Zef Preçi: FMN propozon politikat, Qeveria vendos nëse do i zbatojë

82

Flet eksperti i ekonomisë Zef Preçi për marrëveshjen me FMN-në dhe masat e propozuara

Ekonomia shqiptare e ka prekur fundin dhe rimëkëmbja e saj është në duart e qeverisë. Në këto kushte vetëm thithja e investimeve të huaja dhe përmirësimi i klimës së biznesit, nën survejimin e FMN-së, do të jetë arma më e fuqishme për të patur një ekonomi pak më të shëndoshë. Këto janë përcaktimet që bën eksperti z. Zef Preçi, përsa i përket situatës ekonomike të vendit. Ndërsa lidhur me marrëveshjen me FMN-në dhe masat që përcaktohen për t’u zbatuar nga qeveria z. Preçi shprehet se, “fondi ofron një tërësi politikash dhe është qeveria pastaj që në përputhje me kostot sociale që ka, në përputhje me kostot politike që ka, me burimet që krijohen gjatë rrugës me përmirësimet në klimën e biznesit, etj., vendos t’i konsumojë këto politika, ose t’i shtyjë në kohë, si për shembull pensionet apo energjia”. Ngrirja e pagave të administratës shtetërore, pensionet dhe rritja e moshës, rritja e çmimit të energjisë, informaliteti dhe rritja e taksave, pjesë e marrëveshjes me FMN diskutohen dhe gjatë intervistës me ekspertin e ekonomisë z. Preçi.

 A do të ishte e nevojshme asistenca e FMN-së, nëse nuk do të na ofronte borxhin?

Marrëdhëniet e FMN-së me vendin tonë janë marrëdhënie që burojnë nga anëtarësia në këtë fond, do të thotë që Shqipëria ka kërkuar të jetë anëtare e fondit, paguan kuotazicionin vjetor, informohet për zhvillimin në botë dhe në ekonominë kombëtare, përfiton këshillat kur i kërkon, përfiton mbikëqyrje dhe kur nuk i kërkon, pra ekonomia jonë dokumentohet dhe në të njëjtën kohë kërkon dhe fond, siç është rasti konkret dhe mbështetet me fonde. e dyta do të doja të theksoja që janë qeveritë shqiptare përgjegjëse për politikat monetare fiskale që ndjekin dhe në të njëjtën kohë është e padobishme që të shesësh masa “antipopullore” ose për masat që quhen shtrëngesa ekonomike në thelb si masa të rekomanduara me origjinë nga fondi. Fondi në fund të fundit shërben për një mënyrë zgjedhjeje të politikave që duhen ndjekur, të cilat kanë nivel të ndryshëm zbatimi në vende të ndryshme dhe janë vendet përkatëse që bëjnë zgjedhjen e duhur.

 Pra me këtë, ju po thoni që qeveria shqiptare e ka mundësinë e manovrimit?

Marrëveshja e Shqipërisë me fondin duhet për të evituar politikat populiste që në fund të fundit nuk çojnë asgjëkund, por japin një nxitje për një zhvillim të momentit apo për një mirëqenie të përkohshme; pengon politikat që kërcënojnë ekonominë si për shembull rritja e pakontrolluar e borxhit dhe në të njëjtën kohë themelore mbetet jo aq përfitimi që ka në fonde, por besueshmëria që vendi ka tek investitorët e huaj kryesisht. Pra vendi është më i besueshëm nëse është në një marrëveshje me FMN. Ndërkohë për politikat specifike që ndiqen, ato janë rast pas rasti dhe askush nuk mund të thotë se ku të çojnë nëse zbatohen në mënyrë integrale dhe ku të çojnë nëse disa prej tyre nuk merren në konsideratë. Dhe kjo është arsyeja që fondi ofron një tërësi politikash dhe është qeveria pastaj që në përputhje me kostot sociale që ka, në përputhje me kostot politike që ka, me burimet që krijohen gjatë rrugës me përmirësimet në klimën e biznesit etj vendos t’i konsumojë këto politika, ose t’i shtyjë në kohë si për shembull pensionet apo energjia. Pra në fund të fundit është një marrëdhënie e hapur.

