Zemërim dhe përplasje, kriza futet në një fazë të re

494
Sigal

Mediat më të mëdha europiane e theksojnë se zemërimi po bën që në shesh të zbresin mijëra njerëz. Ky zemërim po përballet me reagimin e qeverisë që vazhdon të derdhë me shumicë gaz lotsjellës ndaj protestuesve. Koha për politikë duket se ka mbaruar. Tani po flet forca

Pamjet e protestës së të shtunës bënë xhiron e botës. Opozita ia kishte dalë sërish të mobilizonte mijëra njerëz në shesh, në një ditë me shi, por që nuk e zbehu vendosmërinë dhe zemërimin. Jo më kot, që nga EuroNews dhe deri te ZDF e theksojnë se njerëzit po dalin në protesta të nxitura nga zemërimi. Përplasjet me policinë, e cila sërish nxitoi për të përdorur gazin lotsjellës në sasi të shumta, shoqëruar me fjalimet politike të këtyre ditëve nga palët, tregojnë se në vend politika ka ‘vdekur’. Tashmë palët po provojnë forcën në shesh.

Shenjat e një ere të re revolte?

Masiviteti i madh, por edhe vendosmëria për të mos u tërhequr ishin disa nga elementet që shënjuan ndoshta një hap të ri të protestave të opozitës, të nisura në mënyrë të vazhdueshme që nga 21 shkurti i këtij viti, që pas djegies së mandatit të deputetëve të opozitës. Protesta i pati të gjitha, përplasje me policinë, kundërpërgjigjen e saj me gaz lotsjellës në sasi tepër të madhe, duke sjellë problem edhe te qytetarët brenda banesave të tyre dhe më pas nisja e arrestimeve dhe “terrorit” post-protestë. Në total janë proceduar 61 persona, ndërsa 37 janë vënë në pranga. Mes personave që po ndiqen penalisht është edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi. Të arrestuarit akuzohen për dhunë ndaj policisë, kundërshtim të punonjësve të Policisë dhe prishje e qetësisë publike. “Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka arrestuar 37 shtetas, për veprime të dhunshme mbi institucionet kushtetuese, mbi Policinë dhe për shkatërrimin e pronës shtetërore e private gjatë zhvillimit të protestës së opozitës nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ditën e djeshme para Parlamentit”, thuhet në qëndrimin zyrtar të policisë së kryeqytetit. Por përtej reportit të kronikës, politikisht diçka është vënë në lëvizje dhe era duket se po fryn në favor të opozitës. Situatën në Shqipëri e kanë ndjekur mediat e mëdha prestigjioze botërore, një pjesë e së cilës transmetuan “live” protestën e opozitës. Artikulimi se në situatën aktuale vendi po përgatitet për zgjedhje të parakohshme ka qenë kryefjala e disa gazetarëve të huaj, që po përcjellin në çdo detaj atë që po ndodh në vend. Nga ana tjetër, qeveria reagoi ashpër nëpërmjet ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, që akuzoi opozitës për thirrje antikushtetuese, ndërsa kryeministri Edi Rama u mundua ta injorojnë revoltën masive dhe të merrej qëllimshëm me detaje pa rëndësi thelbësore.

Revolta e vendosur

Ndonëse një mot me shi, mijëra protestues mbushën sheshin para kryeministrisë pasditen e së shtunës dhe pas fjalëve që mbajtën liderët opozitarë, turma në konfrontime me policinë theu kordonët e parë dhe në shenjë simbolike qëlloi muret e kryeministrisë me bojë të zezë dhe domate. Në atë shesh gjithçka vijoi me hedhje shashkash, tymuese dhe më pas reagimi i policisë me gaz lotsjellës. Epiqendra e revoltës pas kryeministrisë u zhvendos para Parlamentit ku pati konfrontime shumë më të ashpra ndërmjet protestuesve dhe punonjësve të policisë. Për rreth dy orë u shënuan disa incidente dhe zyrtarisht është theksuar se pesë punonjës policie kanë mbetur të plagosur lehtë dhe gjithashtu edhe 15 protestues u dërguan në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Sipas policisë, punonjësit janë lënduar me mjete të forta. Nga ana tjetër organizatorët e protestës theksojnë se 15 qytetarë u asfiksuan nga përdorimi në masë i gazit lotsjellës. E gjithë protesta u mbyll pa incidente të rënda, por me disa lëndime të kalueshme nga të dyja palët. Fryma që mbeti pas duket se ka ekzaltuar disi opozitën dhe shqetësuar seriozisht kundërshtarët politik. Më shumë se masiviteti në protestë, ishte vendosmëria pjesëmarrësve kundër qeverisë.

Reagimet politike

Si në çdo protestë tjetër, edhe këtë herë kryeministri nuk ndodhej në Tiranë. Ai ose zgjedh të vizitojë një qytet në jug të vendit, ose krijon në çdo formë një takim jashtë vendit për të qenë sa më larg kur poshtë zyrës së tij protestohet. Nuk dihet nëse kjo është një taktikë për të mos nxitur turmën, apo një formë për t’u ruajtur dhe drojë e madhe nga reagimi qytetar. “Nëse kjo ishte protestë e madhe atëherë filxhani është shkencë, Saliu është astronom dhe pakica është shumicë! Në fakt kjo s’ishte as e madhe, as e denjë po thjesht e turpshme për PD – LSI! Këta humbës të pashërueshëm po rrisin çdo ditë faturën që do u presë Sovrani në 30 qershor”, shkroi Rama ditën e djeshme në rrjetet sociale. Nuk ka munguar as qëndrimi i kryedemokratit Lulzim Basha, i cili shprehet se fati i qeverisë së lidhur me krimin dhe bandat, është rrëzimi i saj. Ai theksoi gjithashtu se PD do vijojë të jetë në krah të njerëzve që janë ngritur tashmë kundër atyre që i kanë vjedhur dhe dhunuar për vite me radhë. “Ne jemi deri në fund në krah të njerëzve që janë ngritur kundër qeverisë-bandë që, bashkë me krimin dhe oligarkët, ka vjedhur dhe dhunuar shqiptarët, ka shkatërruar demokracinë dhe shtetin ligjor dhe po kërcënon të ardhmen europiane te Shqipërisë! Fati i qeverisë-bandë është rrëzimi i saj! Krerët e kësaj bande i pret burgu që sot e kanë mbushur me protestues të pafajshëm!”, shkruan Basha, duke iu referuar arrestimeve dhe shoqërimeve të shumta një ditë pas protestës. Ndërsa më i ashpër ka qenë qëndrimi i ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj. “Sapo vizitova policët e plagosur në Spitalin e Traumës. Pasojë e një protestë të dhunshme, të maskuar nga nata dhe maskat e vërteta, si ato që përdor jo rrallë krimi. Mirënjohje për punonjësit e Policisë shqiptare. Solidaritet me fëmijët, bashkëshortet, nënat dhe familjarët e tyre”, shkruan Lleshaj. Ndërsa një mesazh e veçoi enkas për kundërshtarët politikë, që i paralajmëroi se do të mbajnë përgjegjësi ligjore. “Organizatorët dhe ekzekutorët e dhunës, kanë sulmuar jo vetëm institucionet kushtetuese dhe Policinë, por edhe qetësinë e qytetarëve, rendin publik dhe imazhin e vendit dhe për këto do të mbajnë përgjegjësi ligjore, publike dhe politike. Dhuna nuk është opsion!”, përfundoi ministri Lleshaj.