Zgjedhjet dhe fraksionet, debate të ndezura në kryesinë e PD-së

492
PD ka mbledhur kryesinë për të diskutuar reformimin dhe modernizimin e partisë. Gjithashtu është vijuar edhe me konsultimin për ndryshimet statutore dhe forcimi i rolit të anëtarësisë. Lulzim Basha në fillim të mbledhjes ka folur për analizën e humbjes dhe nisjen e procesit për ringritjen e partisë. Në muajin korrik, kryetari Basha kërkoi sistemin e primareve për zgjedhjet e ardhshme. Gjatë mbledhjes së kryesisë mësohet se ka pasur përplasje mes Jemin Gjanës dhe Valbona Mezinit, ndërsa debati ka rrezikuar të degjenerojë edhe në fjalë fyese. 

Pas përfundimit të mbledhjes, Lulzim Basha ka përjashtuar kategorikisht njohjen e fraksioneve brenda Partisë Demokratike, një propozim i bërë publik nga Astrit Patozi. “Sa kohë të jem unë kryetar i PD, nuk do të ketë fraksione në PD, por hapësirë për këdo që do të kontribuojë për të çliruar vendin nga krimi dhe Edi Rama që bën aleancë me të. Bashkimi do të bëhet rreth vlerave dhe rreth qëllimit të përbashkët që t’u shërbejmë qytetarëve”, deklaroi ai. Basha njoftoi se nga mbledhja maratonë e Kryesisë është dalë me një vendim unanim. “Për të nisur menjëherë një proces analize dhe konsultimi me bazën demokrate, duke përfshirë gjithë simpatizantët, me qëllim forcimin e PD, reformimin, bashkimin dhe përballjen me Edi Ramën dhe qeverinë e tij të dalë përmes tjetërsimit kriminal të vullnetit të shqiptarëve. Procesi do të nisë menjëherë dhe do t’u hapë rrugë ndryshimeve të tjera në parti”, tha Basha. Kryetari i PD shtoi se një grup pune do të punojë paralelisht me procesin e konsultimit me anëtarësinë për ndryshimet në statut. Basha tha se mbledhja e Kryesisë ka qenë e shoqëruar nga debati dhe dialogu, por i quajti “deformime mediatike” lajmet që flasin për përpjekje për përplasje fizike mes Jemin Gjanës dhe Valbona Mezinit.
Sigal