Zgjedhjet e 25 qershorit, Ndoka: Të vegjlit do garojnë nën siglën e PD-së

669
Partia Demokratike duket se ka arritur një marrëveshje me partitë e vogla të së djathtës, për të hyrë në këto zgjedhje të gjithë së bashku, por pa formuar koalicion
Zgjedhjet e 25 qershorit duket se nuk do të jenë edhe aq të lehta për partitë e vogla, të cilat sipas llogarive të bëra pas nënshkrimit të marrëveshjes PD-PS, nuk do të mund të dalin dot më vete për të garuar. Pamundësia për të qenë në një koalicion dhe formula e saktësuar në Kodin Zgjedhor i penalizon partitë e vogla, nëse do të dalin të vetme në zgjedhje. Megjithatë duket se e djathta e ka gjetur gjuhën e përbashkët. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, drejtuesit e partive të djathta zhvilluan një takim me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, i cili i ftoi ato për të garuar në këto zgjedhje në të njëjtën sigël, duke u garantuar në të njëjtën kohë edhe vendet përkatëse në listat e kandidatëve. Fillimisht kryetarët e Partisë Agrare Ambjentaliste Agron Duka ai i Partisë Demokristiane Nard Ndoka dhe kreu i LZHK, Dashamir Shehi, duket se kanë rënë dakord parimisht për të qenë në zgjedhjet e 25 qershorit në të njëjtën sigël me atë të Partisë demokratike. Ata nuk do të regjistrohen më vete dhe në fushatë elektorale do të punojnë për të marrë sa më shumë vota në qarkun ku do të kandidojnë. Mbështetësit e këtyre partive do të japin votën e tyre për partinë Demokratike. I pyetur nga gazeta “Telegraf” kreu i LZHK, Dashamir Shehi pohoi se janë ende në pritje dhe se dita e hënë, sipas tij, është vendimtare për të ndarë përfundimisht, se cili do të jetë fati i tyre në këto zgjedhje. Megjithatë Shehi e ka shprehur edhe më herët, se është më pranë marrëveshjes për të qenë në këtë garë me të njëjtën sigël me PD, kjo për faktin se të vetëm ata penalizohen. Lidhur me këtë fakt ne pyetëm kryetarin e Partisë Demokristiane, Nard Ndoka. 
Zoti Ndoka. Jemi shumë afër datës kur partitë duhet të regjistrohen në KQZ. Partia që Ju drejtoni do të hyjë e vetme në këto zgjedhje, apo nën siglën e PD-së?
Në fakt ende nuk e kemi vendosur plotësisht. Ne kemi afat deri të mërkurën për të marrë një vendim përfundimtar. Ndërkohë them, se parimisht gjithçka është ndarë.
Që do të thotë?
Pra, ne kemi rënë dakord për të qenë së bashku në këtë garë dhe që në listat e kandidatëve të jenë kryetarët e partive të djathta. 

Çfarë mbetet tashmë?
Tashmë mbetet formalizimi i kësaj marrëveshje. Pra që ne të mbyllim këtë fazë duke garuar në të njëjtën sigël me partinë Demokratike. 

Mund të më shpjegosh pak më qartë se si do të veprohet?
Është formula “Dehond”, e cila njihet tashmë edhe në Kod. Është zbërthim i Kodit Zgjedhor. Pra Partitë e vogla nuk regjistrohen të vetme dhe nuk dalin në votim për të garuar me emrin e tyre, por ato bindin mbështetësit dhe anëtarët e tyre që të votojnë partinë me të cilën kanë bërë marrëveshjen. Pra, ne nuk do luftojmë në këto zgjedhje për të marrë vota për partinë tonë, por votat tona do shkojnë për PD-në. 

A është rënë dakord edhe me partitë e tjera të vogla? 
Po parimisht është rënë dakord me të gjitha partitë e vogla të së djathtës. Ne tashmë presim vetëm formalizimin e kësaj marrëveshje. 
Sigal