Zef Bushati: “Prokurori i Përgjithshëm të zgjidhet me 84 vota”

437
Sigal

Aleanca Demokristiane shpreh bindjen, se pa u hequr imunitetin zyrtarëve më të lartë të vendit, duke nisur nga Deputet, Ministrat, Prokurorët, Gjyqtarët,etj. nuk do kemi asnjë mundësi për të hedhur hapa serioze drejt luftës kundër korrupsionit, krimit ekonomik e financiar, krimit të organizuar e deri tek kriminelët ordinerë, që po shfaqen çdo ditë në rrugë, duke shpërndarë drogë, prostitucion e duke vrarë qytetarë të pafajshëm. Aleanca Demokristiane mendon se Prokurori i Përgjithshëm, gjatë gjithë periudhës së demokracisë, ka qenë produkt i politikës dhe kjo ka bërë që korrupsioni jo vetëm të mos goditet por edhe të lulëzojë. Në luftën kundër korrupsionit e kriminalitetit, emri i Prokurorit të Përgjithshëm është më i rëndësishëm edhe se vetë emri i Presidentit të Republikës, kjo u vërtetua veçanërisht gjatë dhe mbas ngjarjeve të 21 Janarit. Gjate viteve të demokracisë, aktiviteti i Prokurorëve të Përgjithshëm ka hedhur dyshime të forta në lidhje me pavarësinë e këtij institucioni nga politika. Por edhe rasti më i fundit i zgjedhjes së Kryeprokurorit të Përgjithshëm nga Presidenti i Republikës Topi, bëri që roli i Prokurorit të mbetej peng i Presidentit. Aleanca Demokristiane propozon një votim me 84 vota në Parlament për miratimin e dekretit te Presidentit të Republikës për Prokurorin e Përgjithshëm, i cili do të rrisë cilësinë, integritetin e Kryeprokurorit dhe bashkërendimin mes grupeve parlamentare për të gjetur një konsensus sa më të gjerë për kandidatin e propozuar nga Presidenti. Aleanca Demokristiane do ta kundërshtojë me forcë çdo kandidat për Prokuror të Përgjithshëm që do të dalë nga një marrëveshje politike midis PD-së dhe LSI-së.