Zëvendës Kryeministrja Senida Mesi zhvillon takime dhe inspektime në Bashkinë Fushë-Arrëz

715
Zëvendës Kryeministrja e Republikës së Shqipërisë Senida Mesi ka vizituar Fushë-Arrëzin ku është takuar me Kryetarin e Bashkisë Fran Tuci, Kryetarin dhe Anëtarë të Këshillit Bashkiak, ish-kandidatin për deputet për Qarkun Shkodër Paulin Luli, si dhe drejtues të njësive vendore e drejtorive të ndryshme të kësaj bashkie.

Gjatë takimit, Znj. Mesi duke bashkëbiseduar për sfidat që paraqet kjo bashki, është ndalur konkretisht tek Reforma në Shërbime Publike dhe ecuria e procesit të deregulimit, si pjesë e vendosmërisë së qeverisë shqiptare për të lehtësuar ndjeshëm barrën burokratike mbi qytetarin dhe sipërmarrjen.

Brenda këtij kuadri, Zëvendës Kryeministrja Mesi është shprehur në lidhje me krijimin e mundësisë së hapjes së një zyre me një ndalesë (one-stop-shop) në Fushë-Arrëz me anë të rrjetit të ADISA (Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara), ku banorëve të kësaj bashkie t’u shërbehet konform standardeve për marrjen e lejeve apo çdo dokumentacioni në vendin ku jetojnë dhe duke u kursyer atyre kohë e kosto për marrjen e shërbimeve të ndryshme. 

Znj. Mesi ka zhvilluar gjithashtu një vizitë pranë shkollës 9-vjeçare “Pjetër Arbnori”, shkollë e rikonstruktuar në muajin Shtator të viti të kaluar, si rrjedhojë e një investimi të qeverisë shqiptare prej 32 milion lekësh. Mësimdhënia në këtë shkollë tashmë jepet sipas standardeve më të mira në arsim. 

Në kuadër të vizitës në Bashkinë Fushë-Arrëz, Zëvendës Kryeministrja Senida Mesi ka zhvilluar edhe një inspektim në rrugën e fshatit “Fushagji”, rrugë e rëndësishme e cila lidh fshatin me qytetin. Kjo rrugë e rikonstruktuar para një muaji me një investim të qeverisë shqiptare prej 60 milion lekësh, i ka lehtësuar jetesën afërsisht 1500 banorëve të fshatit. 
Sigal