Zef Preçi: Shqipëria, jo përfitime nga TAP-i

346
Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) rrezikon të mbetet thjesht një rrugë kalimi në vendin tonë, duke mos sjellë përfitime në fazën e shfrytëzimit. Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, thotë se veç efektit të punësimeve në fazën e ndërtimit, Shqipëria, ndryshe nga shteti grek, nuk ka vendosur kushte shfrytëzimi në marrëveshjen ndërshtetërore. “Mungesa e këtyre parashikimeve në marrëveshjen bazë të nënshkruar përpara më shumë se 10 vitesh e bën të vështirë negocimin nga qeveritë e sotme të mundësisë së përfitimit. Në fazën e shfrytëzimit, vende të tjera, për shembull Greqia, kanë vendosur kushte për volumin e gazit të lëngshëm i cili duhet të mbetet në territorin e vendit nga kalon si burim për furnizimin, gazifikimin për qëllime industriale dhe për qëllime familjare. Për fat të keq edhe në këtë pikë pala shqiptare nuk ka negociuar dhe nuk ka një parashikim në marrëveshjen përkatëse që do t’i krijonte mundësi shtetit shqiptar që të mund të përfitonte për këtë shkak”, u shpreh Preçi. Një problem tjetër që ngre Preçi është mungesa e kuadrit të nevojshëm ligjor dhe e infrastrukrurës për përdorimin e gazit të lëngshëm jo vetëm në industri, por edhe në familje, siç BE i ka rekomanduar qeverisë shqiptare për të ulur koston e energjisë. “Ende mungon infrastruktura përkatëse dhe nëse nuk do të ecet përpara me një masterplan që e mundëson përdorimin qoftë te pallatet e banimit, qoftë në industri, posaçërsisht për këto të dytat, kuptohet që ajo nuk do të fillojë dhe do të vazhdojmë të merremi me luftën për energji elektrike. Direktivat e BE-së presupozojnë ndërtimin e kuadrit rregullator për regjimin e transmetimit të gazit brenda territorit të një vendi të veçantë siç është Shqipëria. Qeveria duhet të ushtrojë me përgjegjshmëri funksionet e veta kushtetuese dhe të mos mjaftohet me favorizimin e një kompanie greke apo turke për këtë qëllim”, tha Preçi. Kalimi i tubacionit të gazsjellësit në territorin e Shqipërisë presupozohet të krijojë avantazhe që rrisin sigurinë për investitorët e huaj, por dhe për ekonominë vendase dhe integrimin e saj me vendet fqinje. Aktualisht ndërtimi i gazsjellësit është në përfundim të punimeve.