“Zëri i Amerikës” godet Xhafajn dhe Tahirin: Familjarët e tyre janë dënuar për trafikimin e lëndëve narkotike

558
Sigal

“Zëri i Amerikës” i ka kushtuar një hapësirë të veçantë aksionit të fundit të Policisë së Krujës, e cila së fundmi arrestoi 3 persona të dyshuar për kultivimin e 2 mijë e 80 bimëve narkotike. Referuar këtij aksioni dhe problemit të kultivimit të kanabisit në mbarë vendin, VOA ka marrë prononcimet e dy gazetarëve të kronikës, Armand Bajrami (Abc News) dhe Klodiana Lala (News 24). Dy gazetarët shprehen njëzëri se Policia e Shtetit duhet t’i kushtojë më shumë vëmendje kultivimit të kanabisit në terrenet e mbyllura teksa shtojnë, se zhdukja e këtij fenomeni është një ndër sfidat më të mëdha të shtetit. Në fund të kronikës përmenden edhe faktet se se familjarët e dy ministrave të punëve të brendshme janë të pandehur apo të dënuar për trafikim të narkotikëve nga drejtësia italiane. Kujtojmë disa ditë më parë, ambasadori Lu paralajmëroi se ish-ministri Saimir Tahiri do të lirohej nga masa ‘arrest shtëpie’ teksa përmendi se gjykatësve të apelit u ishin ofruar para dhe u ishin bërë presione nga qarqe të ndryshe. Raportimi i “Zërit të Amerikës”: “Prania e këtyre parcelave të reja nxjerr në dritë faktin që dukuria e kultivimit të canabisit është ende i pranishëm në territorin shqiptar dhe nuk është zhdukur krejt, e vazhdon në përmasa më të vogla. Kemi një zhvendosje të kultivimit të canabisit nga zonat e njohura si hotspote në zona të tjera ku vëmendja e policisë është më e ulët se sa në të parat” – thotë Armand Bajrami, reporter i televizionit ABC dhe analist i jetës kriminale në vend. Në 5 muajt e fundit janë gjetur vetëm 23 parcela me afro 2 mijë e 500 bimë narkotike, plus edhe 800 ca bimë në kubikë. Policia thotë se ka kryer rreth 70 mijë kontrolle dhe ri-kontrolle të territorit, në ambiente të hapura, ish-objekte ushtarake, sera, magazina e shtëpi të braktisura. Reporterët dhe analistët e kronikës së zezë kanë këndvështrimin e tyre për këtë dukuri kriminale mbizotëruese në dekadën e fundit: “Sa u përket shifrave të personave të proceduar dhe të hetuar për këtë vepër kriminale mund të them se bëhet fjalë për 12 mijë e 700 persona në arrest me burg, arrest shtëpie apo nën masa të tjera sigurie për akuzat e trafikimit dhe kultivimit të drogave. Shifrat e këtij viti ende nuk kanë dalë ende”– tha Klodiana Lala. Kontrollet nga ajri prej Guardia di Financias kanë filluar më herët sivjet, dhe nga 29 fluturime kanë dalë 17 raporte monitorim ajror, ku nuk është gjetur asnjë bimë narkotike: “Rrezik evident është zhvendosja e bimëve narkotike nga terrenet e hapura, si ka ndodhur deri tani, në vende të mbyllura, në kushte artificiale, në tunele të harruara nga ushtria.”– tha zoti Bajrami. Policia ka ngritur disa qindra grupe, që po kryejnë disa mijëra kontrolle çdo ditë dhe veç Krastës, kanë gjetur një parcelë në Nikël të Krujës dhe një tjetër në Frashër të Përmetit, ku u asgjësuan 1,800 bimë narkotike dhe u kap një person në flagrancë. Policia ka zbuluar 21 mijë fara kanabis në 15 kontrolle, dhe kapi personat përgjegjës. Forcat shqiptare po bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë informacion me partnerët ndërkombëtarë, për të goditur edhe grupe kriminale që veprojnë jashtë Shqipërisë. Opozita përmend si shembuj faktin se familjarët e dy ministrave të punëve të Brendshme janë të pandehur apo të dënuar për trafikim të narkotikëve nga drejtësia italiane.