Zëri i Amerikës: Policia nuk gjen dot policin që plagosi gazetarin në protestë

624
Sigal

Kryeministri Rama deklaroi në TV FRANCE 24: Nuk është lajm dhuna ndaj gazetarit në protestë

Fakti: Policia e Shtetit në protestën e 26 majit 2018, ushtron dhunë ndaj protestuesve, sa për pak i rrezikoi jetën një qytetari, duke e goditur në send të fortë në kokë. Protestuesi në atë moment, siç u dha live nga televizionet, nuk kishte në dorë asnjë send, që mund ta përdorte kundër policisë së Shtetit, nuk ushtroi asnjë dhunë fizike ndaj policisë së Shtetit, sa mund të rrezikonte jetën e policëve. Policia e Shtetit, sipas ligjit, në raste të tilla, ka detyrë vetëm të mbikëqyrë dhe në asnjë rast, të mos përdorë çfarëdo dhune, kur protesta është paqësore.

Kryeministri: Dhuna policore ndaj protestuesve nuk është …lajm

Protestuesi i plagosur në kokë u dërgua menjëherë në spital. Në kësi rastesh, derisa çdo gjë u transmetua edhe live nga televizionet, duhej të vepronte menjëherë prokuroria, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Policisë duhet të gjente se cili është polici që ushtroi dhunë ndaj protestuesit, përse e goditi me sende të fortë në kokë, pa asnjë shkak. Mirëpo, as prokuroria nuk filloi hetimin, as Policia e Shtetit, as ministria e Brendshme nuk ndërmorën as hetime, ndërkohë që, kryeministri Rama, në një intervistë në televizionin francez FRANCE 24, pyetjes së gazetares për dhunën e ushtruar nga Policia e Shtetit ndaj gazetarit, u përgjigj, se kjo nuk përbën lajm!!!

Ligji shkelet nga institucionet shtetërore në dëm të të drejtave të Njeriut, drejtësia hesht, ndërsa kryeministri justifikon dhunën. Që këtu kuptohet sesa pak zbatohen standardet demokratike, e drejta kushtetuese e qytetarëve për të shprehur fjalën e lirë, e drejta kushtetuese për të protestuar i lirë.

“Zëri i Amerikës”, kritikë Policisë së Shtetit pse nuk evidenton policin dhunues

Në Shqipëri mundet që pushteti ekzekutiv të nëpërkëmbë të drejtat kushtetuese të qytetarëve, mundet që kryeministri të deklarojë publikisht se ky dhunim i të drejtave kushtetuese të qytetarëve nga institucionet shtetërore nuk përbën lajm, mundet që edhe drejtësia të heshtë edhe në kësi rastesh kaq flagrante të dhunimit fizik të qytetarëve protestues nga Policia e Shtetit, për të dëshmuar varësinë e saj nga pushteti ekzekutiv, mirëpo, “Zëri i Amerikës”, një nga mediat më prestigjioze në Botë, I kushtoi një reportazh investigativ, duke ngritur shqetësimin, përse ende Policia e Shtetit nuk ka gjetur policin që dhunoi gazetarin.

Ja botimi i “Zërit të Amerikës”

Në Shqipëri Komisioni parlamentar i Medias zhvilloi sot një seancë dëgjimore me kryeredaktorin e gazetës Rilindja Demokratike, Bledi Kasmi i cili mbeti i plagosur gjatë protestës së opozitës më 26 maj pranë Ministrisë së Brendshme. Gazetari Kasmi deklaroi se ai u godit disa herë nga një prej pjesëtarëve të forcave speciale që kishin krijuar një kordon mbrojtës pranë ministrisë, ndërsa po tentonin të sprapsnin manifestuesit. Kasmi u shpreh, se gjendej si gazetar dhe se sipas tij, goditja kishte qenë e qëllimshme, pasi anëtari i forcave speciale që e qëlloi u shkëput nga radha e dytë e forcave të policisë dhe më pas u tërhoq dhe korridori i policëve sërish e mbuloi atë për të mbuluar aktin e dënueshëm dhe barbar të asaj goditjeje nga ana e tij.

Policia ka premtuar verifikimin e rastit por ende nuk ka një rezultat.

Pas fjalës së kryeredaktorit të RD-ës, anëtarët e Komisionit u përfshin në debate të ashpra dhe në shkëmbime replikash të forta politike. Përfaqësuesit e opozitës akuzuan policinë për akte të dhunshme, ndërkohë që deputetët e shumicës u shprehën se Kasmi nuk kishte qenë si gazetar në protestë. Ata sollën në kujtesë dhe ngjarjet e 21 Janarit 2011 ku mbeti i plagosur në dorë nga një e shtënë arme një gazetar. /VOA.