Zgjedhje parlamentare dhe vendore në pranverë

496
Sigal

 

Shtohen zërat kritikë të personaliteteve të së majtës kundër keqëqeverisjes së “rilindjes” dhe kreut të saj. Pas Limoz Dizdarit dhe Arta Dades reagon Moikom Zeqo: E ardhmja e vendit në rrezik ! Situata politike e paprecedenta në Europë kërkon si domosdoshmëri zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale

 

Shtohen zërat kritikë të personaliteteve socialistë kundër kryetarit të PS-së

Moikom Zeqo: Zgjedhje parlamentare dhe vendore në pranverë, si domosdoshmëri

Edhe socialistët po zhgënjehen nga qeverisja 6 vjeçare e Rilindjes. Deri tani nuk ka mbajtur asnjë premtim, për rritjen e mirëqenies, përkundrazi, 400. 000 mijë shqiptarë kanë emigruar nga Shqipëria për shkak të papunësisë dhe varfërisë, ndërkohë që qeveria ka dhënë mbi 2500 koncesione oligarkëve, nuk ka mundur të bëjë shtet, përkundrazi, përditë denoncohen fakte të bashkëveprimit të krimit të organizuar me pushtetarët, sikurse janë edhe dosjet 184 dhe 339 të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Limoz Dizdari në “Telegraf”: Kryeministri të japë dorëheqjen

Para disa ditësh, një nga themeluesit e PS-së artisti Limoz Dizdari në një intervistë për gazetën “Telegraf” i kërkoi publikisht kryeministrit Edi Rama që të dorëhiqet, për të mirën e Shqipërisë, por edhe të vetë PS-së, e cila tashmë është tjetërsuar, është një parti ku askush nuk guxon të mendojë ndryshe, të thotë një fjalë kundër Njëshit. Edhe ish ministrja e PS-së Arta Dade, një nga personalitetet socialiste ditët e fundit i ka shtuar kritikat kundër kryetarit të PS-së dhe kryeministrit, duke e akuzuar se është ai që i ka përzgjedhur kryebashkiakët dhe deputetët me rekorde kriminale dhe mban përgjegjësi politike, por edhe se në PS nuk ka më demokraci të brendshme.

Arta Dade: Socialistët e braktisin Rilindjen

Madje, ish-ministrja socialiste Arta Dade tha se socialistët tashmë e kanë braktisur PS-në e Rilindjes dhe në zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të bëhen, do të fitojnë opozita. Ish-ministrja socialiste Arta Dade ka plotësisht të drejtë, duke qenë se në zgjedhjet e 30 qershorit, edhe pse u bënë pa opozitën, shqiptarët i bojkotuan ato, derisa më pak se 20 % e votuesve morën pjesë, ndërkohë që kishte kryebashkiakë që u votuan vetëm 8 % të numrit të votuesve të regjistruar. Kjo dëshmoi se PS-në e ka braktisur në masë elektorati i saj, i zhgënjyer nga mosmbajtja e premtimeve, nga korrupsioni galopant dhe i pandëshkuar, nga lidhjet e politikës me krimin e organizuar, nga kapja e Drejtësisë nga pushtetarët, nga varfëria që përditë po shtohet, ndërkohë që shqiptarët nuk kanë më shpresë se mund të jetohet në Shqipëri, po marrin arratinë nëpër botë.

Moikom Zeqo: Kryeministri ynë nuk merr parasysh të ardhmen e Shqipërisë

Euriditi Moikom Zeqo është i shqetësuar për të ardhmen e vendit. Mungesa e qarkullimit juridik midis dy partive të mëdha është, sipas tij, një rast i paprecedentë në Evropë, që po vendos në rrezik të ardhmen e vendit. Për këtë, ai i shikon zgjedhjet e parakohshme si një domosdoshmëri, e parashikon se qoftë zgjedhjet vendore, ashtu edhe ato lokale, do të mbahen në muajin mars, falë ndërhyrjes së ndërkombëtarëve. Teksa analizon moshapjen e negociatave e refuzimin e Francës, të lidhur sipas tij me shkaqe historike e gjeopolitike, ai ndalet te takimi Rama-Vuçiç-Zaev për “Mini Shengenin Ballkanik”. E quan të gabuar veprimin e Ramës, e veçanërisht qëndrimin kritik të tre krerëve përkatës të qeverive karshi Bashkimit Evropian. “Një akt i tillë, jo vetëm që nuk e forcon perspektivën për në BE, por e minon atë”, thotë Moikom Zeqo dhe thekson gjithashtu për dy qëndrimet e kundërta të Ramës dhe Zaevit pas refuzimit që iu bë dy shteteve, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë për hapjen e negociatave. Sipas Moikom Zeqos, fakti që Zaev mori përsipër përgjegjësitë, e bën atë një politikan vizionar, ndryshe nga Kryeministri ynë, që sipas filozofit, në pseudo argumentet që përdor, nuk merr parasysh të ardhmen e Shqipërisë.