Zgjedhje të parakohshme me opozitën. Mungesa e Kushtetueses favorizon vendimet arbitrare të qeverisë. Pa Gjykatë të Lartë sabotohet lufta ndaj krimit të lidhur me politikën

633
Sigal

Prof. Dr. Paskal Milo, Kryetar i PDS-së, ish ministër i Jashtëm

Rama në këto 6 vite u përpoq të bënte shtet sipas skemës dhe shijes së vet. Unë mendoj që shtetndërtimi dhe qeverisja janë jo stoli, por janë art i politikës, i urtësisë, i ekuilibrit dhe i bashkëveprimit. Për fat të keq, kësaj qeverie i kanë munguar  mjaft nga këto cilësi

Prof. Dr. Paskal Milo, kryetari I PDS, ish ministër i Jashtëm, një nga historianët më të shquar të Shqipërisë, në intervistën për gazetën “Telegraf” thotë se  nuk duhet të na trembin zgjedhjet e parakohshme. Rama bën shtetin sipas skemës dhe shijes së vet.

Prof. Milo, thotë se akuza për mungesën e Gjykatës Kushtetuese i adresohet qeverisë, ndërsa pa Gjykatën e Lartë i bëhet sabotim luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të lidhur me politikën.

Prof. Milo, edhe pse pohon që PDS do të marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit, pohon se ato pa opozitën nuk do të jenë gjithëpërfshirëse. Prof. Milo thotë se jo gjithçka që kërkon opozita është e gabuar, dhe nuk mundet të anashkalohet opozita, duke bërë apel për dialog institucional për gjetjen e zgjidhjes së krizës. Prof. Milo shpreh bindjen e vet, se në qershor nuk do të ketë hapje të negociatave të BE me Shqipërinë.

-Prof. Milo, cilin të besojmë: Raportin e DASH 2018, ku Shqipërinë e cilëson si vendin e trafikimit  ndërkombëtar të kokainës nga Columbia në Europë dhe parajsën e pastrimit të parave të krimit, vendin e zhytur në korrupsion, apo Raportin e KE-së 2019, ku thuhet se Shqipëria ka bërë progres në reformën në drejtësi, në luftën kundër krimit, korrupsionit, etj?

-Duhet t’u besojmë të dy raporteve, sepse ato vijnë nga institucione serioze ndërkombëtare.

– Ato janë në kundërshti për çfarë raportojnë për Shqipërinë..

– Ne duhet të  shikojmë në këto raporte atë çka është e dobishme për të parë  nga pikëpamja e interesave të Shqipërisë. Të mos mohojmë, siç e kemi zakon, kur ka kritika dhe kur ka lëvdata ngazëllehemi si fëmijë. Kjo loja e interpretimit të raporteve ndërkombëtare në Shqipëri është bërë bajate dhe është shumë e vjetër. Nga raportet e DASH patjetër që ata që përgjigjen në Shqipëri për luftën kundër krimit të organizuar apo të korrupsionit, duhet jo vetëm që të mbajnë shënim, por edhe të japim llogari.

– Këndi i vështrimit përputhet me interesat e tyre, apo me standartet demokratike që ata duan që të arrijmë ne shqiptarët?

– Mirë është që edhe ata të nisen gjithmonë nga standartet që duhet të plotësojë Shqipëria, që i janë kërkuar asaj për t’u hapur negociatat, që Shqipëria të radhitet në vendin e duhur si shtet ku funksionon ligji dhe ku luftohet krimi dhe korrupsioni.

Nëse DASH është një institucion prestigjioz i qeverisë amerikane, që flet me një zë, në BE dhe t në KE, ka shumë zëra. Ka shumë influenca që vijnë nga fakti se KE nuk është qeveri evropiane akoma, ka influenca politike, nga vendet prej të cilave vijnë komisionerët. BE,  nuk mendon me një zë, dhe as flet me një zë.

KE ka edhe një handikap.  Puna e tij matet edhe me mënyrën sesi administrohet procesi i integrimit të vendeve kandidate për në BE. Duke qënë se në bilancet vjetore të Komisionit duhet të paraqiten disa arritje, atëhere vetë Hanh dhe Mogherini, kanë nevojë për “suksese”  për t’u shfaqur jo vetëm brenda BE, por edhe në opinion si një institucion që ka patur arritje.

