Zgjedhjet e Demokratëve

85

Sokol Olldashi: “Koalicioni i 1 Prillit ktheu Partinë e Punës”

Sokol Olldashi, kandidati për postin e Kryetarit të PD-së udhëtoi drejt Dibrës për të prezantuar platformën e tij për drejtimin e Partisë më të madhe të së Djathtës në vend. Olldashi pati takime intensive me anëtarë dhe simpatizantë në Peshkopi, Maqellarë, Burrel, Bulqizë dhe në Klos. Nga Peshkopia, Olldashi akuzoi Ramën për politikë destruktive që me konfigurimin e ri në Parlament, rrezikon ta kthejë këtë institucion në një qeli paraburgimi. Olldashi tha se në listën e deputetëve të PS-së, janë 30 deputetë me precedentë penalë dhe se koalicioni “Rama-Meta” i 1 prillit, ktheu Partinë e Punës. “Rikthimi në 1 Prill i Edi Ramës dhe Edi Ramës bashkë nuk është gjë tjetër veçse rikthimi i Partisë së vjetër. U rikthyen tek partia mëmë dhe ne kemi domosdoshmërisht nevojë që t’i godasim, siç  kemi goditur Partinë mëmë në vitet ‘90. Edi Rama i 24 Qershorit është i njëjti i 22 Qershorit. Është një prototip politik që kur ka qenë në pushtet ka prodhuar korrupsion, abuzivitet, klientelizëm. Është një prototip politik që në 8 vjet si lider i opozitës u pasqyrua të jetë vetëm një politikan destruktiv dhe së fundmi në listën e paraqitur për deputet ka bërë diçka të pahasur më parë jo vetëm në politikën shqiptare, po kudo: një kriminalizim i skajshëm i forcës politike që drejton. Janë 30 njerëz me precedentë brenda listave të PS-së dhe jo më brenda listave, por brenda Parlamentit të Shqipërisë. Dhe Parlamenti i Shqipërisë nuk është qeli paraburgimi, nuk është vendi, ku rrinë horrat dhe kriminelët”,- tha Olldashi.

Në Bulqizë  dhe Burrel: “Do mbrojmë biznesin nga blloku i shënimeve të Ramës dhe Metës”

 Gjatë bashkëbisedimeve me demokratët në Burrel dhe në Bulqizë, Sokol Olldashi foli për aksionin opozitar të përqendruar në mbrojtjen e administratës dhe mbrojtjen e biznesit nga taksa progresive e Ramës dhe “blloku i shënimeve të Metës”. Në referencë të  paketës për ristrukturimin e PD-së, Olldashi kërkoi kthimin e aktivistëve të Partisë në një institucion të mirëfilltë, duke sjellë në vëmendje se gjatë qëndrimit në maxhorancë PD-ja zbehu  lidhjen me militantët. “Instanca më e rëndësishme në PD, nëse ne duhet të rikthehemi shpejt në shumicë duhet të jetë anëtari i thjeshtë i Partisë, militanti, të cilit nuk i dimë emrin. Në qoftë se, ne nuk institucionalizojmë anëtarin e Partisë si hallkën më të rëndësishme tonën, do të kemi problem serioze” tha ai. Gara brenda PD-së-deklaroi Olldashi në bashkëbisedimet me strukturat e demokratëve në Qarkun Dibër,  është një proces që duhet të fokusohet më shumë në ringritjen e PD-së,  të kësaj strukture gjigante me bilancin e arritjeve më të suksesshme ne vend në këto 23 vite.

Në Mamurras: Rama mashtroi shqiptarët, ende pa marrë mandatin po rrëzon premtimet elektorale.

Sokol Olldashi në Mamurras tha se Edi Rama  mashtroi shqiptarët dhe se ende pa hyrë në zyrën e Kryeministrit, po rrëzon një nga një premtimet elektorale. Duke komentuar deklaratat e Ramës se nuk mund të mbajë premtimin për shëndetësinë falas dhe taksën progresiste, Olldashi tha se ky është një akt i papërgjegjshëm, që nuk ka ndodhur në historinë e politikës botërore që premtimet elektorale të fillojnë të bien ende pa u marrë mandati qeverisës.

