Zef Bushati/“Aleatët e së Majtës duhet të jenë pjesë e administratës qeverisëse”

439
Sigal

Zef Bushati, Kryetari i ADK-së, në intervistën për “Telegraf” duke iu referuar faktit që Rama nuk përfshiu asnjë aleat- përveç LSI-së,  si ministra, pohon se, aleatët, që të jenë në pozitë, duhet të jenë pjesë e administratës qeverisëse.  Zoti Bushati mendon se ka vend akoma në qeverisje, pasi janë edhe postet e zv/ministrave, që ende nuk janë ndarë, ku nuk përjashton edhe mundësinë që ato t’u jepen aleatëve. Kjo do të bëhet në saj të marrëveshjes dypalëshe, ku secila parti ka nënshkruar me Ramë, veçmas, duke dhënë edhe shembullin  e Ngjelës. Madje, zoti Bushati jep edhe idenë që të krijohet një FBI shqiptare, me subjekt luftën kundër korrupsionit. Zoti Bushati nuk e përjashton edhe mundësinë e bashkëpunimit me partinë e deputetit Mark Frroku.

– Zoti Bushati, si e priti Aleanca Demokristiane faktin që në kabinetin qeveritar nuk pati asnjë ministër demokristian. Edhe pse Partia  Kristian Demokrate fitoi mandat në Kuvend.

– ADK-ja nuk ka qenë pjesë e negociatave me Kryeministrin Edi Rama për ndonjë kabinet ministri. Nuk kam informacion rreth negociatave për këtë çështje, që i përket PKD-së, e cila ka fituar mandatin e një deputeti. Kam dëgjuar e parë  deklaratat e z.Frroku. Natyrisht, që do na vinte mirë po të kishte në qeveri një përfaqësues kristiandemokrat, se është e njëjta gjë me demokristian, vetëm se gjuha e emërtesës së partisë ndryshon, e para anglisht dhe e dyta italisht, që po të përktheheshin të dyja në shqip do të thotë demokraci e krishterë. Por kjo nuk na ka penguar të takohemi për të biseduar si dy subjekte demokristiane, që qëndrojmë së bashku në të njëjtin koalicion. Jam takuar disa herë me Mark Frrokun dhe bashkëpunëtorët e tij. Do takohem e do bashkëpunojmë edhe në të ardhmen.

– A mendoni se do t’i qëndrojë korrekt PS-ja marrëveshjes që ka firmosur me aleatët?

– Nuk kam dijeni konkrete rreth kësaj marrëveshjeje. Nuk e kam parë, por vetëm sa kam dëgjuar ndonjë drejtues partie, apo ndonjë gazetar të flasë rreth saj. Ajo marrëveshje, mesa di unë, është punuar dhe ka qenë e nënshkruar nga të gjitha subjektet së bashku, para se të vinte ADK-ja në koalicion. Në nuk kemi qenë pjesë e diskutimeve të kësaj marrëveshje. ADK-ja ka nënshkruar një marrëveshje dypalëshe me PS-në.

– A mundet të jepni detaje rreth kësaj marrëveshjeje?

– Më datën 23 prill 2013, një përfaqësi e Kryesisë së Partisë Aleanca Demokristiane, u takuan në selinë e PS-së me Kryetarin Edi Rama dhe Sekretarin për Çështje Zgjedhore të PS-së Damian Gjiknuri. Biseduam rreth 30 – 40 minuta dhe ramë dakort që të bashkëpunojmë në kuadër të koalicionit të Majtë dhe në rast fitoreje, do na ofrohej një zv/ministër dhe disa drejtorë. Nënshkruam marrëveshjen me nr. 136 prot., natyrisht, duke rënë dakord që të përfshihet në koalicionin zgjedhor  “Aleanca për Shqipërinë Europiane” partia Aleanca Demokristiane. Ky ishte një moment shumë i rëndësishëm edhe për koalicionin. Atë ditë askush nuk ishte i sigurt për fitoren. ADK-ja të gjithë potencialet i vendosi në shërbim të fitores. Askush nuk mendoi në ADK për vota, se nuk ishte pjesë e marrëveshjes tonë, por vetëm për fitore. Për këtë arsye, në të gjitha takimet e organizuara, kam folur e kemi folur për rëndësinë e madhe të ndryshimit dhe për vlerat e kryetarit Edi Rama. Sot, mbas fitores, nuk mendoj se euforia do të zbehë kontributet e mia personale dhe te subjektit që drejtoj. Ne u treguam korrekt dhe nuk mendoj se do të përgjigjet ndokush me mungesë korrektësie. Aleanca Demokristiane është partia më e organizuar nga të katër partitë demokristiane dhe që rrezaton frymën e emancipimit, qytetërimit, civilizimit,  nëpërmjet drejtuesve të Kryesisë e të qarqeve me mjaft vlera intelektuale. ADK-ja është parti reale, me standarde dhe vazhdimisht në rritje. Nuk i ngjan aspak atyre partive që kanë thjesht një kryetar me vulë në xhep. Edi Rama dhe drejtuesit e PS-së e dinë mirë këtë fakt.

Rama nuk e mbajti premtimin që u kishte dhënë aleatëve se do t’i përfshinte në qeverisje në bazë të kontributit, derisa Milo e Gjinushi kanë mbi 10.000 vota dhe PBDNJ-shi e PKD-ja fituan mandat deputeti. Kjo, a nuk quhet shkelje e marrëveshjes ?

