Zgjedhjet, Gjata: Politika ra dakord, tashmë gjithçka mund të zgjidhet

161
Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata ka shpjeguar me hollësi se çfarë do të ndodh pas nënshkrimit të marrëveshjes mes dy forcave të mëdha politike. Tashmë që data 18 qershor qershor ka rënë, gjithçka duhet të nisë nga e para. Gjatë një prononcimi për gazetën “Telegraf”, Gjata shprehet se gjithçka mund të zgjidhet me vullnetin e palëve politike, ashtu sikundër u bë edhe me arritjen e marrëveshjes. I pyetur se si do të procedohet pas firmosje së paktit të ri, Gjata deklaron: Nëse ka marrëveshje të ri gjithçka është e mundur të realizohet. Në radhë të parë bëhet rivendosja në afat e regjistrimit të partive politike dhe koalicioneve si dhe dorëzimi i listave. Por një gjë është e sigurt. Tashmë loja sipas Gjatës edhe mund të ndryshojë. Kjo për faktin se në zgjedhjet e ardhshme kanë të drejtën të regjistrohen të gjitha partitë që deri tani nuk patën mundësi të dorëzonin listat e kandidatëve. “Shtyrja e datës së zgjedhjeve i hap rrugën nisjes së procedurave nga e para. Kështu fillimisht duhet të mblidhet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe t’i kërkoj Kuvendit të mblidhet me urgjencë për të bërë ndryshimet e mundshme në Kodin Zgjedhor. Pa këto ndryshime nuk mund të kalohet në procesin e zgjedhjeve. Por ajo që duhet të themi tani është se afatet nuk përcaktohen sikundër ishin më parë, por 70 ditë para datës së zgjedhjeve që është përcaktuar në marrëveshje. E njëjta gjë bëhet edhe për regjistrimin e listave të kandidatëve që duhet të dorëzohen 50 ditë para datës së këtyre zgjedhjeve”, tha Çlirim Gjata. Për të vendimet që do të marrë Kuvendi janë tepër të rëndësishme. Megjithatë Gjata është i mendimit se nëse ekziston vullneti politike, gjithçka është e mundur. Ndërkohë situatën e deritanishme të krijuar nga dy forcat politike dhe deklaratat e ndërsjella që liderët kundërshtarë kanë bërë ndaj njëri-tjetrit, ai i konsideroi thjeshtë politikë dhe kaq. Një rol të rëndësishëm në këtë arritje sipas Gjatës ka faktori ndërkombëtar. “Kanë qenë të gjitha deklarata politike për të cilat askush nuk duhet të shqetësohet. Tashmë politika do të mblidhet në parlament dhe me këshillën e ndërkombëtarëve”, deklaroi Gjata. Por a ka të fituar dhe të humbur nga e gjithë kjo skemë e realizuar nga klasa politike që nga 18 shkurti kur Partia Demokratike ngriti çadrën në mes të bulevardit? “Koha do e tregoj se kush ka fituar nga e gjithë kjo lojë politike. Të realizohen zgjedhjet dhe më pas do të duket se çfarë është arritur dhe kush ishin fitimtarët”, tha Gjata. Që prej momentit kur palët u ndanë në qëndrimet e tyre lidhur me datën e zgjedhjeve dhe KQZ pranoi listat e kandidatëve në 29 prill, mes anëtarëve të saj ka pasur debate të shumta. Përfaqësuesit e zgjedhur nga PD kundërshtonin vendimin për pranimin e listave, ndërsa të majtët të kundërtën. Sot kur kemi një tjetër panoramë të situatës edhe KQZ duket se është më e lehtësuar. Të njëjtin mendim me Gjatën ka edhe anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri. I pyetur nga ana jonë lidhur me ecurinë e tyre, Zguri tha: “ Nëse ka një marrëveshje politikanët e kanë çdo gjë të përcaktuar qartë. Unë nuk do të kisha shumë dëshirë të flisja gjatë në këtë situatë, por tashmë është zbërthyer gjithçka. Ne jemi në pritje të nisjes së procedurave dhe në çdo moment do të zbatojmë vetëm ligjin”.