 Le të shkojmë te masat e propozuara nga FMN. Një nga ‘to është dhe rritja e çmimit të energjisë…

 Problemi i energjisë është shqetësues në nivel sektori, në marrëdhëniet midis kompanive që prodhojnë, transmetojnë dhe shpërndarjen e energjisë elektrike, problemi është shqetësues për investitorin siç ishte CEZ që administrohet nga shteti dhe nuk dihet çdo të bëhet me të, normalisht që do të futet në proces privatizimi. Problemi është shqetësues edhe në mbledhjen e pagesave të energjisë dhe është problemi më i madh, kemi nivel të krahasueshëm me vitin ’97, përsa i takon arkëtimeve të pagesës së energjisë dhe në të njëjtën kohë borxhet e grumbulluara janë në nivelin e një mine me sahat në financat publike. Në këto rrethana unë bashkohem me shqetësimin e FMN-së. Nga ana tjetër, ajo që është për t’u theksuar është se Shqipëria ka një çmim të përdoruesit fundor, biznes dhe privat, nga më të lartat në rajon pas Rumanisë, pra nuk ka hapësirë për rritje të mëtejshme çmimi. Në të njëjtën kohë treguesit e këqij të mbledhjes së pagesave elektrike tregojnë që nuk funksionon ose funksionon dobët skema e rimbursimit të energjisë për rreth 100 mijë familje, ashtu sikurse ka vjedhje masive të këtij malli të çmuar por të pavlerësuar gjatë gjithë periudhës së tranzicionit. Dhe në fund të fundit, në atë masë që paguhet energjia, në atë masë funksionon shteti në një farë mënyre. Në këto rrethana ka nevojë për reforma për të stabilizuar sektorin, njëkohësisht për t’iu dhënë përgjigje shqetësimeve që janë krijuar, sidomos në aspektin e mbledhjes së pagesave të energjisë. Dua të shpreh gjithashtu shqetësimin për rivendosjen e pagesës aforfe si një element demotivues për ata që e paguajnë energjinë elektrike. Uroj  të jetë masë e përkohshme, duhet të heqë dorë nga praktika të tilla dhe në të njëjtën kohë të evitohet ajo që flitet për një rritje të mundshme të çmimit të energjisë. Pavarësisht emërtimit që mund të përdoret për këtë, rritja e çmimit mund të ndikojë negativisht duke rritur kostot e mallrave dhe shërbimeve bazuar në energji. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme që elementet e reformave që stabilizojnë borxhet dhe synojnë të rrisin mbledhjen e pagesave të mund të vazhdojnë. Duhet të krijohet një kulturë tjetër, që në kapitalizëm paguhet ajo që shërbehet. E rëndësishme është të liberalizohet sektori, të nxitet konkurrenca qoftë përmes prodhuesve, qoftë përmes tregtimit të energjisë brenda dhe jashtë vendit

 A nuk do të ishte më mirë lufta e informalitetit, sesa rritja e taksave që na propozohet?

Së pari FMN është skeptike dhe dyshuese për kapacitetet menaxheriale të financave publike nga qeveria e re; së dyti, FMN i përgjigjet në marrëveshjen e saj kërkesave që ka bërë qeveria në fokusimin e optikës që ka patur dhe së treti, studimet e vetë FMN-së tregojnë që në vendet e varfra ulja e informalitetit është një objektiv afatmesëm dhe afatgjatë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që në një vit fiskal të ndodhë një bum për këtë arsye.

 Cila do të jetë perspektiva e ekonomisë pas kësaj marrëveshjeje?

