Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, takon reporterët e Komisionit të Venecias

485
Sigal

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, znj. Vasilika Hysi, priti sot në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, delegacionin e reporterëve të Komisionit të Venecias. Anëtarët e delegacionit të pranishëm në takimin me znj. Hysi ishin znj. Veronika Bilokva, zëvendëspresidente e Komisionit të Venecias; z. Jorgen Steen Sorensen, anëtar i Komisionit; z. James Hamilton, ish-anëtar zëvendësues i Komisioni dhe znj. Artemiza-Tatiana Chisca, shefe e Departamentit për të Drejtat Themelore dhe Institucionet Demokratike në Komisionin e Venecias. Reporterët gjenden në Shqipëri për një qëndrim 2-ditor, në kuadër të vizitave për mbledhjen e të dhënave të nevojshme për përpunimin e opinionit zyrtar të Komisionit të Venecias lidhur me projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 84/2017, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”, nismë e deputëve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe grupit parlamentar të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në fjalën e saj znj Hysi, vlerësoi rolin  dhe  kontrubutin e Komisionit  të  Venecias në reformën në drejtësi dhe për disa nisma të tjera ligjore të miratuara ose që janë në procedurë parlamentare, përfshirë edhe nismën në fjalë. Gjithashtu, ajo informoi për procedurën e ndjekur deri tani nga Mbledhja e Përbashkët e Këshillit të Legjislacionit dhe të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut lidhur me shqyrtimin e nismës dhe bërjen e njohur të saj për zgjedhësit; për procesin e prezantimit dhe konsultimit të nismës me përfaqësues të botës akademike, të shoqërisë civile, profesioneve të lira, biznesin, pedagogë dhe studentë  të ligjit dhe shkencave politike në universitetet e vendit.

Znj Hysi bëri një paraqitje të përmbledhur të risive të reformës në drejtësi në fushën e parandalimit, hetimit dhe dënimit të veprave penale të korrupsionit dhe të lidhjeve të funksionarëve të lartë me krimin e organizuar, goditjen e pasurive që burojnë nga veprimtari kriminale, përshirë veprat  penale të korrupsionit, ndryshimet në ligjin për deklarimin e pasurive, nën Kodin Penal dhe atë të Procedurës Penale.

Reporterët e Komisionit të Venecias në takimin me znj. Hysi kërkuan të mësojnë më tepër lidhur me: mekanizmat ligjor ekzsitues, që kanë sferë të njëjtë veprimtarie me mekanizmat e parashikuar në kërkesën ligjore të opozitës; rolin e KQZ-së, Kuvendit e posaçërisht Këshillit të Rregullores dhe Mandatet në Kuvend në rastet e kufizimit ose heqjen e mandateve të deputetëve; precedentët e mëparshëm të procedurave të heqjes së mandatit për një deputet të Kuvendit të Shqipërisë. Për reporterët e e Komisionit të Venecias, me interes ishte ecuria e procesit të vetting-ut dhe të dhënat e tij të para.

Të pranishmit kërkuan të dinë nëse  ka një qëndrim nga ana e mazhorancës lidhur me nismën ligjore të Opozitës. Në këtë pikë, znj. Hysi i bëri me dije delegacionit se mazhoranca ishte në pritje të opinionit të Komisionit të Venecias dhe se marrja e opinionit nga Komisioni i Venecias është vendim i mbledhjes së përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe komisionit parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Znj. Hysi shprehu vullnetin për nxitjen e zbatimit  të reformës në drejtësi dhe për fillimin sa më shpejt  nga funksioni të organeve të reja të sistemit të drejtësisë.

Sipas agjendës paraprake, delegacioni i Komisionit të Venecias u takua me përfaqësues të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, anëtarë të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut; me z. Edmond Spaho, kryetar i grupit parlamentar të Partisë Demokratike dhe me z. Petrit Vasili, kryetar i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim.