“Zgjedhjet i rrezikon pushteti financiar i Berishës”

497
Sigal

INTERVISTA/Petro Koçi, Kryetari i PSV ‘91: “Vendi është në krizë politike,  pavarësisht zbutjes së toneve ndërpartiake”

Petro Koçi, Kryetari i PSV ‘99 në intervistën për “Telegraf”, paralajmëron se zgjedhjet e 2013-s rrezikohen nga shteti financiar i Berishës. Zoti Koçi, thotë se nacionalizmi i Berishës është nacionalizëm nacional. Për vlerësimin historik të Enver Hoxhës, zoti Koçi ka mendimin se duhet kaluar një ndërkohë më e gjatë, për t’u shkëputur nga emocionaliteti politik.

Nacionalizmi i Kryeministrit për “Shqipërinë e Madhe”, i shprehur këto ditë,  i shërben interesave kombëtare?
– Nacionalizmi i Berishës është nacionalizëm elektoral. Ashtu si janë në përgjithësi nacionalizmat. Berishën, në 2005-n, e sollën grekët në pushtet. Besoj, ju kujtohet polemika e ambasadorit grek të asaj kohe me ish kryeministrin socialist, bash në kulm të fushatës elektorale. Reagimet, gjoja nacionaliste të Berishës së sotëm, janë tentativë për të tërhequr votues në një ambient, apo sfond me ndjeshmëri të rritur kombëtare.  Ndërkohë është stërprovuar se interesat kombëtare për Berishën vijnë pas atyre të vetat dhe të PD-së  që ai komandon.
Sjellja e politikës për 100-vjetorin e Pavarësisë, duke patur parasysh edhe se sa dhe si u vlerësuan personalitetet që kontribuuan në Historinë e Shqipërisë,  a mund të shërbejë si pikë referimi në ecurinë e Shqipërisë për të përmbushur aspiratën e integrimit në Familjen Europiane?
– Festimet për 100-vjetorin u karakterizuan nga fushatimi elektoral dhe krahinarizmi. Megjithatë, pati moderacion në trajtimin e diferencave ndërpartiake. Lavdizimi i Zogut dhe rivarrosja e Enver Hoxhës kishin si motiv krahinarizmin dhe jo realizmin politik apo historik. Në fakt po përkujtohet 55-vjetori dhe jo 100- vjetori i shtetit shqiptar. Krimet e Zogut sot qenkan të tolerueshme dhe të justifikueshme! Edhe arratisja e tij dhe lënia në mëshirë të fatit e atdheut qenkan normalitet, kur dihet se me vetë ligjet e Zogut, Zogu do varej në litar për tradhti kombëtare. Megjithatë, ne i pranojmë meritat shtetndërtuese të Zogut. Dhe nuk duhet të harrojmë meritat shtetbërëse të komunizmit. Kjo s’ka lidhje me faljen e krimeve, qoftë të Zogut, qoftë të Enverit. Përsa i përket integrimit, duhet të pranojmë se jemi shumë larg plotësimit të kritereve.
– Si e vlerësoni debatin që hapi Meta për meritat e Enver Hoxhës dhe përse PS-ja trembet që të mbajë një qëndrim politik për rolin e  Enver Hoxhës?
– PS-ja ka zhvilluar një Konferencë Kombëtare në vitin 1991, përsa i përket qëndrimit politik ndaj Luftës Antifashiste Nacional- Çlirimtare, Enver Hoxhës dhe historisë shtetërore 45- vjeçare nën komunizëm. Ai vlerësim nuk ka ndryshuar. Meta i qëndroi vetëm një pjese të atij vlerësimi. Sidoqoftë, duhet pranuar se ka nevojë të kalojë një kohë edhe më e mjaftueshme, për t’u shkëputur nga emocionaliteti politik në vlerësimin e figurës së Enver Hoxhës.  Enveri bëri shtet dhe diktaturë  më shumë se Zogu.