Ajo që pranohet gjerësisht, është se ekonomia shqiptare e ka prekur fundin dhe pritet, duke filluar që nga ky vit, rimëkëmbja ekonomike që do të thotë një rritje ekonomike më e mirë, një ekonomi pak më stabël. Varet si do të qeveriset në këndvështrimin e thithjeve të investimeve të huaja, pasi dihet që në kushtet e një niveli të ulët të kreditimit të ekonomisë, investimet e huaja mbeten elementi i vetëm që kompenson këtë situatë dhe përmirësimi i klimës së biznesit mbetet ndoshta arma më e fuqishme për të patur një ekonomi pak më të shëndoshë në vitin fiskal në të cilin jemi. Për të qenë më të drejtpërdrejtë, në masat që propozohen në marrëveshjen me FMN-në është e këshillueshme që të mos kemi ndryshime fiskale në mes të vitit, në praktikat e qeverisjes së mirë thuhet se është mirë që këto ndryshime të ndodhin krahas paketës fiskale dhe kalimit të buxhetit në fund të vitit.

 “Ngrirja” e pagave mund të ndryshojë, kusht i negociueshëm

Masat me impakt social siç është ngrirja e pagave zakonisht merren në vitin e parë të mandatit, sepse ka kohë të korrigjohet dhe të harrohet, gjithsesi unë uroj dhe shpresoj që ekonomia shqiptare të performojë më mirë dhe këto lloj kushtëzimesh të fillojnë të hiqen rrugës, pasi askush nuk mund të parashikojë impaktin e ndërsjellë që mund të ketë një politikë e tillë. Si rregull pagat duhet të korrigjohen për efekt të inflacionit, pa folur pastaj për rregullime të tjera që kanë të bëjnë me klasa, grupe shoqërore dhe impaktin që ka sektori publik mbi sektorin privat. Por kjo masë mund të ndryshojë nëse ekonomia performon më mirë, që do të thotë që fillon e stabilizohet aspekti makroekonomik, nëse taksat mblidhen më mirë, nëse sektori publik funksionon më mirë, pra ofron mallra e shërbime më mirë, detyrimisht që nuk ka pse të ruhet një politikë e tillë. Pra është një masë e kushtëzuar nga momenti që është bërë marrëveshja, nuk e shoh si diçka që duhet respektuar, është kusht i negociueshëm. Ajo që dua të them është se unë nuk di të ketë një akt ligjor që e fikson rritjen e pagave, sepse elementet e politikave kalojnë përmes akteve ligjore, e kalojnë marrëveshjen në princip, ndërkohë që performanca më e mirë dhe qeveria e sotme duhet të dallojë nga qeverisja e kaluar nga pesha specifike e të ardhurave buxhetore. Shpresojmë të performojmë më mirë, që do të thotë të mbledhë më shumë taksa pa përdorur arbitraritet dhe në të njëjtën kohë pa rritur peshën mbi grupe që kontribuojnë në taksa. Kjo mbetet sfida e qeverisjes, pesha kryesore në marrëveshje dhe njëkohësisht instrumenti i vetëm që mundëson një politikë më të liberalizuar, pra, një mundësi rishikimi të pagave në periudhat që vjen, bazuar në performancën fiskale.

Rritja e moshës së pensionit, e panevojshme

Edhe te pagat, edhe te pensionet mbetet për t’u parë se pse ndërmerret ajo politikë. Nëse politika synon të shëndoshë skemën, kuptohet do të bllokojë dhe elementë të tjerë, nëse synon të përmirësojë performancën dhe të rishikojë skemën përsëri ka një mënyrë tjetër për ta arritur, mbetet për t’u parë sesi do të konkretizohet ajo reformë e pensioneve, sepse për mendimin tim ka një mori elementesh që janë të diskutueshëm. Problemi i moshës, problemi i vetë funksionimit të skemës, problemi i raportit midis pensioneve minimale dhe maksimale, problemi i grupeve që s’kanë kontribuar dhe janë përballë pensionit social, pra, janë një mori çështjesh të lidhur në një hallkë të vetme që është reforma  e pensioneve.

 Po pse një nga kushtet është rritja e moshës së pensionit, çfarë sjell ajo?

Rritja e moshës së pensionit ul peshën e skemës aktuale, që gëlltit 420 milion dollarë në vit, pra bëhet për të patur më shumë kontribute dhe më pak përfitime. Por në vlerësimin tim është e panevojshme dhe e parakohshme, se edhe diferenca e jetëgjatësisë mesatare dhe e moshës së pensionit është dy herë më e vogël se në vendet e BE-së.