Zëvendës kryeministrja Mesi: “Standardizimi dhe digjitalizimi i procesit të inspektimeve”

598
Sigal

Në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) pranë Kryeministrisë, nën drejtimin e Zëvendëskryeministres së Republikës së Shqipërisë Znj. Senida Mesi u prezantua sot “Rregullorja e re e Inspektoratit Qendror, për përcaktimin e procedurës së inspektimeve si një proces i rregullt Administrativ”, aktivitet në të cilin ishin të pranishëm Kryeinspektori i Përgjithshëm Z. Shkëlqim Hajdari dhe kryetarë e përfaqësues të dhomave të biznesit vendas e të huaj. Në lidhje me këtë rregullore, Zëvendëskryeministrja Mesi nënvizoi faktin se ajo ka për qëllim kryesor standardizimin e proceseve të inspektimeve nga inspektoratet e ndryshme, digjitalizimin e tyre, si dhe kryerjen e inspektimeve të bazuara në rrezik. “Ne kemi qëllim që të kemi një trupë të inspektimit, që ka objektiv standardizimin dhe formalizimin e ekonomisë nëpërmjet këshillimit, lënies së detyrave e kontrollit të tyre dhe JO penalizimin e tyre”, u shpreh zvkryeministrja Mesi, e cila u ndal tek reforma në inspektorate, si një reformë që është aktualisht në proces, duke e vendosur atë në spektrin e gjerë të reformave gjithëpërfshirëse të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare, e cila ka angazhimin e përkushtimin e plotë ndaj çdo qytetari, sipërmarrësi e partneri ndërkombëtar për të bërë një reformim tërësor dhe transformues të administratës publike. “Falë kësaj, ne synojmë të rrisim performancën e administratës publike, të përmirësojmë shërbimet ndaj qytetarit e biznesit, si dhe të ulim korrupsionin e rrjedhimisht të rrisim besimin e publikut”, – nënvizoi ndër të tjera Zëvendës kryeministrja Senida Mesi. Teksa takimi vazhdoi në formën e një bashkëbisedimi me përfaqësuesit e dhomave të tregtive të cilët ndanë opinionet e mendimet e tyre për ndryshime të mundshme ligjore apo masa që nevojiten të merren në vijim për uljen e barrës ndaj çdo sipërmarrjeje, Znj. Mesi kërkoi gjithashtu mbështetjen e biznesit në denoncimin e çdo praktike korruptive që cenon apo pengon zhvillimin e mëtejshëm të sipërmarrjes.