Zef Bushati: Gabon cilido politikan-qeveritar që keqtrajton demokristianët

561
Sigal

Kam ndjekur rrugën që ndoqi Edi Rama për krijim e Qeverisë, pa pjesëmarrjen e demokristianëve nuk ka BE

Zef Bushati, Presidenti i Unionit Demokristian, në një intervistë të dhënë për gazetën “Telegraf” shprehet në lidhje me formimin e këtij unioni, për platformat politike që do të ndërmerren, si dhe qëndrimin që do të mbajë në lidhje me maxhorancën dhe opozitën.

 Zoti Bushati, kanë kaluar afro dy muaj nga formimi i Unionit Demokristian. A e keni në plan të paraqisni një platformë politikë të këtij Unioni?

 -Sigurisht që po. Kryesia e Unionit po e përgatit një platformë, të cilën së shpejti do ta bëjë publike. Por, një gjë mund ta them me siguri në cilësinë e Presidentit të Unionit: Platforma jonë do t’i shërbejë vetëm dhe vetëm interesave kombëtare dhe të demokristianëve shqiptarë dhe asnjë subjekti tjetër politik. Unioni me sloganin: “Të bashkuar jemi më të fortë” do ndërmarrë aksione konkrete politike në shërbim të popullit, vendit dhe kombit tonë. Aksione për demaskimin e korrupsionit, kriminalitetit, papunësisë, varfërisë, si dhe fenomeneve negative që vinë çdo ditë duke u rritur. Hapi parë do të jetë një letër drejtuar Presidentit të Partive Popullore Europiane Kristian Demokrate z.Joseph Daul, me anë të së cilës do të informojmë EPP-në, por edhe parlamentarët Kristian Demokrat të BE-së, rreth krijimit të Unionit dhe zhvillimeve politike të tij në të ardhmen. Do t’i informojmë që ky Union ka në gjirin e tij 2 deputetë, z.Nard Ndoka dhe z.Mark Frroku, shpresojmë në ditën në vijim të na bashkëngjitet edhe ndonjë deputet tjetër. Unioni ka 438 këshilltarë në Qarqe, Bashki e Komuna, dhe rreth 35.800 vota në zgjedhjet e fundit parlamentare, gjë që e bën Unionin të jetë subjekti i tretë i maxhorancës qeverisë ose subjekti i katërt e opozitës. Të ndarë u provua se rezultat nuk mund të ketë, por përveç kësaj, kjo ndarje nuk u mbështet nga elektorati ynë. Presioni i bazës demokristiane çoi në krijimin e Unionit më datën 7 Dhjetor. Ne sot jemi të bashkuar. Për tu bashkuar ndihmoi edhe vullneti i drejtuesve të katër subjekteve politike demokristiane. Tani nuk mund të ndahemi më. Kush provokon për tu ndarë do të marrë mbi vete një kosto të rëndë që vjen nga baza demokristiane e kristian-demokrate, nga anëtarët dhe simpatizantët e filozofisë politike demokristiane, do të marrë mbi supe “mallkimin”e elektoratit tonë.

 Cili do jetë pozicioni i Unionit, në maxhorancë apo në opozitë?

 -Unioni ka dy parti në maxhorancë, Partinë Kristian-Demokrate të drejtuar nga deputeti Mark Frroku dhe Partinë Aleanca Demokristiane, të cilën e drejtoj unë. Kam ndjekur me vëmendje zhvillimet dhe raportet midis aleatëve në Koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane” ku bëjnë pjesë dy partitë tona. Partia Kristian Demokrate u bë anëtare e këtij koalicioni disa vite më parë se ADK. Elektorati i PKD-së ishte më i përgatitur për pjesëmarrjen në këtë koalicion të majtë dhe mendoj se ky fakt e ndihmoi për të marrë një rezultat më të lartë. Partia Kristian Demokrate fitoi një deputet dhe në total mori rreth 9 mijë vota. Aleanca Demokristiane ju bashkua Koalicionit më 25 Prill 13, pra vetëm dy muaj nga dita e zgjedhjeve. Kjo normalisht do të shoqërohej me një kosto jo të vogël nga elektorati ynë që ishte mësuar për 23 vite të më shihte mua në pozicionin e Qendrës së Djathtë në koalicion me PD-në e Berishës. Por, dua ta pohoj dhe ta theksoj se, pjesëmarrja e ADK-së në koalicion krijoi një impakt edhe më pozitiv tek elektorati shqiptar për të rritur numrin e votuesve në favor të koalicionit të deklaruar nga Edi Rama si “koalicion përtej të majtës e të djathtës”. ADK ndikoi në zgjerimin e bazës së këtij koalicioni. Krerët drejtues e “shitën” tek politika europiane pjesëmarrjen demokristiane si një faktor mjaft pozitiv në realizimin e fitores. Gjithsesi, dy partitë tona ishin dhe janë pjesë e Koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, por mbas zgjedhjeve ende nuk jemi bërë pjesë e qeverisjes së drejtuar nga Kryeministri Rama. Unioni ka dhe dy partitë e tjera, Partia Demokristiane e drejtuar nga deputeti Nard Ndoka, e cila gjithashtu, arriti të sigurojë një rezultat mjaft pozitiv duke siguruar një deputet dhe rreth 15 mijë vota, si dhe Lëvizja Demokristiane e drejtuar nga Mëhill Geci, të cilat edhe pse janë në opozitë nuk krijojnë asnjë problem për të bashkëpunuar në kuadër të Unionit për interesat tona të përbashkëta. Pozicioni politik i subjekteve përbërës është pjesë e strategjisë dhe programeve politike të secilit subjekt. Në zgjedhje të katër subjektet do dalin të bashkuar në kuadër të Unionit.

