Zëri i Amerikës/ Në pesë vitet e fundit janë paguar mbi 102 milionë dollarë për shkarkimet e padrejta nga puna

413
Sigal

Urdhrat e Gjykatave për pushimet e padrejta nga puna, të pazbatuara në Shqipëri

Urdhrat e Gjykatave për largimet e padrejta nga puna zbatohen në nivele të ulëta në Shqipëri. Vendimet gjyqësore për largimet e padrejta nga puna si në administratën shtetërore edhe atë vendore mbeten në pjesën dërrmuese të pazbatuara në Shqipëri. Sipas Raportit Vjetor 2018 të Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil, të sapo-publikuar, pjesa dërrmuese e vendimeve të formës së prerë të gjykatave nuk janë zbatuar, ndonëse ligji parashikon që çdo institucion detyrohet të marrë masat e nevojshme për ekzekutimin e menjëhershëm të vendimit gjyqësor. Raporti i Komisionerit vlerëson që në pesë vitet e fundit të dhënat flasin se vetëm për shkarkimet e padrejta nga puna nga Ministria e Financave janë paguar mbi 102 milionë dollarë “në institucionet e administratës shtetërore janë ankimuar pranë Gjykatave Administrative 609 akte administrative përmes të cilave janë larguar ose liruar nëpunës civilë, nga të cilat janë zgjidhur me vendim të formës së prerë vetëm 389 raste, nga të cilat për 80 raste është rrëzuar ankimimi. “Aktualisht,-vlerëson raporti,- janë ekzekutuar vetëm 100 vendime gjyqësore ose 32% e tyre dhe kanë mbetur për t’u ekzekutuar 209 vendime gjyqësore të formës së prerë ose 68% e tyre”. Edhe në institucionet e vetëqeverisjes vendore, ku përfshihen 61 Bashki dhe 12 Këshilla e Qarku sipas raportit janë ankimuar pranë Gjykatave Administrative 323 akte administrative, nga të cilat zgjidhur me vendim të formës së prerë 214 raste ndër to 62 ankimime janë rrëzuar. Raporti vlerëson se janë ekzekutuar vetëm 62 vendime gjyqësore ose 41% e tyre dhe kanë mbetur për t’u ekzekutuar 90 vendime gjyqësore të formës së prerë ose 59% e tyre.. Raporti vlerëson se edhe shqyrtimi në gjykatë i ankimimeve për lirimet e padrejta nga puna ka rezultuar të zgjasë mbi 3 vjet. Raporti i Komisionierit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil flet edhe për proceset e rekrutimit në administratë. Sipas Raportit nga 1592 pozicione pune që janë mbikëqyrur, janë konstatuar 960 raste të emërimeve në detyrë në përputhje me kërkesat e ligji dhe 357 raste të emërimeve të parregullta, që zënë 22% të pozicioneve të punës pjesë e shërbimit civil.

Shqipëri: Shkarkimet e padrejta nga puna thelluan dëmet në Buxhetin e shtetit

Shpenzimet për ekzekutim të vendimeve gjyqësore për largim nga puna shënuan gjithashtu vlera të larta gjatë vitit 2018 në Shqipëri. Të dhënat nga portali joqeveritar “Open Spending.Albania”, që i referohen pagesave të kryera nga Thesari i Shtetit pranë Ministrisë së Financave, flasin për 2.595 transaksione të kryera nga janari i 2018-s deri në fund të dhjetorit në vlerën e rreth 13,8 milionë dollarëve. Shpenzimet u përkasin institucioneve shtetërore dhe njësive të qeverisjes vendore dhe u përgjigjen pagesave për zyrtarë që kanë fituar gjyqet pranë Gjykatës Administrative të Apelit të Tiranës për shkarkim të padrejtë nga puna. Vitit 2018 shënoi një rënie të lehtë të shpenzimeve për këtë kategori në raport me vitin 2017, ku ishin shpenzuar rreth 14,4 milionë dollarë. Në pesë vitet e fundit të dhënat flasin se vetëm për shkarkimet e padrejta nga puna nga Ministria e Financave janë paguar mbi 102 milionë dollarë. Rekordin e shënon viti 2014 që pasoi zgjedhjet parlamentare të vitit 2013 në Shqipëri kur nga Buxheti i Shtetit u paguan për vendimet gjyqësore rreth 32 milionë dollarë. Analistët e pavarur vlerësojnë se në vend ekziston ende hendeku midis kuadrit ligjor e politik dhe zbatimit të tij në administratën publike.