– Prof, nëse Mogherini dhe Hanh do të guxonin  t’u drejtoheshin popullit të tyre në Itali dhe Austri, me këto fjalë suksesi, ndërkohë që në Itali dhe Austri do të mungonin Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, parlamenti do ishte pa opozitë, nëse në Austri e Itali do zhvilloheshin zgjedhje vendore dhe parlamentare pa opozitë, do t’i besonin ndonjë?

– Ne nuk duhet të mohojmë atë progres që është arritur, sepse, nëse ne bëhemi më katolikë se Papa, atëhere ne mundohemi t’i nxjerrim sytë vetes me duart tona. Sa i kemi arritur standartet demokratike, këtë do ta vendosë Këshilli Europian, se KE është një institucion teknik dhe bën vlerësime teknike, ndërsa vlerësimin politik do të bëjë Këshilli Europian. Prandaj të presim pas verës, unë jam i bindur që nuk do të ketë vlerësim politik brenda qershorit.

Për hallet që ka Shqipëria, ata që nuk duhet të mbyllin sytë, nuk janë të huajt, jemi ne, sepse ne  ballafaqohemi me arritjet dhe me mangësitë tona. Komisionerët e BE vijnë për një vizitë, bëjnë një raport dhe shkojnë në shtëpitë e tyre.

Në Shqipëri është bërë sport politik demagogjia dhe mashtrimi, e për  më shumë ka përpjekje që e zeza të bëhet e bardhë dhe e bardha të bëhet e zezë. Nuk ka qëndrime realiste, sepse në mes është lufta për pushtet dhe në emër të këtij pushteti, që kërkohet me çdo kusht dhe me çdo çmim, nxihen edhe ato arritje që mund të ketë Shqipëria, ose bëhen të bardha, si bora edhe ato të nxirra nga punët e këqia që bëjnë qeveritë në Shqipëri.

– Cilat janë ato të zeza që bëhen të bardha dhe të bardhat që bëhen të zeza?

Ka plot, sa të duash.

– Cilat janë?

– Ka ardhur koha, që sa më shumë zëra të flasin hapur, aq më shumë kontribuohet për të gjetur rrugën e drejtë, në të cilën duhet të ecë Shqipëria. Korrupsioni në Shqipëri ekziston në çdo qelizë të shoqërisë, të administratës publike, të drejtësisë, të policisë e kudo. Fakti që ky vend ballafaqohet me çështje korruptive nga më skandalozet, që kanë dalë në dritë kohët e fundit, është një dëshmi e nivelit të ulët të luftës kundër korrupsionit që është zhvilluar këto kohë.

– Atëhere, këto që pohoni Ju, a është edhe një tregues më shumë i dështimit të reformës në drejtësi?

– Patjetër, nëse do të kishim një sistem drejtësie të mirë…

– Akoma nuk e kemi drejtësinë e mirë? Reformën e bëmë, madje, disa e vlerësojnë shumë të suksesshme…

– Sistemi ka qenë i korruptuar deri në maksimum. Po të kishim një sistem të mirë, nuk do të kishim edhe këtë nivel korrupsioni që kemi. Pandëshkueshmëria  është sporti më popullor në Shqipëri. Ndëshkueshmëria duhet të fillojë nga gjyqësori,  Reforma  në drejtësi filloi të ndëshkojë një numër të madh gjyqtarësh dhe prokurorësh, të cilët qartazi u pa që ishin të korruptuar.

Prandaj është pozitive që reforma në drejtësi ka filluar. Është tjetër gjë, ritmet që duhet të ecë më shpejt dhe transparenca që duhet ta karakterizojë atë. Të mbështetim ato gjera që janë pozitive, por nga ana tjetër, të mos mbyllim sytë ndaj përpjekjeve që mund të bëhen për ta devijuar  atë në drejtime të cilat nuk i shërbejnë drejtësisë, vendit dhe qytetarëve. Është e pafalshme që jemi gati 2 vjet pa Gjykatë Kushtetuese, është e pafalshme që nuk funksionon Gjykata e Lartë…

– Kush e ka fajin?…

– Fajin në radhë të parë e ka gjithë politika, sepse nuk nxituan dhe nuk i peshuan mirë hapat dhe afatet për të mos e lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, pa të cilat nuk mund të konceptohet shteti ligjor…

– Ju shikoni një mungesë vullneti nga palët politike, që të mos kemi Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë?

