Zëvendësministrat prishin dietën e Qeverisë

923
Sigal

“QEVERIA NË DIETË”/ Ja e vërteta e shpenzimeve të Qeverisë për të kënaqur aleatët dhe militantët

Në fillimet tij si Kryeministër zoti Berisha u betua se, do të ketë një qeveri në dietë. Ai tha pak a shumë se do të shkurtonte numrin e dikastereve, duke ndërtuar një kabinet të kursyer me vetëm 13 ministra, më të voglin që është parë ndonjëherë të paktën këto njëzet vitet e fundit. Ishte fillimi dhe… si çdo fillim ishte entuziast. 13 dikastere plus një ministër pa portofol, si mund të quhet Genc Pollo, ishte një rast i paprecedent. Mbetej për t’u parë vetëm puna. Sepse populli thotë “Mos i shih gunën, por punën”. Dhe se cila ishte puna, pra veprat e kësaj qeverie, tani që kanë kaluar më shumë se shtatë vjet qeverisje, është folur e flitet aq shumë përditë. Ata që qeverisin thonë se kanë bërë hatanë, kanë bërë këtë e atë, se kjo qeveri ka shënuar rritjen më të lartë ekonomike etj. Opozita mendon të kundërtën. Populli gjithashtu është i ndarë në opinione pro dhe kundër, por nuk dihet se kush janë më shumë, ata që e kundërshtojnë apo ata që e përkrahin këtë qeveri. Kjo do të shihet në zgjedhjet e ardhshme. Sidoqoftë, disa fakte janë kokëforte. Për shembull, kabineti aktual i Berishës do të mbahet mend si kabineti me më shumë ministra. Aktualisht ky kabinet ka 36 zëvendësministra, thuajse 3 zëvendësministra për çdo dikaster. E të mendosh se rroga e një zëvendësministri është afërsisht sa e një deputeti, ndërsa shpenzimet reale ku futen makina, shoferi, benzina, sekretaret, telefonat, etj., shkojnë tre herë më shumë. Pra nëse një zëvendësministër aktualisht merr në dorë rreth një milion e gjysmë lekë në muaj, shpenzimet reale shkojnë mbi katër milionë. Nuk na e nxë goja të përmendim aferat e tjera për të cilat përfliten përditë ministritë tona. Atëherë, si mund të vazhdojë të quhet kjo një “Qeveri në dietë”? Zëvendësministrat erdhën vazhdimisht duke u shtuar, pasi Kryeministri vazhdimisht ka menduar për aleatët në koalicion dhe për aleatët e ardhshëm. Por në kabinetin aktual ka edhe zëvendësministra që nuk kanë fare parti. Sepse edhe për ata mendon qeveria. Duhen ata për një arsye a për një tjetër, ndoshta se mund të hapin telashe po nuk u dhe ndonjë post, ndoshta se janë sherrxhinj të lindur, ndoshta se zemërohen dhe kalojnë në krahun tjetër. I fundmi që iu bashkëngjit vargut të gjatë të zëvendësministrave ishte kreu i demokristianëve, Nard Ndoka. Më përpara ishin ata të partisë së çamëve që ishin futur. Por nga aleatët, listët e kryeson padyshim LSI-ja. Nuk po flasim për CV-në e këtyre zëvendësministrave, par aftësitë dhe intelektin e tyre. Këto lexuesi mund t’i marrë me mend duke lexuar listën e plotë të zëvendësministrave që po botojmë në këtë faqe. Nuk po llogarisim këtu drejtorët e pafundme të drejtorive brenda dikastereve dhe zëvendësit e tyre. Nuk po llogarisim as ushtrinë e këshilltarëve, të ndihmësve dhe zëdhënësve të ministrave që marrin rroga thuajse sa të zëvendësministrave. Nuk po llogarisim as institucione të tjera të pavarura nga dikasteret dhe të varura nga qeveria, drejtorët e të cilëve marrin rroga marramendëse dhe kanë organika të fryra me militantë partiakë…

________________________________________________________

ZËVENDËSMINISTRAT E QEVERISË “BERISHA”:

