Zef Bushati: Kjo situatë nuk kërkon bojkot të Kuvendit, por kompromis e bashkëpunim

388
Në intervistën për gazetën “Telegraf”, kryetari i Aleancës Demokristiane, Zef Bushati pohon se nuk funksionoi Unioni Demokristian dhe tani ADK-ja është parti jashtë koalicionit të Ramës. Zoti Bushati për çështjen “Doshi” thotë që politika të mos ndikojë te prokuroria, ndërsa opozita nuk duhet të bojkotojë Kuvendin, por të gjendet kompromisi dhe bashkëpunimi. 
Zoti Bushati, cili është opinion juaj për ngjarjet e fundit politike, lidhur me akuzat e Doshit?
– Drejtësia shqiptare është edhe një herë para provës së madhe. Çështja “Doshi” është maja e ajsbergut. Çfarë fshihet thellë në oqean? Lindja apo perëndimi? E vërteta apo e gënjeshtra? Kush do fitojë krimi, apo drejtësia? Ta shohim. Lufta është e egër. Beteja sapo ka filluar. Aleanca Demokristiane ka deklaruar se dënon çdo ndërhyrje të politikës ndaj Prokurorisë për çështjen “Doshi”. Prokuroria është para provës për një gjykim profesional e të pavarur. 
Mendoni se janë skenarë politikë?
-Ngjarjet e ditëve të fundit e kanë tronditur opinionin mbarë kombëtar e ndërkombëtar. Nuk ka shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, e diasporë, kudo ku jetojnë shqiptarët nëpër botë, që nuk i ndjekin këto zhvillime nëpërmjet valëve satelitore. Politika është tronditur, qeveria është e përgojuar…..besimi ka humbur, populli është i dëshpëruar. 
A ka kauzë opozita që të bojkotojë de facto Kuvendin dhe komisionet parlamentare? 
-Opozita është kapur mbas ngjarjes në parim. Kjo është një nga detyrat e opozitës. Por edhe opozita hesht për hapjen e dosjeve dhe lustracionin. Mendoj se edhe në Shqipëri po kalojmë një moment shumë të vështirë ekonomik e social me pasoja serioze që çojnë në uljen e nivelit të varfërisë në kufijtë e varfërisë absolute. Populli po kalon ditë të vështira. Kjo situatë nuk kërkon bojkot të Kuvendit dhe të Komisioneve Parlamentare, por kompromis e bashkëpunim PS dhe PD. Të dy palët duhet të inkurajojnë drejtësinë, prokurorinë, policinë për veprime dhe vendime sa më profesionale për zbardhjen e të vërtetës. Çdo përpjekje tjetër është në dëm të Shqipërisë.
Zoti Bushati, ju si Unioni Kristian a jeni ftuar të bisedoni me PS për një aleancë zgjedhore për 21 qershorin?
-Më lejoni të sqaroj çështjen e “Unionit Kristian”. Personalisht në cilësinë e Kryetarit të Partisë Aleanca Demokristiane, si një prej themeluesve të Partisë Demokristiane, kam konsumuar të gjitha energjitë për të arritur bashkimin e katër subjekteve demokristiane në një union. Nënshkrimi i marrëveshjes mes palëve dhe shpallja e Unionit u realizua në datën 15.12.2013. Që nga ajo ditë Unioni nuk funksionon.
Po si Partia Aleanca Demokristiane, a jeni ftuar të bisedoni me PS për një aleancë zgjedhore?
– Po, morëm njoftim nga zyra e organizimit të PS për një mbledhje te partive te koalicionit. Kryesia vendosi t’i drejtohemi me anë të një letre zyrtare kryetarit të PS, zotit Edi Rama ku të parashtronim qëndrimin e ADK rreth propozimit për një tjetër koalicion me PS për zgjedhjet në pushtetin vendor, mbasi kryesia mendon se koalicioni për zgjedhjet parlamentare u konsumua ditën e zgjedhjeve dhe nuk funksionoi më. ADK nuk u bë pjesë e koalicionit qeverisës mbas fitores si rezultat i qëndrimit jo korrekt të Edi Ramës. Ftesën e re nga zyra e organizimit të PS për pjesëmarrje në një tryezë të koalicionit nuk e morëm në konsideratë për faktin se ADK nuk ka qenë pjesë e asaj tryeze. Kryesia e ADK në letrën që i dërgoi zotit Edi Rama ja ka bërë të qartë se përsëri Aleanca Demokristiane nuk do jetë pjesë e asaj tryeze.
Tashmë Aleanca Demokristiane, me kë kah politik është?
– ADK nuk e ka ende të përcaktuar se me cilin kah politik do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Kryesia e ADK i ka bërë thirrje jo vetëm anëtarëve dhe simpatizantëve të saj, por kujtdo që e ndjen veten pranë programit të partisë tonë, të bashkohet me Aleancën Demokristiane për të krijuar një “Aleancë për Demokraci Kombëtare”. 
Partia e Ndokës ka vënë kandidatin e saj në Bashkinë e Lezhës, apo është kandidati juaj i përbashkët?
– Jo, nuk është kandidat i përbashkët. Në Lezhë do garojmë me kandidatët tanë për këshilltar të Bashkisë, ndërsa për Kryetar të Bashkisë do votojmë për kandidatin e koalicionit ku do marrim pjesë. Aleanca Demokristiane ka përgatitur një platformë, të cilën së shpejti do ta bëjë publike. Platforma jonë do t’i shërbejë vetëm dhe vetëm interesave të demokristianëve shqiptarë dhe asnjë subjekti tjetër politik. 
– Faleminderit!
Sigal