Zgjedhjet e parakohshme parlamentare/ Forumi në “Telegraf”: Flasin deputeti i PS-së Gjetani: Të paevitueshme. Ish-ministrja Gjosha: E vetmja zgjidhje për të dalë nga kriza. Duka, kryetari i PAA: Të krijohet qeveri teknike. Ndoka, kryetari i PDK: Zgjedhje parlamentare dhe vendore pa Ramën kryeministër

796
Sigal

Zgjedhjet e parakohshme janë një domosdoshmëri për të rivendosur rendin politik

Jakup B. GJOÇA

Opozita pardje deklaroi se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, ndërkohë që nuk do lejojë të zhvillohen pa opozitën zgjedhje vendore. Paralelisht, “opozita e re parlamentare” deklaoi nga seanca plenare, që opozita do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore, edhe pse e di që do të humbasë. Gazeta “Telegraf” ftoi në forumin e vet Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit, Agron Duka, ish ministër i PS-së dhe kryetar i PAA, deputetin e PS-së Gjetan Gjetani dhe kryetarin e PDK-së Nard Ndoka, duke u parashtruar pyetjet:

A mendoni se do të ketë zgjedhje Parlamentare te parakohshme?

Me ç’mënyrë Opozita nuk do lejojë në 30 qershor të mos zhvillohen zgjedhjet e parakohshme?

Deputeti i PS-së Gjetan Gjetani pohon se zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme, si proces për zgjidhjen e krizës politike. Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit pohon se jemi pa rend kushtetues, ministria e BRENDSHME DHE Policia nuk garantojnë dot as Sigurinë Kombëtare, Parlamenti është një teatër i shëmtuar ku deputetët nuk përfaqësojnë më asnjë shqiptar, prandaj zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje e krizës. Agron Duka, kryetar i PAA thotë se zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri për rivendosjen e rendit politik dhe opozita me protesta do të bëjë të pamundur zhvillimin e zgjedhjeve vendore pa opozitën. Kryetari i PDK-së Nard Ndoka shprehet se do të ketë zgjedhje të parakohshme pa Ramën kryeministër dhe nuk do të mbërrijnë situatat politike në skenarë ekstremë.

Klajda Gjosha, ish-ministre e Integrimit: Zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje

Mendoj që zgjedhjet e parakohshme janë e vetmja zgjidhje që vendi ka për të dalë nga kriza politike dhe institucionale. Në këto momente ne po përballemi me një rënie të shtetit ku nuk funksionon më asnjë institucion drejtësie dhe sigurie. Gjykata Kushtetuese dhe ajo e Lartë janë jashtë funksionit. Ministria e Brendshme dhe Policia e shtetit nuk sigurojnë më minimumin e sigurisë kombëtare dhe kanë humbur besimin e qytetarëve. Përgjimet e Prokurorisë të publikuara nga VOA treguan qartë për blerje të votave dhe pushtetit nëpërmjet grupeve kriminale dhe sot e kësaj dite drejtësia shqiptare është e rezervuar të marrë vendim. Bashkëpunimi i krimit me nivelet e larta qeverisëse tashmë po depërton edhe në vetë Bashkimin Evropian ku vende si Holanda po flasin qartë për një mungesë përgjegjësie të qeverisë shqiptare për të luftuar krimin e organizuar. Kuvendi i Shqipërisë është kthyer në një teatër të shëmtuar ku deputetet nuk përfaqësojnë më asnjë qytetar! Në këto momente zgjedhjet e parakohshme janë domosdoshmëri për rikthimin e normalitetit dhe demokracisë në vend! Nuk ka vend sot të diskutojmë zgjedhjet lokale pa zgjidhur problematikën reale që kanë sjellë zgjedhjet e 2017. Qeveria tranzitore për krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe rikthimin e dialogut në vend janë e vetmja zgjidhje.