1. Selim Belortaja – Zëvendësministër i Punëve të Jashtme-LSI

2. Edith Harxhi – Zëvendësministre e Punëve të Jashtme-PD

3. Iva Zajmi – Zëvendësministre e Brendshme-PD

4. Ferdinand Pone – Zëvendësministër i Brendshëm-PD

5. Nard Ndoka – Zëvendësministër i Brendshëm-PDK

6. Arjan Starova – Zëvendësministër i Mbrojtjes-BLD

7. Ekrem Spahiu – Zëvendësministër i Mbrojtjes-PLL

8. Zana Xhuka – Zëvendësministre e Mbrojtjes-PD

9.EdmondHoxha – Zëvendësministër i Integrimit-LSI

10. Grida Duma – Zëvendësministre e Integrimit-PD

11. Nezir Haldeda – Zëvendësministër i Financave-PD

12. Alfred Rushaj – Zëvendësministër i Financave-PD

13. Ermal Dobi – Zëvendësministër i Drejtësisë-PD

14. Brikena Kasmi – Zëvendësministër i Drejtësisë-PD

15. Sokol Dervishaj – Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës-LSI

16. Neritan Alibali – Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës-PR

17. Enno Bozdo – Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës-PD

18. Ylli Manjani – Zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transportit -LSI

19. Adriatik Alimadhi – Zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transportit-BK

20. Ernest Noka-Zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transportit-PD

21. Nora Malaj – Zëvendësministre e Arsimit dhe Shkencës-LSI

22. Halit Shamata – Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës-PD

23. Ardian Tana – Zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës-PDIU

24. Filloreta Kodra – Zëvendësministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta-LSI

25. Kastriot Sulka – Zëvendësministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta -PD

26. Albert Gajo – Zëvendësministër i Shëndetësisë -PD

28. Ndoc Fasllia – Zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit -PD

29. Tokli K.Thomaj – Zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit -LSI

30. Dashnor Bajaziti – Zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve -PR

31. Nikollë Lesi – Zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve -ADK

32. Suzana Turku-Zëvendësministre e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve -PD

33. Abaz Hado – Zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve -PDIU

34. Arben Demeti – Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave -AD

35. Taulant Bino – Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave -PD

36. Auron Meneri – Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave –PD

______________________________________________________________________________________

FLASIN PËR “TELEGRAF”

Bashkim Fino

Në një prononcim për “Telegraf”, deputeti i PS-së dhe ish-Kryeministri i Shqipërisë, Bashkim Fino, i pyetur për “dietën” qeveritare,  u përgjigj: “Është një truk politik nga Kryeministri Berisha, kur deklaron se, qeveria është në dietë ekonomike. Shikoni shpenzimet për luksin e qeveritarëve, të cilët harxhojnë miliona lekë, për të (ri)mobiluar zyrat e tyre. Por a mund të pretendojë Kryeministri se qeveria bën dietë ekonomike, kur ka rreth 40 zv/ministra, të cilët as ata nuk e dinë se me ç’punë merren në qeveri. Këta zv/ministra janë 40 këmbët e Berishës që të qëndrojë në pushtet, duke u bërë qejfin aleatëve të  tij politikë, për t’i mbajtur në vathën e  maxhorancës. Vetëm shpenzimet e rrogave të zv/ministrave janë mbi 4 milionë lekë të reja, të cilat, sigurisht, paguhen nga taksapaguesit shqiptarë, në vend që këto miliona lekë të përdoren në arsimin e shëndetësinë publike”.

Kozara Kati

Aktivistja e Shoqërisë Civile, Kozara Kati, thotë për “Telegraf” se, është mirë që në raste të tilla, deklaratat të ballafaqohen me faktet konkrete. Në qoftë se deklarohet fjala vjen se kemi: “Qeveri në dietë”, atëherë le të bëhen transparente shifrat e shpenzimeve për ministrat, zëvendësministrat etj.. A duhen kaq shumë zëvendësministra? Nuk e di. Por e drejta është që edhe për këtë të ketë transparencë. Transparenca dhe llogaridhënia publike flet më shumë se gjithçka për ndershmërinë e një qeverie. Sidoqoftë, janë instancat politike dhe njerëzit me pushtet që duhet ta bëjnë këtë. Shoqëria civile mund dhe duhet të kërkojë transparencë nga qeveria dhe qeveritarët, kur vëren hije dyshimi dhe shpërdorim të fondeve publike. Sepse është fakt i pakontestueshëm që këta zyrtarë dhe qeveritarë paguhen dhe mbahen me paratë e taksapaguesve shqiptarë.