politikës. Edhe sonte ka një mundësi, po ashtu nesër apo pasnesër”.

Por a do të mbështetet PD në rrugën e saj?

“PD nuk i ka artikuluar këto teza. Ne po përpiqemi që në çdo moment të japim fakte. Asnjëri nga ne nuk mund ta mendojmë që ne mund të rrokim armët. PD ka bërë lëvizjet politike dhe këtë do ta bëjmë deri në ditën e fundit. PD nuk dëshiron përplasje fizike. Por nganjëherë ne e kemi të vështirë të ndalojmë njerëzit”./a2news.com