– Derisa PS-ja e kontestoi largimin e Kryeprokurores si veprim antikushtetues, sipas jush, përse nuk e çon çështjen në Gjykatën Kushtetuese?
-PS-ja na shpëtoi nga marrëveshja tradhtare e Berishës për kufirin detar me Greqinë, duke shfrytëzuar Gjykatën Kushtetuese. Kjo ndodhi, sepse çështja kishte dimension kombëtar dhe Gjykata e kishte të lehtë të shkëputej nga influencat qeveritare. Në rastin e gjykimit të mundshëm të çështjes së mandatit të kryeprokurorit, s’do ishte kaq e lehtë. Nuk e di pse nuk e çoi PS-ja në Gjykatën Kushtetuese. Në këtë rast ndoshta duhet pyetur Ina Rama. Ajo e ka hapësirën për ta vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.

– Përse PS-ja për Qarkun e Fierit mban një  qëndrim politik të ndryshëm, nga shkelja e Kushtetutës nga vetë Presidenti i Shqipërisë për largimin e Kryeprokurores?
– Nuk ka qëndrim të ndryshëm, besoj. PS-ja e konsideron me të drejtë jokushtetues shkurtimin e mandatit të Kryeprokurores. Gjykoj, se rrjedhimisht, Grupi Parlamentar Socialist nuk duhet të marrë pjesë në votimin e për emërimin e Prokurorit të ri, pavarësisht vlerësimit mbi figurën e Llallës.
Derisa zgjedhjet e 2013-s janë në qendër të faktorit ndërkombëtar, a mendoni se këto zgjedhje do të jenë të ndershme dhe të qeta?
– Këto zgjedhje mbeten shumë të rrezikuara nga qeveria. Opozita dhe ndërkombëtarët kanë një mision të vështirë , por jo të pamundur për të imponuar proces të lirë dhe të ndershëm zgjedhor. Pushteti financiar i Berishës është faktori nr.1 që rrezikon pastërtinë e zgjedhjeve të 23 qershorit. Ndërkohë, duhet sensibilizuar populli për pjesëmarrje masive e pa mungesa në votime për t’ja dalë mbanë rrëzimit të kësaj qeverie.
Mos vallë incidenti me rishpërndarjen e mandateve nga KQZ-ja e re, shënon fillimin e një fushate zgjedhore të egër?
– Vendi është në krizë politike,  pavarësisht zbutjes së toneve ndërpartiake. Njëanshmëria politike e institucioneve që zgjidhen nëpërmjet Parlamentit, kapja e shtetit nga PD-ja dhe përdorimi i strukturave shtetërore si batalione të PD-së, përbëjnë faktorë të egërsimit të fushatës dhe manipulimit zgjedhor.
– Deri tani nga PS-ja nuk shikojmë asnjë veprim konkret për të bashkuar rreth saj aleatët në zgjedhje. Është ende herët?
– Jemi në kohë për të riaktivizuar Koalicionin “Aleanca për të Ardhmen”. Ne jemi të bashkuar. Nuk jemi ndarë. Jemi gati për veprim!

Statusi eurokandidat  dhe sjellja politike

 –        Ju mendoni se procesi i marrjes së statusit kandidat, do të ndikohet nga votimi ose jo i tre ligjeve?

– Histori e përsëritur. Vazhdon avazi i PD-së. Voton si ja do qejfi për ligjet me 50% të votave dhe PS-ja duhet të votojë si ja ka qejfi PD-së për ligjet me 3/5-at. Në fakt, kësaj radhe nuk është ky problemi i vërtetë. Statusi eurokandidat i një vendi nuk mund të varet nga 3 ligje, por nga zbatimi i dhjetëra ligjeve. U kufizua imuniteti i zyrtarëve të lartë dhe korrupsioni  nuk po tkurret akoma. Përkundrazi, po bën përpjetë nën udhëheqjen dhe mbrojtjen e qeverisë. Varfëria po shtohet, sepse fitimet shkojnë në xhepat e miqve të qeverisë “Berisha”.

– Faleminderit!