– Unë nuk dua ta besoj këtë gjë, se ka ka përpjekje të ndërgjegjshme për të mos patur Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatë të Lartë, por dyshime kam, sepse mungesa e Gjykatës Kushtetuese i lë hapësirë të lirë shkeljeve të Kushtetutës, Institucionet e njerëzit nuk kanë ku të ankohen. Akuza për mungesë të Gjykatës Kushtetuese ose të hapave sa më të shpejta për ta rikrijuar atë, padyshim që shkon në adresë të qeverisë.

Edhe mungesa e Gjykatës së Lartë është një sabotim që i bëhet luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe lidhjeve të krimit të organizuar me politikën, sepse është Gjykata e Lartë që do të duhet të ndëshkojë ata që janë quajtur “peshqit e mëdhenj”.

Pas premtimeve të bujshme, se peshqit e mëdhenj do të binin në rrjetën e drejtësisë, kanë rënë veçse disa cironka dhe ky është një problem i madh që duhet të shqetësohemi. Shqipëria duhet mbështetur që reforma në drejtësi të mos përfundojë  si mjaft pseudoreforma të tjera, sepse ka të bëjë jo vetëm  me të ardhmen e demokracisë, jo vetëm me ndërtimin e funksionimin e shtetit ligjor, por ka të bëjë edhe me të ardhmen e vetë Shqipërisë, sepse një Shqipëri pa drejtësi është një Shqipëri në kaos dhe një Shqipëri në kaos është një Shqipëri potencialisht në konflikt të madh jo vetëm politik, por edhe social.

– Prof. Milo, ku ndryshojnë zgjedhjet e marsit 1991 me zgjedhjet e 30 qershorit 2019, ku në të dy këto zgjedhje, opozita, për shkaqe të përafërta, nuk mori pjesë?

–  Nuk mund të bëhet një krahasim i tillë, sepse ndryshojnë shumë rrethanat dhe aktorët.

– Po thelbi?

– Mund të kemi një tentativë për të përsëritur  një fenomen të ricikluar, por në kushte e rrethana të ndryshme. Në 1991 PPSH për të dhënë idenë e pluralizmit, mobilizoi rezervat e saj, si organizatat e rinisë, të grave, bashkimet profesionale, frontin demokratik.

Sot çështja është krejtësisht ndryshe, sepse edhe nëse nuk ekziston në parlament PD e LSI-ja, ka mjaft parti të tjera që janë në përputhje me Kushtetutën, që bëjnë jetë politike…

– Është problemi që këto parti a përfaqësojnë gjithë elektoratin?

– Prapë është një handikap. Nuk mund të themi që zgjedhjet e 30 qershorit do të jenë zgjedhje gjithëpërfshirëse. Kushdo që mund ta thotë këtë, gënjen në rradhë të parë vetveten dhe kërkon të mashtrojë edhe opinionin publik, Nëse zgjedhjet do të bëhen me argumentin se nuk shkelet Kushtetuta, unë mendoj se argumenti juridik nuk mund të prevaloj para realitetit të krizës së thellë politike ku ndodhet vëndi.

Ata që pretendojnë se mbrojnë Kushtetutën, e kanë shkelur në rastet e tjera. PDS, në rast se zhvillohen zgjedhjet në 30 qershor, do të marrë pjesë sepse respekton zgjedhjet si institucion kushtetues. Por zgjedhjet pa opozitën nuk mund të jenë zgjedhje normale, nuk mund të jenë zgjedhje përfaqësuese.

Këto, edhe sikur të bëhen, do të lënë nga prapa litarin e Nastradinit, Sigurisht, opozita bëri një veprim tepër tepër  ekstrem, të paprecedent, të pamenduar mirë, e bëri me motive se do të impononte gjatë rrugës me protesta vullnetin e saj politik.

Këto janë llogari të opozitës, që nuk do të thotë se gjithçka është gabim. Kush mendon që brenda  kërkesave që bën opozita, gjithçka është e keqe, nuk është realist. Opozita është  një institucion që nuk mund të anashkalohet. Për fat të keq, kjo është Shqipëria jonë. Nuk mund të sjellim asnjë opozitë demokratike nga Europa, dhe asnjë mazhorancë qeverisjeje të përgjegjshme nga Amerika.

