Zef Bushati: Zgjedhjet duhet t’i marrë në dorë një institucion, që nuk ka konflikt interesi me zgjedhjet

585
Opozita, me bojkotin e reformës në drejtësi dhe Vetingun i jep mundësi Mazhorancës të kapë drejtësinë
Zef Bushati, Kryetar i Partisë Aleanca Demokristiane
Zgjedhjet duhet t’i marrë në dorë një institucion, që nuk ka konflikt interesi me zgjedhjet, p.sh. një Bankë e madhe, si në Angli (Raiffeisen Bank), Gjykata Kushtetuese, Apelit, si në Itali,etj. Kështu shpëtojmë nga Kryeministrat e PS e të PD. Kështu shpëtojmë nga të inkriminuarit.

Opozita, me bojkotin e reformës në drejtësi dhe Vetingun i jep mundësi Mazhorancës të kapë drejtësinë.

Jakup B. GJOÇA
Zef Bushati, Kryetar i Partisë Aleanca Demokristiane në intervistën për gazetën “Telegraf”, edhe pse kritikon qeverisjen për korrupsion, për kriminalitetin, edhe pse e cilëson “Kanabistan”, prapëseprapë është kundër Opozitës për bojkotin e parlamentit, sepse i jep të “drejtën” mazhorancës ta akuzojë se nuk e do reformën në drejtësi dhe Vetingun, ngaqë i trembet drejtësisë. Sipas zotit Zef Bushati, e keqja më e madhe është Kodi Zgjedhor që nuk siguron barazinë zgjedhore midis subjekteve zgjedhore, dhe këtu është përgjegjësia e OSBE.
Zoti Bushati, kur pohoni që ADK “…Keni kritikuar korrupsionin, kriminalitetin, kontrabandën e drogës, katandisje të Shqipërisë në “Kanabistan”. Ju bëni përgjegjës Qeverisjen, Kryeministrin Rama, si shkaktarë të drejtpërdrejtë të Kanabistanit dhe Korrupsionit?
Përgjegjësia në radhë të parë është individuale, por edhe kolektive. Kanabisi është mbjellë në tokë, në fusha, në kodra e në male. Pra, përgjegjësia fillon me Ministrinë e Bujqësisë, me Drejtoritë Bujqësore në Qark dhe në Bashki. Pastaj vijon Ministria e Brendshme me Drejtoritë e Policisë që korr kanabis, djeg kanabis dhe magazinon kanabis. Më tej Drejtoritë e Mjedisit të cilët nuk e konsiderojnë si ndotje të ambientit tymin nga djegia e kanabisit. Vazhdojmë me Ministrinë e Kulturës që është totalisht indiferente dhe nuk organizon asnjë propagandë antikanabis, me Ministrinë e Arsimit që nuk sensibilizon dhe edukon fëmijët e shkollave 9 Vjeçare, Shkollave të Mesme dhe të Larta, me Ministrinë e Shëndetësisë që nuk punon me njerëzit për t’i shpjeguar dëmet që shkakton kanabisi dhe droga, etj. Pastaj përgjegjësia bie edhe mbi Kryeministrin Rama që nuk i kërkon llogari ministrave që nuk kryejnë detyrat e tyre edhe në luftën kundër kontrabandës së drogës. ADK i ka kërkuar disa here Kryeministrit Rama të shkarkojë nga detyra ministrat e paafte. Po të na kishte dëgjuar, nuk do ishim shndërruar në një shtet “Kanabistan”.
A bindeni ju që një Qeveri që korrupton, që nuk lufton krimin, që një Kryeministër që faktorizoi kriminalizimin e Parlamentit?
