Sigal

New York, SHBA – Në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), Republika e Shqipërisë ka prezantuar për herë të parë “Raportin Vullnetar Kombëtar” (VNR) për progresin e arritur në zbatimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDGs).

ZëvendësKryeministrja e Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi prezantoi raportin kombëtar të  rrugëtimit të vendit tonë drejt arritjes së këtyre objektivave universale të OKB-së, njohur ndryshe si “Axhenda 2030”, axhendë e cila përbën një angazhim universal të miratuar me konsensus nga të gjitha vendet anëtare të OKB-së që në vitin 2015-të, me anë të së cilës synohet ndërmarrja e veprimeve konkrete me qëllim çrrënjosjen e varfërisë, mbrojtjen e planetit, sigurimin e barazisë gjinore dhe garantimin që çdo popull të gëzojë paqe e prosperitet.

Në prezantimin e saj, ZëvendësKryeministrja  Mesi nënvizoi faktin se raporti vullnetar i Shqipërisë është reflektim i një angazhimi gjithëpërfshirës i aktorëve të ndryshëm dhe është bazuar në një proces të mirë-integruar.

Në lidhje me masat që vendi ynë ka ndërmarrë për arritjen e këtyre objektivave universale, Znj. Mesi nënvizoi faktin se vendi ynë i ka dedikuar sinergji të madhe kombëtare duke filluar me punën e Komitetit Ndër-Ministerial që zbaton dhe monitoron strategjitë kombëtare në lidhje me Objektivat; aprovimin unanim në Parlament të rezolutës për avancimin e tyre; nënshkrimin vitin e kaluar nga 25 universitete publike e private të një marrëveshjeje mirëkuptimi në drejtim të një roli më aktiv të tyrin; miratimin nga Këshilli Kombëtar i Shoqërisë Civile të deklaratës publike për zhvillimin e mëtejshëm të “Axhendës 2030”; si dhe angazhimin serioz të sektorit privat gjithashtu.

Në lidhje me “Axhendën 2030”,  ZëvendësKryeministrja Mesi theksoi se axhenda është në linjë të plotë me integrimin evropian të Shqipërisë, duke i cilësuar të dyja këto procese si të pandashme dhe madje përforcuese ndaj njëra-tjetrës.

Ndër të tjera, Znj. Mesi vuri në pah edhe dy histori suksesi të Shqipërisë, atë të Programit të Rilindjes Urbane dhe Reformimit të Sistemit të Drejtësisë, dy histori që kanë sjellë rezultate të prekshme dhe konkrete në jetën e çdo qytetari shqiptar.