“Zëri Amerikës”: Paralizohet jeta universitare në Shqipëri

537
Sigal

Jeta universitare në Shqipëri është paralizuar. Studentët e universiteteve publike në Tiranë dhe qytete të tjera po vazhdojnë bojkotin e studimeve prej afro 6 javëve, duke vazhduar protestën qysh nga ditët e para të dhjetorit me 8 kërkesa ekonomike dhe akademike. Krahas ndërprerjes së studimeve dhe tubimeve të ndryshme, studentët po vazhdojnë protestën me ngujime ditën dhe natën në mjediset e brendshme universitare. Zyrtarët pohojnë se pranë sekretarive studentët mund të gjejnë shpjegime për vendimet e fundit të qeverisë. Por studentët thanë se asnjë nga vendimet e dhjetorit të qeverisë nuk plotëson asnjë nga 8 kërkesat e tyre, ku spikatin dyfishimi i buxhetit për arsimin, përgjysmimi i tarifave, karta studentore dhe anti-korrupsioni në arsim. Sipas tyre, thelbi i kërkesave është shfuqizimi i ligjit për arsimin e lartë si shkaktar i krizës, pikërisht atë që qeveria e vlerëson si një nga sukseset e saj më të mëdha. Sipas “Zërit të Amerikës”, pamjet tregojnë protestën dhe bojkotin tek Fakulteti Filologjik dhe ai Ekonomik, por gjendja është e ngjashme edhe te Fakulteti i Drejtësisë, i Mjekësisë, i inxhinierive etj. Protesta dhe bojkoti po zhvillohen ngjashëm edhe në universitetet e Shkodrës, Durrësit dhe Elbasanit.