Duhet të gjendet gjuha e dialogut dhe të jepet sa më shpejt zgjidhje problemit. Ne nuk duhet të na trembin zgjedhjet e parakohshme. Ato janë një praktikë demokratike e njohur edhe në Shqipëri. Duhet të ndjekim standartet demokratike që ka Europa për të zgjidhur kriza të tilla.

As PP e Austrisë nuk e kishte kohën për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Ajo nuk ka asnjë vit që fitoi zgjedhjet parlamentare,  mirëpo kancelari shkoi në zgjedhje të parakohshme sepse u bë shkak një skandal i zëvëndësit të tij. Mund të mos i bënte zgjedhjet, zëvendësonte zëvendëskancelarin. Greqia po kështu. Serbia po shkon në zgjedhje të parakohshme e detyruar nga protestat e opozitës.

– Ku ndryshon Edi Rama nga 2007-ta, kur kërkoi shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale për çështjen e çertifikatës, nga Edi Rama në 2019-n që nuk do t’i shtyjë zgjedhjet sepse siç thotë, nuk e lejon Kushtetuta?

Ka një ndryshim thelbësor, për të qenë i saktë. Atëherë ndryshimi i datës së zgjedhjeve u kërkua brenda  institucionit të parlamentit. Sot  kërkohet jashtë institucionit të parlamentit dhe nuk është një ndryshim i vogël.

Pra u kërkua  në mënyrë këmbëngulëse, mbështetur në argumenta, por brenda  institucionit të parlamentit, përmes dialogut dhe kështu u arrit me ndërmjetësimin e Presidentit Moisiu. Unë kam qenë vetë pjesë e ekipit që ka marrë pjesë në dialog dhe në arritjen e kompromisit dhe e di  shumë mirë.

Duhet të ketë dialog dhe sa më shpejt, që të jetë e mundur aq më mirë. Ky dialog të zhvillohet brenda institucioneve e institucione janë edhe partitë politike. Shtetar i mirë është ai që u del përpara proceseve, krizave e jo krizat ta tërheqin zvarrë, siç rrezikon të bëhet në Shqipëri sot.

– Çdo të bënit Ju, po të ishit kryeministër?

– Unë  po të isha në vendin e kryeministrit, do të ndiqja shembullin e Kurz, të Cipras, e të tjerëve, për t’i dëshmuar opozitës që mazhoranca ka vullnetin që të mos i transformojë kostot e opozitës në kosto të Shqipërisë.

Mos vallë kryeministri u trembet sondazheve, se nuk ka më në elektorat votbesimin?

– Sondazhet në Shqipëri në shumicë janë spekulative. Por, me aq sa dëgjojmë, nga ato që përflitet e publikohen raportet mes PS dhe opozitës janë aty – aty. Mirë është që në raste të tilla, kur ka kontestime serioze, dhe kur një pjesë jo e vogël  e elektoratit del në rrugë të shkohet drejt rimatjes demokratike të forcave. Është një situatë që duhet zgjidhur shpejt, ndryshe investohet negativisht në kurriz të stabilitetit politik dhe social të vendit.

– Prof. Milo, ju pajtoheni me termin “Opozitë Rrugore”?

– Jo!

– Ju mendoni që kryeministri Rama në 6 vite që qeveris, përpiqet të bëjë shtet, apo të mbajë pushtetin?

Rama në këto 6 vite u përpoq të bënte shtet sipas skemës dhe shijes së vet. Unë mendoj që shtetndërtimi dhe qeverisja janë sfida shumë serioze e të përgjegjshme që duan urtësi, ekuilibër dhe bashkëveprim. Për fat të keq, kësaj qeverie i kanë munguar mjaft nga këto cilësi.

– Prof. mendoni që Shqipëria është më afër një përplasjeje civile?

– Unë nuk besoj se Shqipëria mund të jetë afër një përplasjeje civile. Qytetarët shqiptarë, të djathtë e të majtë janë mjaft të mençur për të mos u bërë mish për top për partitë politike, që mund t’i nxitin në beteja të tilla idiote për pushtet. Shqiptarët kanë mësuar  nga e kaluara e hidhur jo e largët e tyre. Nuk e besoj. Populli duhet t’u japë një mësim të mirë shkaktarëve të krizave politike e sociale, sepse ato janë fajtorët kryesorë përse Shqipëria është sot në këtë gjendje. Shqiptarët duhet të reflektojnë e të ndëshkojnë ata që i kanë sjellë deri këtu.