– Rama ka negociuar, mesa di unë, me Milon e Gjinushin, me Dulen dhe Frrokun, por, mesa kuptohet, nuk kanë rënë dakord. NëseLSImori 5 ministra dhe 4 do t’i merrte Gjinushi, Milo, Dule e Frroku, atëherë PS-së me 64 deputetë do t’i mbeteshin 6 ministra dhe 4 ministra pa portofol. Sikur nuk shkon, apo jo? Gjithsesi, mendoj se ka ende mjaft poste në qeverisje. Edhe zv/ministrat janë pjesë e kabinetit qeveritar. Nuk mendoj se Rama do i shpërfillë aleatët, që për hir të së vërtetës, janë aleatë edhe të LSI-së, mbasi jo pak deputetë nga LSI-ja kanë dalë me votat e aleatëve. Mendoj se ka ende kohë për të arritur në konkluzionin se Rama shkeli marrëveshjen.

– Po flitet shumë rreth bashkimit të demokristianëve. Ju çfarë mendoni?

– Çështja e bashkimit të demokristianëve është e rëndësishme. Kjo është një temë e konsumuar gjatë dhe nuk e kam shumë të qartë arsyen e vërtetë. Nuk e di kë shqetëson kaq shumë çështja e bashkimit të demokristianeve, kur ndërkohë ka 4 parti socialiste, 4 demokratike, republikane, balliste, legaliste, dy parti të çamëve e dy të minoritarëve grekë, etj.. Difekti mendoj se, qëndron tek ligji i partive politike. Megjithatë, ADK-ja është e hapur dhe i mirëpret të gjithë demokristianët në radhët e saj. Jemi parti serioze dhe e organizuar. Të ecim së bashku në rrugën tonë. Rruga është e gjatë dhe kërkon përkushtim, idealizëm dhe energji. Idealizmi nuk shuhet kurrë, ndërsa paratë edhe mund të mbarohen shpejt. Shpreh bindjen se do i marrim ato detyra për të cilat kemi rënë dakord. Demokristianët do jenë pjesë e qeverisjes. ADK-ja i ka të gjitha standardet, që me të drejtë i kërkon Kryeministri Rama, për të qenë pjesë e qeverisjes së ekipit të Rilindjes së Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Mendoj se ka ende mjaft poste në qeverisje. Edhe zv/ministrat janë pjesë e kabinetit qeveritar. Nuk mendoj se Rama do i shpërfillë aleatët, që për hir të së vërtetës, janë aleatë edhe tëLSI-së, mbasi jo pak deputetë ngaLSI-ja kanë dalë me votat e aleatëve.

 Të krijohet FBI-ja shqiptare, që të luftojë korrupsionin

– Rama pohoi se i kishte premtuar Ngjelës për ministër, por ai nuk pranoi. Përse Ngjela trajtohet veçmas marrëveshjes PS – Aleatë?

 – Unë kam dëgjuar Ngjelën të deklarojë se ka marrëveshje të veçantë me Ramën. Këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Është e drejta e tyre. Edhe unë më sipër deklarova se, ADK-ja ka firmosur marrëveshje dypalëshe me PS-në. Askush nuk ka arsye të xhelozohet. Madje, në takimin që bëmë si parti aleate më z.Rama para disa ditëve, në fjalën e tij ai i analizoi me ne në detaje kontributet dhe madje i ndau në dy grupe. Kontribut i politikanëve që kanë bërë karrierë politike dhe ku veçohen Gjinushi, Milo, Ngjela, Dule, Koçi dhe Bushati si dhe kryetarët e partive të tjera aleate, por që ende nuk e kanë nisur karrierën politike. Edi Rama ishte shumë i qartë në fjalën e tij dhe askush nuk e kundërshtoi. Ai është deklaruar se do të ndërtojë një kabinet dhe qeverisje me intelektualë, me vlera dhe eksperiencë nga fusha të ndryshme. Për këtë arsye ka kërkuar nga të gjithë aleatët të paraqesin propozime, të shoqëruara me CV –të. Rasti Ngjela është shumë i veçantë, duke patur parasysh formimin e tij intelektual, eksperiencën dhe kontributin në fitoren e koalicionit. T’i kërkosh vota Ngjelës, do të thotë se je, ose dashakeqës, ose injorant në politikë. Përsëri unë mendoj që ka shumë mënyra për t’u ndrequr dhe njëra prej tyre është krijimi i një FBI-je shqiptare për të luftuar korrupsionin dhe të drejtuar nga avokat Ngjela.

– Cili do të jetë raporti i marrëdhënieve të bashkëpunimit  Rama- Aleatë?

– Varet nga bashkëpunimi. Një gjë duhet ta kuptojmë mirë. Në sistemin tonë politik ka dy pozicione: Pozitë dhe opozitë. Që të jesh në pozitë duhet të jesh pjesë e administratës qeverisëse, për të dhënë kontribute. Nëse nuk je pjesë e kësaj qeverisjeje, atëherë nuk je pozitë, por opozitë. Kështu që Rama dhe Meta, ose do i mbaj aleatët në pozitë, së bashku me PS-LSI, ose do t’i lërë të kalojnë në opozitë. Rrugë të mesme nuk ka. Unë uroj se do gjenden rrugët e bashkëpunimit, nëpërmjet negociatave.