Zgjedhjet e 18 qershorit – Idrizi kërkon ndryshime në kodin zgjedhor: Koalicionet pas zgjedhjeve

449
Kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, ka zhvilluar një takim me të rinj dhe simpatizantë në Bërzhitë.

Në këtë takim Idrizi, në prani edhe të deputetes Mesila Doda, tha se duhet të bëhet ndryshimi i Kodit Zgjedhor, në mënyrë që koalicionet të bëhen pas zgjedhjeve dhe jo para tyre.

“Sistemi ynë zgjedhor nuk është një sistem ku qytetarët të kenë akses të barabartë dhe të jetë transparent. Do doja t’ju pyesja juve, a e dini se përse Shqipëria është e ndarë në 12 qarqe dhe pse jo në më pak apo më shumë? E dini pse?! Sepse jemi të detyruar që të hyjmë në koalicione dhe prandaj PDIU e ka theksuar që, le të shkojnë të gjitha partitë jashtë koalicioneve. Le të shkojnë përballë qytetarit. Të marrë gjithsecili votën dhe peshën që i takon e më pas të bëjmë koalcionet. Prandaj propozimi ynë është të bëjmë një propocional kombëtar.

Po flitet shumë për votën, transparencën apo numërimin elektronik. Le të kalojmë në numërues jo politik. Ti japim mundësi të numërojnë votat qytetarët, ti japim mundësi atyre që nuk janë pjesë e sistemit politik, të jenë noterë, të jenë mësues apo çdokush tjetër. Është koha dhe ne mund ta bëjmë atë që quhet numërimi elektronik. Kjo që ne po themi dhe çdo gjë tjetër është plotësisht e mundur të bëhet, nëse ekziston vullneti politik dhe politika shqiptare ka treguar në këto 25 vite pluralizëm, që ka qenë jashtëzakonisht e aftë për të prodhuar kriza dhe ka qenë totalisht e paaftë për ti absorvuar këto kriza”- u shpreh kryetari i PDIU-së në takimin me të rinjtë dhe simpatizantët në Bërzhitë.

Gjithashtu Idrizi tha se votat e PDIU-së kanë qenë gjithmonë për reformat më të rëndësishme të vendit, siç është reforma administrative, reforma në drejtësi etj.

Sipas z.Idrizi, vetëm me një pakt kombëtar mund të kalohet kriza aktuale politike.

“Nëpërmjet një pakti kombëtar do të mund të votohet reforma në drejtësi, por do të vijohet edhe me proceset e integrimit. Ky pakt kombëtar do të bëjë të mundur që të gjitha forcat politike të ulen në një tavolinë dhe ti jepet fund krizës politike”, – tha kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet.
Sigal