 Ende besoni se do bëni pjesë në qeverinë “Rama”?

 -Kam ndjekur rrugën që ndoqi Edi Rama për krijim e Qeverisë. Tani nga pozicioni i Presidentit të Unionit më lejohet t’i bëj një koment. Edi Rama që në hapat e para beri një diferencim, që për mua konsiderohet i pa justifikuar dhe i pa mbështetur. Partinë Kristian Demokrate me një deputet në parlament dhe Aleancën Demokristiane, me të cilën nënshkroi marrëveshje dy paleshe, dy parti njëra Kristian Demokrate dhe tjetra Demokristiane në koalicion, i la jashtë kabinetit qeveritar. Kjo panorame në marrëdhëniet me demokristianët nuk përfundon këtu. Kryetari i Partisë Demokristiane në opozitë Nard Ndoka, deputet në parlament, deklaroi se. “Nëse Edi Rama do të përfshijë në kabinetin e tij qeveritar një ministër demokristian unë do ta jap votën time në mbështetje të demokristianëve që bëjnë pjesë në maxhorancë”. Marrëdhënie korrekte demokristianësh. Por, Edi Ramës nuk i beri pikën e përshtypjes ky solidaritet demokristian dhe vijoi të marrë në kabinet edhe dy parti të tjera pa asnjë deputet në parlament si G99  dhe AAK, duke krijuar një kabinet me pesë parti, në simbol të një ylli me pesë cepa. Ky qëndrim ndaj demokristianëve u vijua edhe me largime nga detyra të disa demokristianëve që kishin vite në administratë, apo dhe me ndonjë “puç” te ndonjë të zgjedhuri në pushtetin lokal që mbante detyrën e kryetarit të këshillit të Komunës. Nuk mund të akuzoj Ramën për këto shkarkime, por kur koalicioni nuk funksionon, kur nuk bën pjesë në qeverisje lart, kush të merr në konsideratë poshtë, në bazë ?

 Cilat do jenë hapat e mëtejshme të Unionit Demokristian?

 -Para se të ndalemi tek hapat tona, unë them se gabon cilido politikan-qeveritar që keqtrajton demokristianët. Mendoj se, pa pjesëmarrjen e demokristianëve në qeveri vështirë se do merret edhe mbas 6 muajve statusi i vendit kandidat në Bashkimin Europian. Siç dhe u shpreha më lart ne do kërkojmë, do insistojmë në realizimin e marrëveshjeve. Tani këtë gjë do ta kërkojmë në emër të të gjithë demokristianëve dhe kristiandemokratëve, do ta kërkojmë si Union pa toleruar dhe pa u bërë pjesë e asnjë lojë politike. Kush qeveritar-politikan punon seriozisht për interesat e vendit duhet të reflektojë sot, se nesër do jetë vonë. Votat demokristiane jam i sigurt që do të shkojnë vetëm për forcimin e dhe rritjen e autoritetit të filozofisë politike demokristiane. Në këtë kuptim edhe një herë sqaroj se demokristian apo kristiandemokrat janë të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e subjekteve tona politike pa dallime fetare. Ne nuk përfaqësojmë besimtarët katolike, myslimanë, ortodoksë, bektashi apo ungjillore, as ata që diferencohen apo diskriminohen  për arsye të besimeve fetare, mbasi mbrojtja e tyre është detyre e hoxhallarëve, priftërinjve, apo pasorëve të cilët duhet të  interesohen si “ barinj të mirë për grigjën e tyre”.  Natyrisht që ne demokristianëve, por jo vetëm ne, nuk na vjen mirë që edhe mbas 23 vitesh të ketë diskriminim për arsye të bindjeve fetare. Njeriu duhet të besoj në fe, çdo lloj feje: mysliman, ortodoks, katolik, ungjillor, bektashi, është kulturë besimi, ky besim e ndan njeriun nga kafsha. Prandaj nuk duhet ofenduar besimi i askujt se është mungesë edukimi, emancipimi, qytetërimi, civilizimi dhe zhvillimi. Asnjë Shqiptar, e veçanërisht politikan, nuk duhet të demonstroj mungesë kulture fetare, mungesë tolerance fetare, nuk duhet të demonstroj elemente të fondamentalizmi fetar, se pengon integrimin e Shqipërisë në Europë, anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Por, detyra e jonë si drejtues, politikanë është të mos lejojmë askënd të keqtrajtojë demokristianët për shkak të bindjeve të tyre politike. PD dhe PS vazhdimisht e ka synuar elektoratin demokristian dhe në mënyrë direkte apo indirekte kanë ndikuar në dobësimin, përçarjen dhe mosfunksionimin e një subjekti që përfaqëson në Shqipëri filozofinë politike të Demokracisë Kristiane. Unioni dhe subjektet tona janë në një proces reflektimi dhe organizimi. Nëse të veçuar kemi marrë 30.800 vota të bashkuar synojmë të marrim 100 mijë vota. Ky është objektivi ynë!