Zgjedhjet, Basha fton Ramën në debat televiziv

413
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka bërë një ftesë publike kryeministrit Rama për një debat televiziv. “Në fushatë do të ketë fishekzjarrë, do të ketë truke, do të ketë gjeste dhe batuta që i ka shumë qejf Edi Rama, vdes për batuta, e dini ju. Të gjitha këto kanë një qëllim të heqin vëmendjen e qytetarëve nga çështjet kryesore që shtrohen për zgjidhje”, u shpreh Basha në mitingun hapës të fushatës elektorale në Fier. Ai shtoi se për punësimin, taksat, shëndetësinë, arsimin, energjinë, bujqësinë dhe pensionet, çdo votues do të bëjë llogaritë dhe do të vendosë me votë më 25 qershor. “Republika e vjetër u shpalos më në fund, e nxori fytyrën e vërtetë, është një komplot i një grushti politikanësh që e përdori politikën siç e do vetë Edi Rama, si lojë shahu dhe qytetarët si gurë shahu. Për ta ky është thjesht një teatër kukullash, një shfaqje për t’i marrë mendjen një populli të tërë, ndërkohë që zhysin duart e tyre në asetet e vendit, në xhepat tuaja, në taksat tuaja dhe ditë për ditë ju varfëroheni dhe një grusht politikanësh varfërohen”, tha Basha. Kreu demokrat shtoi se kjo duhet të marrë fund, pasi Rama premtoi 300 mijë vende pune dhe këtë askush nuk e harron. “Premtoi shëndetësi falas. Premtoi se 97% e shqiptarëve paguanin më pak taksa dhe sot nga mëngjesi deri në darkë merret me gjithçka tjetër, përveçse të japë llogari para shqiptarëve, me gjithçka tjetër, me ekipin tim. Ok e kuptoj që merret, e shan. Shan, sepse ekipi im e frikëson, sepse është ekipi juaj, sepse është ekipi i fitores”, tha Basha. Kryetari demokrat shtoi se e ftonte Ramën për një duel direkt. “E ftoj këtu nga Fieri për një debat televiziv me kandidatin për Kryeministër të Republikës së Re. Edi Rama mund të shëtisësh në Shqipëri duke treguar barcaleta por nuk i çon dot katër javë me barcaleta. Eja në debat, bëj bilancin tënd! Unë bilancin tim! Ti programin tënd! Unë programin tim dhe qytetarët të vendosini me votën e tyre. Ftesën e bëra publike. Po s’e pate dëgjuar po ta nis edhe me shkrim”, tha Basha. Në fushata elektorale në Shqipëri nuk ka pasur asnjëherë një debat televiziv mes dy kandidatëve për kryeministër, që janë edhe drejtues të formacioneve më të mëdha politike.
Sigal