Lulzim Basha: “Punësimi on-line i PS-së,  është i paprecedentë”

Kandidati për kryetar i PD-së Lulzim Basha ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e PD-së, në Tropojë, Has, Rrëshen dhe njësinë bashkiake numër 2, në Tiranë. Në fjalën e tij Basha e ka cilësuar mentalitet anti-shtet konkursin e hapur nga Edi Rama, për punësimin e militantëve në uebsite e PS dhe një rast të paprecedentë në botën demokratike. Basha ka paralajmëruar angazhimin e juristëve më të mirë në vend, për të mbrojtur çdo punonjës që do të largohet në mënyrë abuzive nga puna. “PD-ja do të faturojë çdo ditë, përmes një rrjeti juridik, të gatshëm jo vetëm të evidentojmë por të provojmë me fakte para çdo gjykate padrejtësitë e këtyre vendimeve, t’i kthejë ato në konsekuenca ligjore, për rikthim në punë, konsekuenca financiare për dëmshpërblim dhe më pas është detyra jonë t’i kapitalizojmë si konsekuenca politike, për të shkurtuar ditët e kryezullumqarëve”, theksoi Basha. E lindur si parti e vlerave më të larta që gëzojnë kombet demokratike, PD-ja është dhe mbetet sipas Bashës, shpresa e çdo shqiptari. Në platformën e zotit Basha parashikohet që vendimmarrja në PD, të bëhet me pjesëmarrjen e çdo anëtari dhe simpatizanti të kësaj partie, përfshirë jo vetëm zgjedhjen e drejtuesve të partisë por edhe kandidaturat  për drejtues vendorë apo deputetë. “Pika e parë e platformës sime për këtë fillim të ri është që çdo vendim politik apo organizativ i PD-së, të nisë nga anëtarët dhe militantët e PD-së, kudo që ndodhen” Në vizionin e tij për drejtimin e PD-së, Basha ka paralajmëruar një aksion të gjerë opozitar që do të shtrihet nga çdo cep i vendit dhe do të mbledhë çdo individ i cili që sot ka kuptuar se premtimet e maxhorancës së re nuk do të realizohen kurrë.  Krahas kësaj, PD-ja sipas Bashës duhet të ketë gati platformën e saj, për një Shqipëri të zhvilluar dhe evropiane. “PD-ja do të garantojë, që edhe ata të mashtruar të 23 qershorit ta kuptojnë koston e mirëbesimit tek “rilindja” e mashtrimit. Ne do të na kenë mbi kokë ditë për ditë, për t’i kujtuar se kanë premtuar 300 mijë vende të reja pune, se kanë premtuar heqjen e taksës për biznesin e vogël, se kanë premtuar shëndetësi falas për çdo shqiptar. Opozita shqiptare nuk mund të mjaftohet vetëm me kaq, në kushtet e kësaj maxhorance. Ne duhet të jemi gati sot, t’u paraqesim shqiptarëve platformën tonë, se ne jemi dhe mbetemi e vetmja shpresë e Shqipërisë së zhvilluar evropiane”, deklaroi  Basha.

Berisha: “Revanshi të verbon, të bën Enver, por dhe Don Kishot!”

Pasditen e djeshme Kryeministri  aktual Sali Berisha, me anë të një publikimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin social “Facebook”, ka akuzuar kryesocialistin Edi Rama që edhe pse koalicioni i majtë i “Rilindjes”, është fituesi i zgjedhjeve të 23 Qershorit, Rama është vetëshpallur kryeministri i zgjedhur dhe nuk paska nevojë të emërohet nga Presidenti as dhe të votëbesohet nga Parlamenti. “Revanshi të verbon, të bën Enver por dhe Don Kishot! Nga Republika parlamentare tek Republika e Edi Ramës! Të dashur miq, z.Rama ka hapur në selinë mavi, ngjitur me zyrën e tij prej kryetari të PS-së, zyrën e tij të “kryeministrit të zgjedhur”. Në Kushtetutat e vendeve të lira, President apo Kryeministër i zgjedhur njihet vetëm Presidenti dhe Kryeministri që zgjidhen direkt nga populli në periudhën nga dita e fitores së zgjedhjeve deri ditën e inaugurimit në detyrë. Kushtetuta e Shqipërisë dhe e të gjitha Republikave parlamentare dhe Mbretërive konstitucionale të Europës nuk njohin Kryeministër të zgjedhur pasi në zgjedhje të përgjithshme zgjidhen vetëm deputetët kurse vetë kryeministri emërohet nga kryetari i shtetit ose Parlamenti dhe gjithnjë votëbesohet në Parlament. Këto norma themelore kushtetuese, institucionet kushtetuese të vendit, Presidenti dhe Parlamenti nuk ekzistojnë për Edi Ramën me 63 deputetët e tij. Ai është vetëshpallur kryeministri i zgjedhur dhe nuk paska nevojë të emërohet nga Presidenti as dhe të votëbesohet nga Parlamenti. Revanshi të verbon, të bën dhe Enver por dhe Don Kishot! Ndryshim! Përpara drejt të shkuarës! Sb”, shkruan Kryeministri në “Facebook”.