Zef Preçi: 27 vjet bashkëpunim ekonomik Shqipëri-SHBA

583
Siç dihet, Shqipëria dhe SHBA rivendosën marrëdhëniet diplomatike në vitin 1991 mbas një ndërprerje prej 52 vjetësh. Ndërsa në vitin 1995 Shqipëria dhe SHBA nënshkruan Marrëveshjen Bilaterale të Investimeve, e cila hyri në fuqi në vitin 1998. Marrëdhëniet midis dy vendeve janë me natyrë të shumëfishtë dhe SHBA është padyshim aleati strategjik më i rëndësishëm i Shqipërisë, jo vetëm për krijimin dhe sigurimin e ekzistencës së shtetit shqiptar në rrjedhat e historisë së dy shekujve të fundit, por veçanërisht në zhvillimet e pas vitit 1990 me futjen e vendit në binarët e zhvillimeve demokratike dhe të ekonomisë së tregut të lirë. Qysh nga viti 1992 e deri më sot, eksportet gjithsej të Shqipërisë drejt SHBA-së përbëjnë pak më shumë se 800 milionë dollarë amerikanë (ose mesatarisht më shumë se 30 milionë dollarë në vit), ndërsa importet rreth 700 milionë dollarë amerikanë (ose rreth 27 milionë dollarë në vit). Në nivel vjetor, në vitin 2017 në krahasim me vitin 1992 eksportet janë rritur me 2 herë, ndërsa importet me rreth 5 herë. Importet kryesore nga SHBA përfshijnë mallra ushqimore (kryesisht mishin), automjetet, makineritë dhe pajisjet kompjuterike dhe elektronike, ndërkohë që eksportet kryesore të Shqipërisë në SHBA përfshijnë minerale, lëndë djegëse dhe naftë, prodhime bujqësore, këpucë dhe tekstile. Shqipëria ka të drejtë të eksportojë produkte të caktuara pa taksa në Shtetet e Bashkuara sipas programit të sistemeve të përgjithshme të preferencave. Ky program është ndërtuar për të nxitur rritjen ekonomike në vendet në zhvillim, duke siguruar hyrje preferenciale (pa taksa doganore) të më shumë se 3.500 produkteve nga 128 vende të botës. Qëllimi i programit është t’i japë këtyre eksporteve një avantazh konkurrues në tregun e SHBA-së. Pavarësisht nivelit modest të shkëmbimeve tregtare, në pikëpamje ekonomike marrëdhëniet midis dy vendeve kanë njohur një rritje të hovshme sidomos pas vitit 2000, vit në të cilin është krijuar edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, me synim nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal; monitorimin e legjislacionit dhe politikave që ndikojnë në konkurrueshmërinë, zhvillimet ekonomike dhe të biznesit; duke ofruar kështu një partner efektiv – një ndërmjetës midis qeverisë, bizneseve dhe mediave. Dhoma Amerikane e Tregtisë duhet vlerësuar posaçërisht për kontributin e vet në ndërtimin e një dialogu efektiv midis qeverisë shqiptare dhe komunitetit të biznesit, duke u shndërruar hap pas hapi në një zë të fuqishëm të biznesit dhe me integritet për “rregulla të qarta loje” të ekonomisë së tregut, për legjislacion bashkëkohor dhe sundim të ligjit në ekonominë shqiptare.
Sigal