Zef Preçi: Qeveria të reflektojë!

627
Eksperti i ekonomisë, Zef Preçi, e përshëndeti deklaratën e FMN-së dhe kërkoi nga qeveria që të reflektojë. “E përshëndes deklaratën e kujdesshme të FMN-së dhe sinqerisht shpresoj që qeveria do të reflektojë ndaj këtij rekomandimi zyrtar ndaj një vendi anëtar të këtij institucioni ndërkombëtar, ndërsa specialistët duhet të flasin. D m th të heqin dorë nga lëpirja ndaj pushtetit të radhës, duke pranuar marrëzitë e ligjit mbi investimet publike dhe parashikimet në favor të nënshtrimit të interesave publike ndaj atyre oligarkike në kontratat e të ashtuquajturave “partneritete publike private” (PPP)”, u shpreh Preçi. Sipas tij, edhe Banka e Shqipërisë duhet të respektojë Kushtetutën dhe jo të bëhet mbrojtëse e interesave të oligarkisë. “Personalisht dhe modestisht shpresoj të kem qenë sadopak kontributiv edhe unë në debatet publike rreth këtij fenomeni gërryes për financat publike dhe kërcënues për të sotmen dhe të ardhmen e vendit. Pavarësisht kësaj, mendoj se një numër reformash institucionale duhen ndërmarrë pa humbur më shumë kohë të dobishme për një kthesë në menaxhimin e financave publike”, u shpreh eksperti Preçi. Ai shtoi se këshilla publike e FMN-së është në dobi të mirëqeverisjes, shpëtimit të ekonomisë kombëtare nga rrënimi i mëtejshëm ndërmjet PPP-ve dhe pengimit të kthimit të sektorit publik në një lavatriçe të parave të drogës.
Sigal