Zëri i Amerikës: Kryeministri Zaev paralajmëron zgjedhje të parakohshme

485
Sigal

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev pas një dite jo të plotë vendosi të flasë për dështimin e marrjes së datës në Këshillin Evropian dje në Bruksel. Ai nuk fshehu emocionet ndërsa tha se vendit të tij iu bë një padrejtësi e madhe. “Ne tha ai, i realizuam të gjitha zotimet, por Bashkimi Evropian nuk reflektoi ndaj premtimeve të bëra. Bëmë reformat, zgjidhëm problemet me fqinjët ndërsa BE-ja nuk iu opërmbajt fjalës së dhënë”, u shpreh zoti Zaev.

“Ajo që Bashkimi Evropian nuk arriti të marrë vendim për hapjen e bisedimeve me ne, është një gabim historik dhe këtë e vërtetuan të gjithë drejtuesit evropianë”, tha Zaev, duke theksuar zhgënjimin dhe zemërimin e madh. Ai tha më tej se vendimi i BE-së është bërë për shkak të problemeve të brendshme të pazgjidhura, të cilat Maqedonia e Veriut nuk mund t’i ndryshojë.

Ai megjithatë ndjen përgjegjësi para qytetarëve dhe paralajmëron:

“Drejtohem para jush dhe qartazi porosis: Ëndrra evropiane për maqedonasit, shqiptarët, serbët, vllehët, turqit, romët, boshnjakët e të tjerët që jetojnë në vendin tonë – nuk do të rrënohet”.

“Prandaj propozoj organizimin e shpejtë të zhgjedhjeve të parakohëshme. Zgjedhje, sa më shpejtë që të mundet”, u shpreh kryeministri Zaev, por pa dhënë ndonjë datë të mundëshme se kur do të ndodhte kjo.

Këtë propozim ai do ta ngrejë në takimin e nesërm që ka thirrë presidenti Pendarovski me drejtuesit e partive të pushtetit dhe opozitës. Zaev tha se qytetarët e kanë në dorë vendimin: “për të shkuar në rrugën e drejtë të vlerave demkratike dhe evropiane, të zhvillimit dhe mirëqenies, apo në rrugën e errët të izolimit, nacionalizmit, ndarjeve dhe konflikteve, që është rruga e cila të kthen prapa”.

Opozita, si maqedonase edhe ajo shqiptare me muaj të tërë kanë kërkuar zgjedhje të parakohëshme, ndërkohë, Bashkimi Demokratik për Integrim nuk e ka mbështetur këtë ide, për shkak mundësisë së regresit nga reformat dhe proceset integruese, siç janë shprehur shpesh zyrtarë të saj.

Edhe një pjesë e analistëve vlerësojnë se zgjedhjet e parakohëshme do të ndalonin përparimin e reformave të nisura dhe do t’i merrnin Maqedonisë së Veriut një kohë të çmuar për arritjen e standardeve të kërkuara evropiane. /Voa/