Zëdhënësi i Presidentit Meta: Votimi i KLD me shumicë votash. Shkeljet e gjyqtarëve ishin flagrante

803
Presidenca ka reaguar për votimin e djeshëm të Këshillit të Lartë të Drejtësisë ku u rrëzua kërkesa e Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e tre gjyqtarëve që rezultonin me shkelje.
Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, i pyetur mbi reagimin që ka ky institucion, për vendimmarrjen e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të datës 07.05.2018, ku në këtë mbledhje janë rrëzuar propozimet e Ministrit të Drejtësisë, për shkarkimin nga detyra të disa prej gjyqtarëve u shpreh se: “Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, shpreh keqardhjen për mosmiratimin e propozimeve të Ministrisë së Drejtësisë për shkarkimin e disa gjyqtarëve nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Presidenti i Republikës, z.Ilir Meta, që prej marrjes së detyrës si Kryetar i KLD-së, ashtu si dhe ditën e djeshme ka mbështetur në vijimësi të gjitha propozimet e Ministrisë së Drejtësisë ( propozime të ish-Ministrave të Drejtësisë, apo Ministres aktuale Gjonaj) për proçedimin disiplinor dhe shkarkimin nga detyra të gjyqtarëve, kërkesa këto aktuale, apo kërkesa të mbartura dhe të pashqyrtuara nga KLD-ja”.
Zëdhënësi i Presidencës thekson se vendimmarrja në KLD është me shumicë votash. Nga ana tjetër Presidenca thekson se votimi i djeshëm është tregues i nevojës për funksionimin sa më parë të institucioneve të reja të drejtësisë.
“Mbledhja e ditës së djeshme dhe vendimarrja e shumicës së anëtarëve të KLD-së për procedimin e gjyqtarëve tregon edhe njëherë nevojën ekstreme që ka vendi, për ngritjen dhe funksionimin sa më parë të organeve të reja të sistemit të drejtësisë që janë parashikuar nga reforma. KLD sot funksionon bazuar në dispozita tranzitore dhe kjo gjëndje duhet të marrë fund sa më parë. Ngritja dhe funksionimi i organeve të reja si; Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, do të vendosë çdo gjyqtar përballë një sistemi objektiv të llogaridhënies për veprimtarinë e tij”,- tha Tedi Blushi.
Presidenca vlerëson se shkeljet e gjyqtarëve ishin më tepër flagrante. “Shkeljet disiplinore të kryera nga disa gjyqtarë të shqyrtuara ditën e djeshme në KLD ishin më tepër se flagrante dhe me pasoja të rënda. Votimi i djeshëm për këto raste tregoi se KLD nuk i përgjigjet dot pritmërive të shoqërisë për reformimin e sistemit të drejtësisë”,- u shpreh Tedi Blushi.
Sigal