Zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa: Veliaj i dha tenderin e biçikletave mikut të tij kundër ligjit

563
Sigal

Zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa ka denoncuar së fundmi se Erion Veliaj i jep tenderët në kundërshtim me ligjin mikut të tij, Ened Matos. Që të jesh në krah të Veliajt, duhet të shkelësh ligjin dhe të vjedhësh bashkë me të. Ja si kryebashkiaku Veliaj i jep tenderët në kundërshtim me ligjin mikut të tij, atij që e ka vetë shpallur kryebashkiakun e biçikletës Ened Mato. Me datë 16 gusht 2018 kompania Eco Tirana sh.a ka realizuar procedurën e prokurimit publik të llojit “Kërkesë për Propozim” me objekt: “Blerje Biçikleta me kosh” 30 copë në një vlerë fondi rreth 17 mijë dollarë dhe duke e shpallur fituese të këtij tenderi kompaninë Ecovolis Events Sh.p.k në pronësi të mikut të Veliajt, Ened Mato. Eco Tirana është një shoqëri me pronësi 49% të aksioneve private (AGSM Holding ALBANIA) dhe 51% zotërohen nga Bashkia Tiranë. Kjo kompani ushtron aktivitetin në fushën e pastrimit në territorin e Bashkisë Tiranë. Në procedurën e zhvilluar të prokurimit janë kryer shkelje në kriteret ligjore konkretisht për “pjesën e kapaciteteve teknike të subjektit” që është në kundërshtim me Nenin 27 , pika 4 të VKM nr. 914 date 29.12.2014 ku përcaktohet që kompania duhet të përmbushë kriterin e eksperiencës në punë të ngjashme, të paktën për 3 vitet e fundit. Kompania Ecovolis Events sh.p.k konstatohet që nuk disponon përvojë të mëparshme, punë të ngjashme siç kërkohet për objektin e prokurimit “Blerje Biçikleta me kosh” 30 copë. Pikërisht 10 ditë përpara marrjes pjesë në konkurrim, kompania Ecovolis ka shtuar në objekt të saj aktivitetin “shitjen dhe prodhimin e biçikletave” kjo e provuar sipas vendimit të kësaj shoqërie nr.1, datë 6 Gusht 2018. Pyetjet për Veliajn janë:

-A e dinte fare mirë miku yt Mato nga ty, që pikërisht do zhvillohej ky tender dhe bëri gati ndryshimin e objektit për kompaninë dhe, duke marrë pjesë në, konkurrim pa përvojë punë të mëparshme?

-A ishte ky një favor në emër të reklamës me biçikletat që të bën miku yt Mato, ndërkohë që ti mbush qytetin me beton?

-A do mbajë dikush përgjegjësi për shkeljen e ligjit dhe keqpërdorimin e fondeve publike në emër të miqësisë tënde?

Dhe sa fonde të tjera publike ke dhënë në shkelje të ligjit atyre, që të të bëjnë ty reklamë, sikur je kryebashkiak i suksesshëm?