Agron Duka, Kryetar i PAA: Mospjesëmarrja në zgjedhje, do të jetë protesta e vërtetë e opozitës

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë vetëm një kërkesë e opozitës, por një domosdoshmëri për të rivendosur rendin politik në shoqërinë tonë. Shkatërrimi i ekuilibrave, institucionale dhe politike nga ana e mazhorancës, duke tjetërsuar vullnetin e qytetarëve nëpërmjet asaj që unë kam quajtur simbioza e krimit me politikën, i bënë zgjedhjet një domosdoshmëri jetike vendin. Nisur nga këto premisa, ne si opozitë, bashkë me ato shtresa të shoqërisë që po veprojnë në oponencë me mazhorancën, jemi të bindur se zgjedhjet e parakohshme do të zhvillohen brenda një hapësire kohore 12-mujorëshe. Por, përpara se të shkojmë në zgjedhje, ajo që është edhe më e rëndësishme, është ngritja e një qeverie teknike që të garantojë neutralitetin e zgjedhjeve, si dhe përfundimin e reformës elektorale që do të lejojë hapjen e ‘tregut politik’, duke përmirësuar cilësinë e përfaqësimit dhe të Parlamentit. Në këndvështrimin tonë, mospjesëmarrja në zgjedhje, do të jetë protesta e vërtetë e opozitës. Nëse mazhoranca do të jetë këmbëngulëse në këtë vrap drejt hiçit, dhe në 30 qershor do të prezantohen në kutitë e votimit më pak se gjysma e elektoratit, do të jetë një shenjë e qartë se qytetarët do të bojkotojnë një sistem të rënë. Për të arritur këtë qëllim, ne si opozitë e bashkuar, do të zhvillojmë një fushatë në të cilën nuk do të prezantojmë vetëm alternativën tonë politike, por gjithashtu do të kërkojmë nga çdo shqiptar të mos bëhet pjesë e një farse politike. Marrëzia nuk mund të kthehet në një fenomen kolektiv. Për këtë arsye, do të ngremë grupe pune të cilët në çdo qendër votimi do të kërkojnë mosangazhimin në një proces moralisht jo legjitim. Megjithatë, jemi ende në prill, dhe jam i bindur se përpara 30 qershorit do të gjejmë një zgjidhje, pasi nuk bëhet fjalë për mbijetesën politike të një kryeministri, por për të ardhmen e një vendi. Është momenti që edhe socialistët të reflektojnë dhe të ndërgjegjësohen, pasi pavarësisht propagandës që tjetërson realitetin dhe na demonizon ne si kundërshtarë politikë, ‘një shtëpi e ndarë, nuk mund të qëndrojë në këmbë’.

Nard Ndoka, kryetar i PDK-së: Zgjedhjet e parakohshme pa Ramën kryeministër

Ka një krizë të rëndë që po thellohet nga dita në ditë nga shurdhëria politike e kryeministrit të vendit Edi Rama. Me 30 qershor nuk duhet dhe nuk mund të ketë zgjedhje. Kryeministri është i vendosur për t’i vjedhur ato, për të shkatërruar garën, konkurrencën, alternativat. Opozita është e motivuar dhe ka qytetarët me vete, për të vendosur barazi dhe standarde për të gjithë në zgjedhje. Në këto kushte, më 30 qershor nuk mund të ketë zgjedhje, por ato do të realizohen shpejt dhe rregulla te vendosura me konsensus, pa Ramën kryeministër. Opozita është në të drejtën e vet kushtetuese, për të mbrojtur sistemin nga kapja dhe dhunimi nëpërmjet bandave të pushtetit të Edi Ramës. Partitë politike, aleate të PD-së, që në historinë e tyre elektorale nuk kanë marrë mbi 10 mijë vota (mandati i një deputeti). Ata që tani vetëquhen deputetë të opozitës nuk kanë të drejtë politike as morale të deklarojnë, se përfaqësojnë opozitën apo partinë e tyre në Kuvend. Sot, e djathta është plurale; mozaik vlerash në përfaqësim, idesh, programesh, që në këtë sens plotësohet totalisht spektri politik i qendrës së djathtë. Kush vret veten politikisht; nuk i bëhet as funeral!

Gjetan Gjetani, deputet i PS-së: Zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme

Zgjidhja politike për sa kuptoj unë nuk zgjidhet ndryshe përveçse me zgjedhje te parakohshme. Opozita nuk ka dhënë shenjë tjetër për zgjidhjen e krizës politike, përveçse të arrihet në zgjedhje të parakohshme. Në gjykimin tim, zgjedhjet e parakohshme janë të paevitueshme.