Zgjedhjet nuk i bën Kryeministri. Zgjedhjet i organizon, drejton dhe i menaxhon KQZ-ja, e cila përbëhet nga katër parti politike. PS, PD, LSI dhe PR, pra nga Rama, Basha, Meta e Mediu. Këto katër parti janë përgjegjëse. Këtë “peshqesh” shqiptarët e kanë nga OSBE. Shqipëria dhe shqiptarët, për OSBE, janë një vend në zhvillim! Ne, kemi 26 vite që përsëri nuk po zhvillohemi dot. Nuk po zhvillohemi as me ndihmën e SHBA, BE, Gjermanisë, Francës, Anglisë, Italisë, etj. Qesharake! Për këtë arsye OSBE lejon të aplikohet një Kod Zgjedhor antikushtetues dhe më antidemokratikun që ka Evropa. OSBE, ja ka besuar katër partive menaxhimin, organizimin e procesit zgjedhor, edhe numërimin e votave përsëri vetëm këtyre katër partive. OSBE/ODHIR vazhdon të besojë se këtë shtet dhe këtë popull mund ta udhëheqë në rrugën e tranzicionit dhe të zhvillimit vetëm PS dhe PD. Po mirë, atëherë, kur qenkemi vend në zhvillim, pse na anëtarësuat në NATO? Pse kërkoni të na anëtarësoni në BE? Urgjente është që KQZ duhet domosdoshmërisht të depolitizohet. ADK nuk pajtohet me bllokimin e Reformës Zgjedhore. Zgjedhjet duhet t’i marrë në dorë një institucion, që nuk ka konflikt interesi me zgjedhjet, p.sh. një Bankë e madhe, si në Angli (Raiffeisen Bank), Gjykata Kushtetuese, Apelit, si në Itali,etj. 
A ka vlerë një reformë zgjedhore, që nuk ndryshon Kodin Zgjedhor, që siç e akuzoni edhe ju “ nuk siguron barazinë zgjedhore midis subjekteve politike ?” 
Në pjesën e parë të Kushtetutës, Parime Themelore, Neni 1, pika 3, shkruhet: “ Qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike.” Kodi Zgjedhor nuk garanton barazi zgjedhore midis partive politike që konkurrojnë. Pra është anti kushtetues dhe ligji më antidemokratik i botës. ADK ka shprehur qëndrimin e saj se PS, PD e LSI nuk tregohen të sinqertë dhe të ndershëm në kërkesat e tyre për zgjedhje të lira dhe të barabarta, të cilat mund dhe duhet të realizohen vetëm nëpërmjet ndryshimeve rrënjësore të Ligjit Zgjedhor në respektim të Kushtetutës për të garantuar barazinë Zgjedhore. PD edhe këto ditë gjatë protestës shprehet vetëm për zgjedhje të lira dhe në asnjë rast nuk përmend “barazinë zgjedhore”. Ky popull ka 26 vite që vuan si pasojë e Kodit Zgjedhor antikushtetues. Këtu gjykoj se rendon faji. Pastaj PS e PD, Rama apo Basha janë pasoja. 
A mund të bëjnë reformë në drejtësi, pikërisht qeveritarët që duhet të jenë objekt i hetimit të drejtësisë, sepse korruptojnë, siç akuzoni edhe ju? A mund të votojnë Vetingun deputetët me rekorde kriminale?
Nuk bëj pjesë tek ata injorantë që akuzojnë çdo herë në parlament, apo në politikë njëri tjeterin si kriminel. Gjatë votimit të Vetingut, secili deputet do shprehet pro ose kundra me votën e tij. E vetmja gjë që bëhet është komenti rreth votës, por jo akuza rreth deputetit. Mjaft me injorancë, se u lodhëm. Është turp dhe skandal për një Kryetar partie, i kujtdo parti qoftë, që kërkon të mbajë pushtetin në parti, që kërkon të marrë pushtetin ekzekutiv, me ndihmën e injorantëve dhe të inkriminuarve. 
Ju derisa jeni kundër bojkotit të parlamentit nga Opozita, çfarë rrugë politike do t’i sugjeronit Opozitës, që të reagojë politikisht?
