Zëvendës Kryeministrja Senida Mesi, pjesëmarrëse në Ministerialin e SIGMA-s në Paris

746
Zëvendës Kryeministrja Senida Mesi përfaqësoi Shqipërinë në Paris në Ministerialin e SIGMA-s “Mirëqeverisja publike – ofrimi i shërbimeve ndaj qytetarëve dhe bizneseve”, konferencë e organizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), ku morën pjesë përfaqësues të rëndësishëm të institucioneve evropiane, anëtarë të ndryshëm të përfaqësive diplomatike dhe vendet partnere të SIGMA-s. 
E pranishme në panelin me temë “Si duhet të transformohen administratat publike në kohë sfiduese për ofrimin e shërbimeve?”, Zëvendës Kryeministrja Mesi u ndal tek reforma në administratën publike dhe shërbimet e ofruara për qytetarët shqiptarë.
Gjatë fjalës së saj, ajo theksoi se kjo reformë është një ndër objektivat kryesore të qeverisë shqiptare dhe se po zbatohet duke pasur në qendër dhe gjithmonë parasysh qytetarin. Ndër të tjera,Znj. Mesi shtoi: “Jemi më se të përkushtuar dhe do të vazhdojmë të punojmë mbi këtë reformë si një ndër prioritetet kyçe të BE-së dhe do të përmirësojmë më tej shërbimet për qytetarët në mënyrë që të jenë sa më efiçiente, transparente dhe të standardizuara”. 
Në kuadër të kësaj konference, Znj. Mesi zhvilloi takime dypalëshe me Ministrin e Informacionit dhe Administratës së Maqedonisë DamjanManchevski dhe Ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë së Kosovës Besim Beqaj. Në fokus të takimit me ministrin maqedonas ishte reforma në administratën publike dhe mirëqeverisja, si dhe u shkëmbyen eksperiencat e deritanishme mes dy vendeve në lidhje me digjitalizimin dhe ofrimin e shërbimeve “on-line”. Ndërsa me Ministrin Beqaj, Znj. Mesi dakordoipër të zgjeruar hapësirën e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e inovacionit, si një fushë kryesore e së ardhmes!
Në kuadër të SIGMA-s, Zëvendës Kryeministrja Mesi u takua gjithashtu edhe me Znj. SabineThillaye, Kryetare e Komisionit për Çështjet Evropiane në Asamblenë Kombëtare të Francës. Gjatë takimit, Znj. Mesi, duke nënvizuar përpjekjet e mëdha të vendit tonë për sa i përket progresit në rrugëtimin evropian, ndau me Znj. Sabinepritshmëritë e larta që ekzistojnë për vitin që vjen në lidhje me çeljen e negociatave me BE-në. 
SIGMA (Mbështetje në Përmirësimin e Qeverisjes dhe Menaxhimit) është një iniciativë e përbashkët e OECD dhe BE, e cila ka fokus kryesor forcimin e themeleve të përmirësimit të qeverisjes publike, dhe në këtë mënyrë të mbështesë zhvillimin socio-ekonomik nëpërmjet ndërtimit të kapaciteteve në sektorin publik, rritjes së qeverisjes horizontale dhe përmirësimit të dizajnit e zbatimit të reformave në administratën publike. 


Sigal