Zgjedhjet, kryeprokurori Llalla takim me zv/kryeministren Ledina Mandija

427
Teksa subjektet politike kanë kaluar javën e parë të fushatës elektorale, drejtuesit e lartë të hetimit në vend janë të shqetësuar për mënyrën se si do të përdoren asetet shtetërore. Pikërisht për këtë qëllim gjatë pasdites së djeshme është zhvilluar një takim mes kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe zv/kryeministres, Ledin Mandija. Mësohet se Mandija kërkoi nga organi i akuzës një bashkëpunim maksimal në ndjekjen me përparësi dhe hetimin e rasteve abuzive, të cilat dëmtojnë zgjedhjet. Me rëndësi sipas saj do të jetë hetimi i rasteve të përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë këtij procesi. Zv/kryeministrja që pak javë më parë zëvendësoi Niko Peleshin si numri 2 i qeverisë, i kërkoi Prokurorit të Përgjithshëm që të hetohet në mënyrë specifike për rastet e përdorimit të pasurive ë siguruara nga veprimtaritë e paligjshme. Me këmbënguljen e Mandijas së shpejti do të nënkshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucionale mes Këshillit të Ministrave, Prokurorisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil për të monitoruar përgatitjet për zgjedhjet e 25 qershorit.
Sigal