Zgjedhja e Presidentit të ri, replika Rama-Basha

461
Kryeministri pranoi mundësinë që Kreu i Shtetit të jetë nga diaspora, ndërsa shefi i opozitës kërkon leximin e Kushtetutës
Ideja e kryeministrit Rama për një president të ardhur nga diaspora është kundërshtuar nga kryeopozitari Basha, i cili i ka kujtuar shefit të qeverisë Kushtetutën. Në këtë mënyrë edhe zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, që duhet të nisë brenda pak javësh, është përfshirë në debatin politik mes PS-së dhe PD-së.

Ideja e Ramës
Në një intervistë për “dialogplus” media shqiptare në Zvicër Kryeministri Edi Rama është shprehur se Presidenti i ri i Shqipërisë mund të jetë edhe nga diaspora. “Këtë nuk e kam menduar, por faleminderit se më dhatë një ide. Nuk e përjashtoj asnjë mundësi. Kandidati mund të jetë edhe nga diaspora”. Në këtë intervistë Rama është ndalur te situata politike në Ballkan dhe rreziku i ndryshimit të kufijve, mbi rritjen e ndikimit rus, marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë si dhe mungesën e vizionit strategjik të BE-së në rajon. Për klimën politike në Ballkan kryeministri Edi Rama shprehet se, “vetëm Shqipëria ka mbetur oaz stabiliteti dhe që nuk ka arsye të ketë krizë pavarësisht protestës së Opozitës. Nëse mbyllet perspektiva evropiane, nëse dështon anëtarësimi në BE, atëherë në Ballkan hapet debati për kufijtë”.

Reagimi i Bashës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është përgjigjur përmes rrjeteve sociale postimit të kryeministrit Edi Rama, i cili ironizonte edhe me rezolutën e Partive Popullore Europiane. Rama ironizonte opozitën me rezolutën e PPE-së dhe qëndrimin e mbajtur nga Partia Demokratike ndaj kësaj rezolute të votuar në Kongresin e të djathtëve që po mbahet në Maltë. “Ed Mashtrusi, lexo njëherë Kushtetutën e Shqipërisë, pastaj t’i këndojmë rezolutat e Partisë Popullore Evropiane”, shkruan Basha. Postimi i kreut të opozitës, me sa duket i referohet deklaratës së kryeministrit Rama për mundësinë që Presidenti të zgjidhet nga radhët e diasporës.

Procesi
Zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës duhet të nisë gjatë muajit prill, ndërsa mandati i kreut aktual të shtetit përfundon më 24 korrik 2017. Deri më tani ende nuk ka kandidatura të shpallura, ndërsa në tre raundet e para është e nevojshme të arrihen 84 vota për të zgjedhur Presidentin e ri. Në raundin e katërt dhe pestë, për të caktuar Kreun e Shtetit, Kuvendit i mjaftojnë 71 vota. Mazhoranca aktuale ka numrat e kërkuar, ndërsa nga ana e LSI-së është lënë e hapur mundësia për të tentuar gjetjen e një kompromisi sa më të gjerë lidhur me emrin e Presidentit të Republikës. 
Sigal