ADK nuk pajtohet kurrsesi me bojkotin e Parlamentit. Nuk pajtohemi me bllokimin e votimit të Reformës në Drejtësi. Opozita PD bojkoton diskutimin dhe miratimin e Ligjeve të Reformës në Drejtësi dhe Vetingun, duke marrë përsipër një kosto shumë të rëndë, duke marrë akuzën e maxhorancës, që PD nuk e do Reformën në Drejtësi se i trembet gjykimit, ngaqë është e përlyer në korrupsion, prandaj bojkoton dhe Parlamentin. Por, duke lejuar edhe maxhorancën të ushtrojë qetësisht “pushtetin e votës” për të hartuar e miratuar në seancë parlamentare ligje të Reformës në Drejtësi dhe Vetingut, që i japin mundësinë maxhorancës të ushtrojë autoritet dhe kontroll në pushtetin gjyqësor. Ky është skandal. Na lë aty ku ishim. Deputetët e PD duhet të shkojnë në Parlament. Votimi i Reformës nga PD rikthen besimin e elektoratit dhe ndërkombëtarëve. 
A jeni ju për qeveri teknike ? Besoni se qeveria e kryeministrit Rama mund të garantojë zgjedhje parlamentare të lira dhe të ndershme? 
– Kërkesa për Qeveri teknike ka motive, por nuk ka arsye. Kemi kritikuar ashpër Qeverinë dhe qeverisjen, i kemi kërkuar edhe Kryeministrit të shkarkojë ministrat e paaftë si dhe ato të akuzuar për korrupsion. Kemi kritikuar kriminalitetin, kontrabandën e drogës, katandisje e Shqipërisë në Kanabistan. Kemi denoncuar Kodin Zgjedhor si Ligjin më antidemokratik të Evropës qe nuk siguron barazinë zgjedhore midis subjekteve politike. Kemi kritikuar nivelin ekonomik, dëmtimet e monumenteve historike, etj, të gjitha këto së bashku, por edhe ndonjë tjetër, janë edhe motivet që opozita kërkon qeveri teknike. Edhe qeveria rendit mjaft fakte dhe argumente pozitive në punën e saj. Kjo të jep argumentin se nuk ka arsye për një qeveri teknike. Këtij argumentimi i shtoj edhe faktin më të rëndësishëm që maxhoranca edhe para dy ditëve e konfirmoi me 88 vota në Parlament shumicën absolute përballë votave parlamentare të opozitës. Për sa i takon faktit që opozita ngulmon se nuk mund të ketë zgjedhje me Kryeministrin Rama, mua personalisht, si një politikan i viteve 90, më kujton lajtmotivin e përsëritur të të gjitha opozitave këto 26 vite. 
Somario
1
Kërkesa për Qeveri teknike ka motive, por nuk ka arsye. Kemi kritikuar ashpër Qeverinë dhe qeverisjen, kriminalitetin, kontrabandën e drogës, katandisje e Shqipërisë në Kanabistan. Kemi denoncuar Kodin Zgjedhor si Ligjin më antidemokratik të Evropës qe nuk siguron barazinë zgjedhore midis subjekteve politike. Të gjitha këto janë edhe motivet që opozita kërkon qeveri teknike. Edhe qeveria rendit mjaft fakte dhe argumente pozitive në punën e saj. Këtij argumentimi i shtoj edhe faktin më të rëndësishëm që maxhoranca edhe para dy ditëve e konfirmoi me 88 vota në Parlament shumicën absolute 
2
Opozita PD bojkoton diskutimin dhe miratimin e Ligjeve të Reformës në Drejtësi dhe Vetingun, duke marrë përsipër një kosto shumë të rëndë, duke marrë akuzën e maxhorancës, që PD nuk e do Reformën në Drejtësi se i trembet gjykimit, ngaqë është e përlyer në korrupsion. Por, duke lejuar edhe maxhorancën të ushtrojë qetësisht “pushtetin e votës” për të hartuar e miratuar në seancë parlamentare ligje të Reformës në Drejtësi dhe Vetingut, që i japin mundësinë maxhorancës të ushtrojë autoritet dhe kontroll në pushtetin gjyqësor
Sigal